Kah po shkojmë?!!

Opinione

Kah po shkojmë?!!

Nga: Saim Tahiraj Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 07:40
Saim Tahiraj

Nesër Kosova feston Ditën e Rikonfirmimit të Pavarësisë së saj. Është një ditë kur të gjithë duhet të ndalemi e të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë si shtet dhe si popull.

Gjeopolitika dhe gjeostrategjia po ndryshojnë me ritme të shpejta. Superfuqia botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ripozicionon prioritetet dhe pikat e saj strategjike. Evropa po përballet me sfida serioze në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, sidomos pas mesazhit të qartë se duhet të marrë më shumë përgjegjësi për veten.

Duke i parë këto zhvillime botërore dhe evropiane – jo domosdoshmërisht të favorshme për ne – duhet të reflektojmë thellë dhe të veprojmë si një popull më i bashkuar se kurrë. Në SHBA ka fituar e djathta dhe kursi i politikës së brendshme e të jashtme ka ndryshuar ndjeshëm. Edhe në shumë vende të Evropës po forcohen forcat e djathta dhe kursi politik pritet të pësojë ndryshime të shpejta.

Ku jemi ne në këtë situatë? Kah po shkojmë?

Janë pyetje që secili prej nesh duhet t’ia shtrojë vetes me përgjegjësi.

Historikisht, orientimet nga Lindja për ne kanë sjellë humbje dhe tragjedi. Ideologjitë e importuara nga atje kanë prodhuar pasoja të rënda për kombin tonë. Prandaj, është koha të themi ndal çdo ndikimi që na largon nga rruga jonë natyrore.

Vendi ynë është Evropa. Kultura, tradita dhe zakonet tona janë evropiane, me rrënjë të thella historike. Këtu duhet të qëndrojmë – jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturalisht, shpirtërisht dhe mendërisht.

Sikurse në SHBA dhe në shumë vende evropiane, edhe në Kosovë debati politik duhet të zhvillohet mbi parime të qarta dhe orientim të qëndrueshëm perëndimor. Çdo devijim nga kursi euro-atlantik do të ishte i rrezikshëm për të ardhmen tonë.

Kthjelluni, shqiptarë, dhe ecni në hap me zhvillimet amerikane e sidomos me ato evropiane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat