Ku është LDK-ja sot dhe si të dilet nga kjo situate?

Opinione

Ku është LDK-ja sot dhe si të dilet nga kjo situate?

Nga: Rexhep Kelani Më: 19 janar 2026 Në ora: 08:49
Rexhep Kelani

Demokracisë si "sistem ku sundon elita" është duke ju bërë një keqpërdorim i skajshëm nga klasa sunduese elitare e LDK-së, në krye me Isa Mustafën. Në LDK të sunduar nga kjo elitë, dy postulatet thelbësore të demokracisë - konkurrenca e lirë e vlerave dhe vota, janë bërë vetëm formale. Shkaktari ekziston kryesisht brenda mendësisë oportuniste të kësaj klase sunduese, e cila po krijon hapësirë për veprime devijonte, të cilat po qesin jashtë loje konkurrencën e lirë të vlerave me të cilat është shquar ky subjekt politikë. Ky sistem i krijuar kësisoj në LDK pamundëson që anëtari i devotshëm i saj, eksperti i një fushe të caktuar, intelektuali i mirëfilltë (e që kishte me bollëk LDK-ja) nuk është kriter i një konkurrence të lirë të vlerave. Rregullat e hyrjes në institucione partiake - shtetërore i përcakton klani që ka arritur të monopolizojë institucionin partiak në të gjitha nivelet e saj.

Ky klan, si organizim, me përmasë deri në primitivizëm, nga mënyra si është krijuar, nuk posedon kapacitete intelektuale dhe shpirtërore, për krijimin e vlerave të qëndrueshme materiale, intelektuale dhe shpirtërore të cilat duhet t’i përkasin konsumit të gjithmbarshëm shoqëror. "Vlerat e krijuara" nga kjo strukturë primitive (këtu kam parasysh grupin në kuadër të Kryesisë) i dedikohen një rrethi të ngushtë brenda klanit. Oportunizmi i qarqeve intelektuale, brenda kësaj partie, ka ngushtuar tej mase hapësirën për veprim demokratik!

Si të dilet nga kjo situate?

Duke u nisur nga këto të dhëna në te cilën gjendet aktualisht LDK-ja, humbjen e saj për të tretën herë me radhë, kam bindjen, se nuk mund të arrihet një reformim i saj pa rindërtimin e komunikimit normal dhe të besimit të ndërsjellë midis anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, pa ripërtëritjen e moralit të partisë dhe të strukturave të saj drejtuese, pa rikthimin e vlerave morale brenda partisë dhe në udhëheqjen e saj (e për të cilën LDK-ja është e shquar dhe parti e traditës).

Por kjo mund dhe duhet të arrihet vetëm e vetëm me mënjanimin nga këto struktura të disa individëve të përfolur apo të perceptuar si të korruptuar, sepse në të
kundërtën, vetëm sa rrezikojmë në vonimin e ndryshimit te imazhit publik dhe rikthimin e mbështetjes dhe të besimit në popull. Për më tepër, mund të frenojmë procesin e domosdoshëm të pasurimit të partisë me njerëz te ndershëm e idealist, me intelektualë të aftë (të cilët i përndoqi kjo Kryesi) e të përkushtuar për kauzën kombëtare dhe shtetndërtim, me të rinj e të reja.

Në fakt, alarmi aktual për partinë është: lufta kundër korrupsionit dhe njerëzve të korruptuar në kuadër të saj, si teori e praktikë, si ushqim e mbartje, si trafik influencash e konflikt interesash, pra domosdoshmërisht edhe pastrimi e pasurimi i radhëve të saj.

Në LDK duhet të mishërohet parimi i ekuilibrit të forcave dhe jo i ushtrimit të forcës, që nënkupton detyrimisht edhe institucionalizimin dhe përfaqësimin e mendimit ndryshe. Nuk ka demokraci, deri sa dominon ideja e njëshit absolute në drejtimin e partisë. Sepse, kjo prodhon gabime e vështirësi të tjera të mëdha e në vazhdimësi. Njëshi absolut, hedhë poshtë kolegjialitetin, që është një parim kardinal i funksionimit e kohezionit për një parti politike demokratike, si kundërvënie e unitarizmit që mund dhe paraqitet në çdo parti.

Siç dihet nga teoria po edhe praktika, partia përfaqëson një grupim shoqëror-politikë, apo një bashkim vullnetar të njerëzve të lirë e të barabartë, dhe po të vihet kjo në pikëpyetje (e që po ndodh dhe atë me të madhe në LDK-në, të cilën ti shoku Isa me një grup po e sundon) nga ky organizim largohen njerëz të ndershëm e idealistë, aq të nevojshëm për zhvillimin e mendimit politik të partisë.

Çfarë e karakterizoi punën e njerëzve në LDK që nga themelimi i saj (1989) e më pastaj deri në ditët kur ti shoku Isa e more partinë (2010, me puç dhe kundër kujt
se “shokut tënd” Presidentit dhe Kryetarit të partisë, Fatmir Sejdiut, me britma në rrugë e me njerëz të paguar), mobilizimi, përkushtimi, sinqeriteti, gatishmëria deri në flijim, jo vetëm për veten e vet, por edhe të familjes, pasioni e entuziazmi, nuk ishim të lirë, por tej mase të rrezikuar.

Ti Isa, bashkë me lehaqenet e tu, i ndoqët dhe vazhdoni t’i ndiqni pikërisht veprimtarët dhe idealistët që gjatë viteve të okupimit serbë e mbajtën barrën dhe përgjegjësinë e të gjitha aktiviteteve kombëtare. Ndërkaq tash e pritet momentin që në mënyrë tinëzare, me konceptin dhe taktikën e pastrimit të terrenit nga njerëzit që i karakterizonte dhe i karakterizon ideali, për të vazhduar deri në fund me këtë skenar, përmes shërbimit të tënd, me heqjen e kokës njeriut të fundit të kësaj filozofie, "mikut" tënd, presidentit Sejdiu.

Isë, largohu dhe lësho vend, që LDK-ja të fillojë ta marrë vetën, kjo bazuar në konceptin e parashtruar, sepse vetëm kjo formë e të vepruarit në parti garanton sukses, e jo puna e jote.

Për fund, thërras në ndërgjegjen e fjetur të atyre pak njerëzve që kanë mbetur në strukturat e kësaj partie e që kanë kontribuar prej themelimit të saj, zgjohuni, veproni të shpëtojmë çka mund te shpëtohet, e t’i rikthejmë vlerat me të cilat ishim dhe mendoj se jemi të mishëruar, sepse vetëm me këtë formë Kosova mund të integrohet ne rrjedha zhvillimore, në krijim të rendit dhe të qetësisë, në themelim të shtetit ligjor dhe në perspektiv të integrimit në Bashkimin Evropian.

Rexhep Kelani, themelues dhe kryetar shumëvjeçarë i Degës së LDK-së në Obiliq dhe në dy mandate Kryetar i kësaj Komune.
Data: 15.07.2014
Prishtinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat