Historia e panjohur e oficerit të Monarkisë së Zogut që luftoi më 7 prill ’39 dhe u ekzekutua me urdhër të Enver Hoxhës në ’44-ën

Historia

Historia e panjohur e oficerit të Monarkisë së Zogut që luftoi më 7 prill ’39 dhe u ekzekutua me urdhër të Enver Hoxhës në ’44-ën

Më: 7 prill 2021 Në ora: 09:17
Shqipëri 1939

Publikohet historia e panjohur e Akil Sakiqit me origjinë nga Dibra e Madhe, pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe të pasura të asaj krahine, (babai i tij, Rakipi merrej me tregti dhe zotëronte rreth 1500 ha. tokë e pasuri të tjera në Janica afër Selanikut), i cili falë gjendjes së mirë ekonomike familjare, pasi u shkollua në Stamboll dhe në Janinë, në vitin 1923 u kthye në atdhe dhe ndoqi studimet në Liceun francez të Korçës, ku si shok klase e dhome konvikti, kishte dhe Enver Hoxhën. Karriera ushtarake e Sakiqit gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut pasi ai kishte fituar një të drejtë studimi nga qeveria e asaj kohe dhe ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Romës në degën e “Rojes së Financës”, ku morri dhe gradën e togerit, duke shërbyer si oficer i ‘Rojes së Kufirit’ në qarkun e Shkodrës, deri në vitin 1938, kur me dekret mbretëror ai u transferua në rrethin e Durrësit, me detyrën e zv/komandantit të batalionit, ku e gjeti dhe 7 prilli i ’39-ës, kur Italia fashiste e Benito Musolinit, kreu agresion ushtarak duke pushtuar fqinjën e saj përtej Adriatiku, Shqipërinë e Mbretit Zog.

Karriera ushtarake e Sakiqit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, ku pas amnistisë së dhënë nga autoritet italiane në prillin e ’39-ës, (për të gjitha ata ushtarakë shqiptarë që e kishin pritur me pushkë pushtimin), duke shërbyer si oficer i “Rojes së Kufirit” në rrethin e Shkodrës, ku ai qëndroi deri në vitin 1943 që u emërua në Tetovë dhe pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtatorin e atij viti, ai u kthye në Tiranë, ku jetoi me familjen e tij në një banesë me qere në Rrugën e “Pishës”, deri në 28 tetorin ‘44-ës, kur një njësit partizan e morri nga shtëpia dhe e ekzekutoi diku në ‘Bregun e Lumit’, së bashku me dy shokët e tij, Nazmi Uruçi dhe Fahri Dabulla, eshtrat e të cilëve ende dhe sot nuk janë gjetur…?!

Më 7 prill të vitit 1939, plot 82 vite më parë kur Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak duke pushtuar fqinjën e saj përtej Adriatikut, Shqipërinë, një pjesë e madhe e ushtarakëve shqiptarë të Monarkisë së Zogut, si: kolonel Sami Koka, major Abaz Kupi, kapiten Kadri Rustem Bardulla, kapiten Nuredin Pustina, kapiten Nikoll Mëlyshi, toger Myftar Jegeni etj., i pritën me armë forcat pushtuese italiane, si në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë, etj., duke bërë një rezistencë simbolike, aq sa ç’mund të bënte një ushtri e vogël në numër dhe paisje luftarake, (siç ishte ajo e Monarkisë së Zogut) ndaj një prej fuqive ushtarake më të mëdha të kohës, siç ishte Italia e Benito Musolinit dhe Mbretit Viktor Emanueli i Tretë.

Por ajo rezistencë e atyre pak ushtarakëve shqiptarë të Monarkisë, jo vetëm që nuk u përmend kurrë nga historiografia zyrtare dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për afro 45 vite me rradhë, por përkundrazi, ata u etiketuan si “armiq e tradhëtarë” dhe pjesa më e madhe e tyre përfunduan burgjeve e kampeve të internimeve, si të dënuar politik. Ndërsa i vetmi ushtarak i Monarkisë që regjimi komunist do ta shpallte “Dëshmor të atdheut”, dhe do të krenohej me të, duke e konsideruar si “simbol të rezistencës së armatosur të 7 prillit ’39”, ishte Mujo Ulqinaku, një kapterr i Rojes së Financës, që humbi jetën gjatë zbarkimit të trupave fashiste italiane në portin e Durrësit, duke luftuar kundra tyre. Një prej atyre ushtarakëve të karrierës së Monarkisë së Zogut që luftuan në 7 prillin e ’39-ës në Durrës, ishte dhe kapiten Akil Sakiqi, i cili u ekzekutua nga njësitë partizane në nëntorin e vitit 1944, ende pa mbaruar lufta, duke qenë një ndër viktimat e para të terrorit komunist në qytetin e Tiranës, së bashku me shumë intelektualë të tjerë, që u morrën nga shtëpitë e tyre dhe u ekzekutaun pa gjyq, siç ndodhi dhe me ngjarjen që pas viteve ’90-të njihet si “Masakra në Hotel “Bristol”, ku komunistët ekzekutuan 33 intelektualë të pafajshëm.

Për më shumë rreth Akil Sakiqit dhe gjithë historisë së tij, do njihemi në këtë shkrim që e kemi përgatitur me dëshmi të personave që kanë pasur dijeni rreth saj, si kujtimet ish-ushtarakëve të Monarkisë, kolegë të Akil Sakiqit, si toger Nuredin Pustina, kujtimet e Enver Hoxhës, (shok klase i Sakiqit në Liceun e Korçës) nga dëshmitë e familjarëve të tij, studjuesve dhe historianëve të ndryshëm, si dhe nga mjaft dokumente arkivore, që Memorie.al i bën publike për herë të parë në këtë shkrim.

Nga Liceu i Korçës, në Akademinë Ushtarake të Romës

Akil Sakiqi u lind në korrik të vitit 1907 në Serez te Greqisë ku i ati Rakipi kishte emigruar nga Dibra e Madhe në vitin 1870, prej nga është dhe origjina e asaj familje ndër më të njohurat e asaj krahine atdhetare. Mësimet e para Akili i morri fillimisht në Stamboll në gjuhën turke dhe më pas në Janinë në gjuhën greke. Shkollimi i Akilit u bë i mundur edhe në saj të gjendjes së mirë ekonomike të familjes, pasi babai i tij, Rakipi që në rininë e tij, u morr me aktivitet tregtar dhe arriti të zotëronte rreth 1500 ha. tokë e pasuri të tjera në Janica afër Selanikut, e cila tashmë prej disa dekadash është e konfiskuar, ashtu si dhe gjithë pjesa më e madhe e pasurive të shqiptarëve në Greqi, kryesisht asaj çame.

Në vitin 1923, pas Traktatit tē Lozanēs për shkēmbimin e popullsisē, me nxitjen edhe të kunatit të tij, patriotit të njohur, Hafiz Xhemali, (pasi babai, Rakipi vdiq në vitin 1918), Akili erdhi në atdhe dhe në vitet 1923 – ’28, ai ndoqi mësimet në Liceun francez të Korçës, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1931. Gjatë asaj kohë që Akili ndoqi Liceun francez, ai kishte shoqëri të ngushtë me Fari Dabullën dhe Nazmi Uruçin, të dy bashkënxënës të atij liceu dhe të tre ata patën rastin të njiheshin edhe me Enver Hoxhën, që fillimisht ishte nxënës i atij liceu dhe më pas edhe si pedagog i frengjishtes. Lidhur me këtë, Enver Hoxha ka shkruar në kujtimet e tij, (Libri “Vitet e rinisë”, Tiranë 1983, fq. 62), ku ai përshkruan shokët e klasës dhe ‘aventurat’ e tyre, midis të tjerash shprehet: “Kjo mënyrë e ‘hekurosjes’ bëhej sidomos të shtunave mbrëma, për të qenë gati për shëtitjen e zakonshme që bënim të dielën në bulevarde dhe ulica. Shaqiri ishte, gjithashtu, mjeshtër i dansit i dhomës sonë.

Na mësonte ‘çarlestonin’! Të gjithë ne të dhomës mbaheshim në këmbët e krevateve dhe hidhnim ‘çarlestonin’, kurse Shaqiri vetë rrinte në krye të dhomës, kërcente pa u mbështetur si ne, dhe këndonte “…Bebi çarleston”, me të cilën shoqëroheshin kërcimet tona, duke hedhur sa andej-këndej fundet e gjera të pantallonave. Shumë gjëra kishte parë dhoma jonë: zënkat e Akil Sakiqit (që u bë oficer i Zogut dhe vazhdoi si i tillë edhe në kohën e okupacionit fashist) me Ismail Topçinë; lojën e 31-shit të Lezo Çamit (edhe ky mbaroi në burg si ballist), lojë që e fillonte, siç thonë korçarët, në Shënvasil (Festë fetare, përkon me natën e vitit të Ri) (natyrisht fshehur azi) dhe e mbaronte para provimeve”.

Martesa me Nevrez Këlliçin, e bija e deputetit të Parlamentit Shqiptar

Pas mbarimit me rezultate të larta të Liceut francez të Korçës në vitin 1928, Akil Sakiqi përfitoi një bursë shtetërore nga ana e qeverisë së Monarkisë së Zogut për të ndjekur studimet e larta në Akademinē Ushtarake të ‘Guardia di Finanza’ të Romës, (“Rojes së Financēs”), të cilën gjithashtu e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1931, duke marrë dhe gradën e togerit. Pas kësaj, ai u kthye në atdhe ku me dekret mbretëror, u emērua si oficer nē “Rojen e Kufirit” tē qarkut të Shkodrës, ku ai shërbeu deri në mesin e vitit 1938. Ndërkohë që ishte me shërbim në rrethin e Shkodrës, në mesin e viteve ’30-të, Akil Sakiqi u fejua me një vajzë të re nga familja e njohur tiranase, Këlliçi, Nevrezin, e cila ishte e bija e Masar Këlliçit, personalitet i njohur gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut (deputet i Tiranës në Parlamentin e parë shqiptarë në prillin e vitit 1921), dhe gjithashtu e mbesa e Mytesim Këlliçit, delegat i Tiranës në Kongresin e Lushnjes në janarin e vitit 1920. Akili me Nevrez Këlliçin që punonte si mësuese, krijuan familje, duke kurorzuar martesën e tyre në Tiranë në vitin 1937, nga ku më pas do t’ju lindin dy fëmijë: djali Orhani dhe vajza, Emeli.

7 prill 1939, kapiten Akil Sakiqi lufton në Durrës

Në vitin 1938, pasi kishte marrë gradën e kapitenit, Akil Sakiqi u transferua në qytetin e Durrësit me detyrē: zv/komandant batalioni, ku e gjeti edhe 7 prilli i ’39-ës, kur Italia fashiste e Benito Musolinit, kreu agresion ushtarak duke e pushtuar me forcën e armëve fqinjën e saj, Shqipërinë, në anën tjetër të Adriatikut. I gjendur në epiqendrën e pushtimit italian në bregdetin e Durrësit, Akil Sakiqi ishte një nga ata ushtarakët e Monarkisë së Zogut që e pritën me armë pushtimin, duke bërë atë rezistencë simbolike, aq sa mund të bënte një ushtri e vogël siç ishte ajo shqiptare ku ai ishte efektiv, ndaj ushtrisë italiane, një prej fuqive ushtarake më të mëdha të kohës.

Por siç dihet tashmë, kontributi dhe rezistenca e ushtarakëve të Monarkisë së Zogut, si Kadri Rustem Bardulla, Nuredin Pustina, Nikoll Mëlyshi, Myftar Jegeni etj, që i pritën me armë forcat pushtuese italiane më 7 prillin e ’39-ës, si në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë etj.,jo vetëm që nuk u përmendën kurrë nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, por përkundrazi, ata u etiketuan si “armiq e tradhëtarë” dhe pjesa më e madhe e tyre përfunduan burgjeve e kampeve të internimeve, si të dënuar politik. Dhe i vetmi ushtarak i Monarkisë që regjimi komunist do ta shpallte “Dëshmor të atdheut”, dhe do të krenohej me të duke e konsoliduar si simbol të rezistencës së armatosur të 7 prillit ’39, ishte Mujo Ulqinaku, një kapterr i Rojes së Financës, që humbi jetën gjatë zbarkimit të trupave fashiste italiane në portin e Durrësit, duke luftuar kundra tyre.

Por kontributi i kapiten Akil Sakiqit si ushtarak në rezistencën e armatosur të prillit të ’39-ës, jo vetëm që është i dokumentuar nga disa prej kujtimeve të pakta të kolegëve të tij ushtarakë që ishin bashkë në atë kohë me shërbim në bregdetin e Durrësit, që janë bërë publike vetëm pas viteve ’90-të, si kapiten Nuredin Pustina, por edhe nga disa dokumente arkivore që Memorie.al ka mundur të gjejë para pak kohësh.

Kujtimet e kapiten Nuredin Pustinës për Akil Sakiqin më 7 prill ‘39

Në kujtimet e kapiten Nuredin Pustinës të cilat i kemi bërë publike falë dashamirësisë së familjes së tij që na i ka vënë në dispozicion vite më parë, (Dossier “Gazeta Shqiptare”, dt.9.VII.2002, me autor Dashnor Kaloçi.), midis të tjerash thuhet: “Më 5 prill 1939, nga shkolla u morrën shumë oficerë të gradave të ndryshme të cilët pasi i caktuan në reparte, i nisën me destinacion për në front. Unë shkova në Durrës dhe menjëherë nisa familjen për në Korçë, për të qenë më i lirë. Ato dy ditë e dy net, bëra pjesë në Shtabin e Komandës Operative në Durrës. Më gjashtë prill dhe natën e shtatë prillit, bënim dislokimin e forcave që vinin në Durrës, si artilerinë e rëndë që e çuam te Kisha nga rruga e Vilës, të komanduara këto nga togeri i artilerisë, Nazmi Baraka e Gaqo Mosko.

Më datën shtatë prill, këta ishin të parët që shtinë kundër flotës armike që kishte përqëndruar pjesën më të madhe të anijeve të luftës karshi molit të Durrësit. Nga predhat e këtyre topave, ranë dhe në vaporrin që ishte koloneli italian Petinasi, i cili, më parë kishte qenë komandant i Artilerisë së Ushtrisë Shqiptare dhe kur ky erdhi më pas në Tiranë, tha: ‘Unë ju kam mësuar të qëlloni mirë me topa, por jo kundër meje’. Natën më gjashtë prill në mbrëmje, dërguam dinamit në Shijak dhe prishëm urën e Shijakut, ku vendosëm repartet e Këmbsorisë që vinin nga Elbasani, Tirana, e rrethe të tjera. Mbas orës dy të natës, u nda nga mua kapterri Mujo Ulqinaku dhe nga mëngjesi ai shkoi në Marinë, te Kalaja, afër Portit. Kur u ndamë më tha se do të shkonte të linte unazën që kishte në dorë dhe nuk u pamë më. Para nisjes unë i dhashë armatim nga depoja.

Disa ditë më parë kur unë vija nga Tirana pranë familjes në Durrës, Mujo më raportoi se italianët që shërbenin në Marinën tone, u hiqnin gjilpërat topave të mëdhenj që ndodheshin në fortifikatat afër Vilës dhe gjatë rrugës për te Kisha. Këtë gjë unë ja raportova shefit të Transportit në Komandën e Mbrojtjes, kapiten, Ibrahim Ishmit, ky njoftoi gjeneralin, Komandantin e Mbrojtjes, dhe prej tij, njoftimi iu dha Komandantit të Marinës në Durrës, duke i tërhequr vrejtjen italianëve të Komandës së Mbrojtjes. Italianët morën vesh informatat e Mujos dhe këtë duket se nuk ia harruan deri sa e vranë. Unë, me oficerët e depos, nuk kishim asnjë ushtar nën komandë, por ne vajtëm vetë në vijën e parë. Unë u bashkova me Rojet e Kufirit, nën komandën e Komandantit të Kufirit, Kapiten Kadri Rustemit (nga Dibra).

Ky mori në telefon kapiten Akil Sakiqin, i cili ishte komandant Batalioni dhe i thotë: Italianët zbritën në tokë (në mol) dhe filluan të ecin drejt nesh. Kompania kishte zënë pozicion karshi Bankës, afër molos. Lidhja me Tiranën ishte prerë, atëhere Kadriu nxorri revolen dhe shtiu i pari. Kjo ishte shenja, urdhëri i zjarrit. Atëhere filloi zjarri i gjithë kompanisë. Gjithë repartet ngado që ishin filluan zjarrin. Italianët u kapën në befasi, mbasi ata nuk e pritnin që do të bëhej rezistencë. Atëhere italianët u tërhoqën, u futën në vaporë, por u goditën shumë prej tyre. Pati të vrarë dhe të plagosur rëndë.

Këta u dërguan menjëherë për në Itali, por pas disa ditësh pamë ish-komandantin e Marinës, majorin Tedei dhe marshall të tjerë, me krah të lidhur e të plagosur. Italianët pasi u futën në vaporët që qëndronin në mol, nxorrën armatimet e tjera dhe tanket, e filluan ofensivën me armë të rënda në të gjithë drejtimet, pra, drejt nesh që ishim pranë Bankës, nga Hoteli te kalaja, në Currilat, te AGIPI, në Plazh, karshi Urës së Dajlanit etj. Marina armike filloi të qëllonte nga deti dhe disa predha i ranë edhe Fabrikës së Miellit. Mbas pak erdhën në vijën e frontit edhe të burgosurit, të cilët mbasi u armatosën u rreshtuan për luftim. Disa prej tyre i takuam më vonë në Shijak, i mora në makinë për në Tiranë, ishin të plagosur.

Me urdhër nga Tirana u dërgova menjëherë në Autorepartin e kamionëve në Xhafzotaj-Durrës (ku unë shërbeja si oficer) për të përgatitë automjete të tjera nga të mobilizimit. Nën rrebeshin e plumbave shkova në Durrës me një kamion dhe aty përgatita pesëmbëdhjetë kamionë dhe u nisa për në Durrës. Kur mbërrita në Rrashbull sapo kishte qëlluar armiku me artileri të rëndë, kështu që ishte i pamundur kalimi dhe u strehuam në një hendek. Aeroplanët armiq na fluturonin mbi kokë. Mbas pak filluan të vijnë shokët që kishim lënë në Durrës, të cilët po tërhiqeshin me urdhër. Atëhere u bashkuam dhe u drejtuam për në Tiranë.

Kur mbërritëm te Hani i Hamit Beut, para Vorës, gjetëm një batalion që kishte zënë pozicione lufte. Na ftuan edhe neve që të zinim pozicionet. Ne pranuam dhe u ndalëm. Mbas pak edhe këtë repart e nisin për në Tiranë. Më tetë prill Tirana ishte pushtuar nga ushtritë armike dhe Mbreti e qeveria ishin larguar për në Greqi. Më datën 12 prill, kthehem në Durrës. Të parën punë që bëra kërkova familjen e Mujos, sepse e dija që ishte keq ekonomikisht. U lidha me ta nëpërmjet Sul Kapedanit e më kërkuan ndihmë financiare. Atëhere mblodha 12 napolona flori dhe ja dhashë. Ata shkuan në Seman, tek dajat e tyre”, përfundon rrëfimi i Nuredin Pustinës, lidhur me ngjarjen e 7 prillit të vitit 1939, ku ai furnizoi me armatim Mujo Ulqinakun dhe flet edhe për kontributin e kolegut të tij, kapiten Akil Sakiqit.

Aktiviteti kapiten Sakiqit në prillin ’39, në dokumente arkivore

Kontributi dhe aktiviteti i kapiten Akil Sakiqit në ngjarjet e prillit të vitit ’39, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, veç dëshmive të ndryshme që kemi përmendur në këtë shkrim, konfirmohet edhe nga një sërë dokumentash arkivore që Memorie.al i publikon për herë të parë. Kështu, në një telegram që mban datën 1 prill 1939, shkruhet:

Komandës së Trupit Rojes së Mbrojtjes së Kufinit

Simbas një lajmi që na jep Kompania e Durrësit, udhëtarët që vijnë nga Italia, kanë deklaruar se në Bari, janë përqëndruar dy Divizone ushtarë dhe atje është përhapur fjala për një ekspedicjon për në Shqipni. Stop. Në Sazan, qenkan zbarkue 2-3 mijë ushtarë. Stop. U pyet Kompania e Vlonës dhe në fshehtësinë më të madhe të vëhet në korent ajo Komandë. Stop.

Zv. Komandant i’ Baonit. U.R.M. Kufinit

Kapiten (Akil Sakiqi)

Në një dokument tjetër që mban datën 6 prill 1939, thuhet:

Komandës së Përgjithshme R. M. Kufinit

T i r a n ë

Nr.8 /32 Res.

U dhanë urdhnat Stop Kolonel Ali Razit e major Sabri Gjilanit, kur të vijnë, kemi me ju lajmërue Stop.

Zv. Komandanti Baonit i R.M. Kufinit

Kapiten (Akil Sakiqi)

Vërtetohet: Dishifrim

Kapiteni Kl. I -rë

Ahmet Shehu

Akil Sakiqi, oficer në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare

Nisur nga qëndrimi që mbajti kapiten Akil Sakiqi gjatë ditëve të para të prillit të ’39-ës, duke marrë pjesë në rezistencën e armatosur në bregdetin e Durrësit kundra trupave ushtarake italianë të Benito Musolinit që zbarkuan në portin e Durrësit, rreth një muaj më pas, nga ana e autoriteve italianë u nxorr urdhër-arresti ndaj tij dhe për t’i shpëtuar kësaj, ai mundi të largohej dhe të fshihej tek disa miqtë e tij besnikë në rrethin e Durrësit. Pas një amnistie të dhënë nga ana e autoriteteve italianë ndaj të gjithë ushtarakëve shqiptarë që i kishin pritur ata me pushkë, Akil Sakiqi u kthye në detyrë dhe fillimisht u emërua në rrethin e Shkodrës, si oficer i “Rojes së Kufirit”, për zonën e Malësisë së Madhe, por me zyra në qytetin e Shkodrës. Në atë detyrë ai shërbeu deri nga fillimi i viti 1943, kur u emërua në Tetovë dhe nga shtatori i atij viti me kapitullimin e Italisë fashiste, ai u kthye në Tiranë dhe me familjen e tij u vendos me banim në “Rrugën e Pishës”, duke marrë një shtëpi me qera. Që nga ajo kohë, e deri në fundin e tetorit të vitit 1944, (kur ai do të arestohej nga një njësi partizane), edhe pse ai nuk u morr fare me punët e politikës pa u përzier fare në punët e Luftës, ai kishte bindje nacionaliste dhe i urrente komunistët. Sipas disa dëshmive të dhëna nga Jahja Hatibi në fillimin e viteve ’80-të, (që i konfirmojnë dhe familjarët e tij), diku nga viti 1944, kur ai (Jahja Hatibi), streohej në shtëpinë e Akilit, ai e pyeti se kë kishin udhëheqës kryesor komunistë dhe kur Jahja i tha se kishin Enver Hoxhën, Akili i ishte përgjigjur: “Unë e kam njohur shumë mirë Enver Hoxhën, pasi kam qenë shok dhome me të në Liceun e Korçës dhe po të them se: me atë kryetar, nuk do të ketë mirë Shqipëria, prandaj si mik që të kam të them që të largohesh sa më parë nga ai. Unë kam lexuar shumë dhe për komunizmin dhe deri sa e drejton ai këtë lëvizje, duket se paska gjetur “tenxherja, kapakun”. Në fillim ai do të ketë punë me ne, por nuk do të vonojë shumë dhe do t’ju vij rradha edhe juve që shkoni pas tij”. Po sipas disa dëshmive, Jahja Hatibi e ka përmendur shpesh atë bisedë të bërë në vitin 1944 në shtëpinë e Akil Sakiqit ku streohej si illegal (pasi ishte pjestar i Lëvizjes Komuniste dhe Antifashiste), duke u shprehur se kishte bërë shumë gabim që nuk e kishte dëgjuar këshillën e Akilit./Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat