Rruga e Kosovës është vetëm perëndimore, çdo rrugë tjetër është vetëshkatërruese dhe fatale

Opinione

Rruga e Kosovës është vetëm perëndimore, çdo rrugë tjetër është vetëshkatërruese dhe fatale

Nga: Gjon Keka Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 20:00
Gjon Keka

Qeveria e tanishme dhe pushtetarët duhet të tregojnë maturi dhe të mos bien në grackën e një gabimi të pariparueshëm politik, duke devijuar nga orientimi strategjik dhe europian i Republikës së Kosovës.

Për lirinë dhe rrugëtimin perëndimor të vendit tonë është derdhur gjak dhe djersë, duke pasur në krah miqtë dhe aleatët tanë historikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin, vendet mike europiane, si dhe praninë vendimtare të NATO-s dhe KFOR-it. Çdo tentativë për ta anëtarësuar shtetin laik të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, duke përsëritur kështu gabimin e dikurshëm të Shqipërisë, do të përbënte një dëm të rëndë diplomatik dhe të imazhit të Kosovës.

Një qasje e tillë do të sillte largimin përfundimtar të Kosovës nga familja europiane, duke i mbyllur përgjithmonë dyert e integrimit në Bashkimin Europian.

Për më tepër, kjo do të binte ndesh me testamentin dhe rrugën kombëtare të shtruar ndër shekuj nga figurat tona më të ndritura, si Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Idriz Seferi dhe arkitekti i pavarësisë dhe shtetit, Ibrahim Rugova.

Rruga e Kosovës është vetëm perëndimore; çdo rrugë tjetër është vetëshkatërruese dhe fatale. 
[Gjon Keka]
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat