Familja në mjerim, s’ka festë për nënë Fahrijen që rrit e vetme tre fëmijët me probleme shëndetësore

Sociale

Familja në mjerim, s’ka festë për nënë Fahrijen që rrit e vetme tre fëmijët me probleme shëndetësore

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 15:58
Fahrije Krasniqi

Familja në mjerim, s’ka festë për nënë Fahrijen që rrit e vetme tre fëmijët me probleme shëndetësore

Kur temperaturat tash e sa ditë shënojnë minus, nënë Fahrija mezi arrin të ngrohë tre fëmijët e saj që po i rrit e vetme. Ata po mbesin gjallë me ndihmën sociale që nuk mbulon as nevojat elementare për jetë. Familja Krasniqi nga fshati Llukar në Prishtinë, po përballet me mjerim ekstrem. Asnjë nga tre fëmijët nuk vijon shkollimin për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Aty është e nevojshme “dora e shtetit” që të merret edhe me trajtimin e fëmijës më të vogël të shtëpisë që është me sindromin down.

Vendi ku pushojnë kokën është në gjendje të mjerueshme. Shtëpia në të cilën jetojnë që tetë vjet është rrëmujë, mban erë, lagështi e myk, ndërkaq të katër anëtarët kanë probleme të mëdha shëndetësore.

48-vjeçarja e cila është bërë nënë e babë për tre fëmijët thotë se nuk mund të punojë për shkak të shëndetit të ligë.

Krasniqi: Vështirë boll, po jetojmë me një social

“I kam tre fëmijë jetimë, burri më ka vdekur që pesë vjet e gjysmë. Po jetojmë me një social, për (përmend emrin) i marr nga 100 euro. 200 euro i kemi marrë që dy muaj, po tash ku me ditë a na i lejnë më. Nuk po dinë njeri a me ble tesha, a harxh, a çka me ble përpara. Vështirë boll, mos me qenë dikush që na i ka sjell drutë këtë vit, nuk e di çfarë kishim bërë. Drutë me çka i ble. Edhe (përmend emrin) më dhimbset, se djali më i vogël deri diku po fol, por krejt jo”, tregon ajo.

Nënë Fahrija brengoset më së shumti për djalin e saj të vogël. Ajo derisa flet për hallet e saj, thotë është lodhur nga kjo gjendje dhe nuk po arrin të kujdeset për tre fëmijët.

Krasniqi: Do të doja që të më ndihmonte dikush për djalin

“Për këtë kisha pas dëshirë që më ndihmon dikush ta dërgoj diku që me shti me fol, të më ndihmojë dikush. Në shkollë kisha pas qejf ta dërgoj në Prizren, por nuk po kam me çka. Këtu te shkolla ‘Përparimi’ e kam pasur, më kanë thënë jo me pampersa (pelena) nuk po i lejnë asnjë aty. Jam lodh tash, mos me qenë fëmijët t’i shikoj, vet nuk po mundem më”, rrëfen ajo.

Për 15-vjeçarin, që flet vazhdimisht për të, kërkon ndihmën e të gjithëve.

Krasniqi: Ta kisha dëgjuar duke fol, nuk kisha dashtë më shumë

“Edhe këta ta kisha dëgjuar duke fol, nuk i kisha dashtë vetës më shumë në këtë jetë. Veç ta kisha dëgjuar duke folur edhe të vdes nasht. Krejt e dinë, krejt kupton, veç që nuk mundet me ta kthye fjalën”, tregon ajo mes-lotëve.

Përveç gjendjes së rëndë ekonomike, 48-vjeçarja po përballet edhe vet me shëndet jo të mirë.

Krasniqi: Më kanë thënë që e kam sëmundjen e keqe

“Jam sëmurë prej tensionit edhe prej zemrës. Fryma po më nxihet edhe po bllokohem nga një javë ditë në jashtëqitje. Më kanë thënë e ke sëmundjen e keqe në zorrë të trashë. Kjo më e keqja. Këta dy të mëdhenjtë po dinë, por ai më dhimbet se duhet shumë me këqyr”, thotë ajo mes tjerash.

Asnjë nga tre fëmijët nuk shkon në shkollë. Kjo mbetet edhe dëshira më e madhe e fëmijës më të madh të Fahrijes, i cili kujdeset për vëllain e motrën.

X: Unë dua që të vazhdoj shkollën por duhet me këqyr vëllain e vogël

“Nuk kom mund (të shkoj në shkollë), duhet me këqyr vëllain e vogël. Kushtet e shtëpisë tej diku, kështu... 16:45) Unë dua që të vazhdoj shkollën por duhet me këqyr vëllain e vogël, se unë dëshiroj si krejt me kryej”, shprehet 16-vjeçari, i cili gjatë tërë kohës qëndron pranë vëllait të tij.

Shpresa për një të ardhme më të mirë për këtë familje, duket pothuajse e largët. Kjo gjendje ia ka vjedhur 16-vjeçarit gëzimin e fëmijërisë, për këtë thotë se as festat nuk janë njëjtë si të shokëve të tij.

X: Kisha dashur që të festojmë edhe ne njëjtë si krejt

“Për festat e fundvitit kisha pas dëshirë që të festojmë si krejt njëjtë, ne bash mirë nuk po kemi që të festojmë”, thotë ai me shumë emocione.

Nëna e tre fëmijëve, Fahrije Krasniqi shpreson që dikush t’iu dalë në ndihmë që fëmijët e saj të gëzojnë një të nesërme më të mirë.

Të gjithë vullnetmirët që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të lajmërohen në 044 272 197. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat