Safet Ahmet Ademaj, deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës i dalë nga zgjedhjet e Para, të Lira e Demokratike të vitit 1992

Dokumentare

Safet Ahmet Ademaj, deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës i dalë nga zgjedhjet e Para, të Lira e Demokratike të vitit 1992

Nga: Muharrem Qafleshi Më: 24 prill 2023 Në ora: 23:00
I ndjeri dhe miqtë e tij

Inxhinier Safet Ahmet Ademaj edhe pse veprimtar qysh në ditët e para të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kur ndërroi jetë me 23 prill 2023, nuk u shkrua e tha asnjë fjalë nga bashkë partiaket e tij, ashtu siç bënin për veprimtarët e tjerë përmes statuseve të tyre në nëpërmjet llogarinë të tyre në “Facebook”, mjeteve të informimit ku shprehnin dhimbjen për humbjen e veprimtareve të LDK-së, nuk organizuan asnjë mbledhje përkujtimore, nuk morën pjesë dhe nuk vendosën asnjë kurorë nga strukturat partiake në varrimin e të ndjerit Safet.

Edhe pse Safet Ademaj ishte aktivist i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i angazhuar në organizimin e jetës paralele institucionale në vitet ’90, duke qenë edhe deputet i Republikës së Kosovës nga votat e marra në zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992, si dhe në organizimin e mbrojtjes së fshatrave të “Vrrinit”, gjatë viteve më të vështira që po kalonte Kosova.

Safet Ademaj edhe pse dha kontribut të çmuar në organizimin e jetës institucionale dhe u dallua si humanist në gjithë veprimtarinë e tij.

Me vdekjen e tij familja humbi njeriun e tyre të dashur, të ditur e të urtë, ndërsa LDK e Kosovës e sidomos Dega e LDK-së në Zhur e Prizren, humbi njërin ndër aktivistët e saj më të vyer, por nga bashkë partiakëve e tij, në asnjë rast nuk u përmend e kontributi i dhënë për LDK-në dhe shtetin e Kosovës.

Ishte edhe humbje për tërë shoqërinë tonë.

Kush ishte Safet Ademaj?

U lind me 18 prill të vitit 1951, në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit.

Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes në Zhur.

Shkollimin e mesëm në Shkollën e Mesme Teknike “Gani Çavderbasha” në Prizren.

Fakultetin Teknik-Drejtimin Ndërtimtari e mbaroi në Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës.

Pas mbarimit të studimeve me shumë sukses Safet Ademaj, filloi punën në Shkollën e Mesme Teknike në Prizren (1978-1981), si mësimdhënës i lëndëve profesionale.

Me pas punën e tij në profesion e vazhdoi në Entin për Projektim të Komunës së Prizrenit (1981-1985).

Punoi edhe në Kombinatin më të madh ndërtimor të asaj kohe “Ramiz Sadiku” në Prizren deri në vitin 1992, me qenë se ishin vite të vështira për shqiptarët e Kosovës nga dhuna që ushtronte okupatorit serb, i cili përpos maltretimeve, torturave, burgosjeve dhe vrasjeve të kosovarëve ata edhe i përzunë nga vendet e punës, andaj inxhinieri i ndërtimtarisë Safet Ademaj, filloi ta ushtroi profesionin e tij duke kontraktuar punë private për të mbijetuar dhe mbajtur gjallë familjen e tij.

Në jetën politike Safet Ademaj u kyç që në ditën e parë të themelimit të LDK-së, që ishte një Lëvizje Popullore, i cili u dallua si aktivist dhe veprimtar i kësaj partie në fshatin Zhur e Prizren.

Në zgjedhjet e para, të Lira e Demokratike të organizuar nga LDK-ja më në krye dr. Ibrahim Rugovën, të organizuara me 24 majit të vitit 1992, Safet Ademaj me shumicë votash zgjidhet Deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, i cili i përfaqësoi denjiteshëm popullin dhe elektoratin e Zhurit dhe Prizrenit.

Safet Ademaj si deputet u dallua në veprimtari e aktivitete politike si në organizimi i arsimit paralel, në Këshillin e Financimit, në Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” e shumë e shumë aktivitete tjera.

Për të cilat u ndoq këmba këmbës nga agjentet e Shërbimit të Brendshëm Sekret të Serbisë-Jugosllavisë, një shërbim famëkeq, duke u thirrur në të ashtuquajtura biseda informative e që ishin tortura të rënda psikikë e fizike, të cilat i përballojë stoikisht.

Ai e vazhdoi aktivitetin e tij politik për çlirimin e Kosovës nga thundra okupatore serbe dhe për bashkim kombëtar.

Ai edhe kur ishte i sëmurë aktivitetin nuk e ndaloi kurrë deri në vdekjen e tij.

Inxhinieri Safet Ademaj do ta kujtojmë gjithmonë si një prej intelektualëve më të dalluar, që punoi shumë për çlirimin e Kosovës.

Ai dha kontribut të madh në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ngushëllimet më të thella për familjen Ademaj, LDK-në dhe gjithë kolegët e miqtë e Safet Ademajt.

Kujtimi për të do të jetë i përhershëm për familjen e tij, për veprimtarët e parë të LDK-së, miqtë dhe koleget e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat