Flamurtari i ka bërë kërkesë FSHF-së që ndeshjet si pritës t’i zhvillojë në darkë, nën dritat e prozhektorëve.
Është vetë kreu i klubit Sinan Idrizi, që kërkon nga FSHF-ja, që duke nisur nga ndeshja me Vorën dhe të gjithë të tjerat në shtëpi, të luhen në mbrëmje me drita. Idrizi thekson për “Panorama Sport”, se Flamurtari i ka të gjitha mundësitë infrastrukturore për këtë gjë, që sipas tij do të shtonte numrin e tifozëve në stadium.
“Ne kërkojmë nga FSHF-ja që ndeshjet t’i luajmë në darkë. Nuk e kuptoj se përse nuk pranohet kjo gjë. Nuk kam preferencë për orën, por dua që të zhvillohen në mbrëmje, me drita. Ne i kemi të gjitha mundësitë, ndriçimin e kemi.
Kështu do të ftonim edhe tifozët në stadium. Ne po i largojmë vetë ata me këto mënyra që bëjmë. Çfarë i kushton federatës që ndeshjet e Flamurtarit të luhen në darkë. Ato janë kosto për ne, energjia elektrike, atyre nuk u prish punë kjo gjë. Ndaj, ne kërkojmë që duke nisur nga ndeshja me Vorën dhe të tjerat që do të kemi në shtëpi, t’i luajmë në mbrëmje”, shprehet fillimisht Idrizi.