Kush e shkatërroi bazën ekonomike të Kosovës dhe pse?

Opinione

Kush e shkatërroi bazën ekonomike të Kosovës dhe pse?

Nga: Adem Bytyqi Më: 12 qershor 2025 Në ora: 19:32
Adem Bytyqi

Para luftës, Kosova kishte një industri të zhvilluar.

Në qytetet kryesore të Kosovës kishte fabrika, në të cilat ishin të punësuar një numër shumë i madh i punëtorëve shqiptarë.

Prodhimet e këtyre fabrikave, përveçse plotësonin nevojat e brendshme, kërkoheshin edhe në tregun e jashtëm.

Numri i fabrikave në Kosovë në periudhën para luftës kalonte shifrën 200.

Pas luftës, me ardhjen në pushtet të një klase politike shqiptare të korruptuar deri në palcë, baza ekonomike e Kosovës u shkatërrua tmerrësisht.

Fabrikat në gjithë Kosovën kinse u privatizuan përmes disa reformave dhe formulave politike e ekonomike të korruptuara.

Kështu, shumica e fabrikave u shkatërruan. Të huajt nuk i blinin, sepse u kërkohej haraç.

Struktura udhëheqëse iu kërkonte para blerësve të fabrikave, për këtë shkak interesimi i tyre zvogëlohej çdo ditë, dhe kriza ekonomike thellohej në mënyrë shqetësuese. Numri i të papunëve krijoi një ushtri të tërë.

Edhe ato pak fabrika që u blenë nga ndërmarrës të huaj, u blenë me çmime jashtëzakonisht të ulëta, të paimagjinueshme.

Ngjashëm me fabrikat u veprua edhe me tokat bujqësore.

Tokat bujqësore u blenë nga pushtetarët për vete — me qindra e mijëra hektarë — me çmime qesharake: një ari 3.50 euro, sikur kjo tokë të ishte terra nullius (tokë e askujt) apo tokë e ndonjë shteti tjetër.

Kanë ndodhur situata tragjikomike me shitblerjen e tokave në Kosovë: tokat e blera për një ari 3.50 euro, u janë shitur institucioneve të shtetit me 5000 euro për ari, duke u pasuruar në mënyrë të padrejtë dhe skajshmërisht korruptive.

Ekonomia e Kosovës do t’i ndiejë gjatë pasojat e këtij privatizimi të fabrikave dhe tokave bujqësore — në mënyrë korruptive dhe jashtë çdo logjike të zhvillimit ekonomik — nga ata që pas luftës erdhën në pushtet, dhe të cilët sot janë ndër individët më të pasur në Kosovë, në kurriz të qytetarëve të varfër të këtij vendi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat