Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ka dështuar shtatë herë, me Vetëvendosjen që nuk i ka 61 votat e nevojshme. Një koalicion i përfolur me Nismën duket se nuk është arritur, ndërsa dy deputetë të pakicave jo-serbe duket se kanë "tradhëtuar" z. Kurti. Siç e parashikon rregullorja, deputetët duhet të mblidhen çdo 48 orë, derisa të zgjidhen kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe të gjitha organet tjera që përbëjnë konstituimin e tij.
Opinioni publik është i ndarë për sa i përket fajtorit të këtij ngërçi politik: disa fajësojnë partinë fituese, e disa opozitën. Megjithatë, kjo ka pak rëndësi krahasuar me faktin se vendi ndodhet në një situatë pa rrugëdalje.
Të martën Kuvendi do të mblidhet sërish, pa ndonjë shenjë se mund të ketë zhbllokim të situatës. Prandaj, mundësia më e madhe është që të përsëritet skenari i shtatë seancave të kaluara.
Duket se as pozita – partia fituese – dhe as opozita nuk janë shumë të interesuara për ta zgjidhur situatën aktuale. Po të kishte vullnet politik, konstituimi i Kuvendit do të ishte bërë tashmë. Pas kësaj, do t’i mbetej VV-së që, brenda 15 ditësh, të formonte qeverinë – ose e drejta për formimin e saj do t’i kalonte partisë së dytë.
Pra, të dy kampet politike nuk shfaqin interes për të tejkaluar interesat e ngushta partiake në të mirë të vendit. Në një kohë kur çmimi i energjisë është rritur, bashkë me çmimet e tjera bazike për jetesë, politika duket se e gjen komoditetin duke e hedhur përgjegjësinë sa tek njëra palë, sa tek tjetra.