Zvicra e ndarë rreth propozimit për të kufizuar popullsinë në 10 milionë

Zvicra e ndarë rreth propozimit për të kufizuar popullsinë në 10 milionë

Më: 8 maj 2026 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Opinioni publik zviceran është pothuajse i ndarë në mënyrë të barabartë për çështjen e një propozimi për referendum që do ta kufizonte popullsinë në 10 milionë, tregoi një sondazh i ri i kryer përpara votimit të planifikuar për 14 qershor.

Sipas një ankete nga instituti GfS në Bernë, për transmetuesin publik SRG, 47 për qind e të anketuarve e mbështesin iniciativën, e njëjta përqindje është kundër, ndërsa pjesa tjetër e të anketuarve nuk kishin mendim, raportoi Reuters.

Sondazhi u krye në një mostër prej 19,728 personash midis 20 prillit dhe 3 majit.

Propozimi, i mbështetur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë, parashikon që popullsia e përhershme e vendit të mos kalojë 10 milionë deri në vitin 2050, si dhe t’i japë fund marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me Bashkimin Evropian.

Qeveria zvicerane e kundërshton iniciativën, duke paralajmëruar se miratimi i saj mund të dëmtojë marrëdhëniet me BE-në, partnerin kryesor tregtar të vendit, dhe të ndikojë negativisht në ekonomi.

Shifrat zyrtare tregojnë se popullsia e Zvicrës kohët e fundit i kaloi nëntë milionë banorë, me shtetas të huaj që përbëjnë më shumë se 27 për qind të popullsisë.

Paralelisht, vendi po diskuton një marrëveshje më të gjerë me BE-në të arritur në fund të vitit 2024, e cila do të thellonte integrimin ekonomik, ndërsa autoritetet theksojnë nevojën për të forcuar lidhjet me tregun evropian për shkak të pasigurisë ekonomike globale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat