Në Maqedoni kanë ndodhur disa fatkeqësi të rënda ajrore, ku jetët i kanë humbur më shumë se dyqind udhëtarë. Vetëm në dy prej tyre, të ndodhura brenda vitit 1993, u shuan 183 jetë njerëzish. Njëri aeroplan u rrëzua në afërsi të aeroportit të Shkupit, duke shkaktuar 67 viktima, ndërsa tragjedia e dytë ndodhi në qytetin e Ohrit, ku humbën jetën 116 persona.
Në mesin e udhëtarëve të tragjedisë së Ohrit ishte edhe babai im, Isufi, i cili po kthehej nga Gjeneva e Zvicrës.
Sado që kalon koha, mërzia, pikëllimi dhe malli nuk shuhen, përkundrazi, sa vijnë e shtohen. Babai im, bashkë me viktimat e tjera, po ktheheshin në vendlindje dhe prisnin me padurim të bashkoheshin me të dashurit e tyre shëndoshë e mirë, e jo të bëheshin banorë të asaj bote.
Sa i përket zbardhjes së ngjarjeve, asnjë hetim i mirëfilltë nuk është zhvilluar për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe shkaktarët e vërtetë të këtyre tragjedive. Pse gjërat u lanë në këtë mënyrë, nuk e di askush, por kjo heshtje lë të kuptohet se në këtë formë është fshehur e vërteta. Për të ndriçuar rrethanat e këtyre ngjarjeve të rënda, ka munguar edhe interesimi e gatishmëria e shoqërisë civile.
Megjithatë, më së shumti më kanë habitur dhe zhgënjyer gazetarët. Disa prej tyre i kam pasur edhe kolegë. Kur u kam kërkuar të merren sadopak me këto fatkeqësi, përgjigjja e tyre ka qenë: "Lëre, se janë vjetruar."
Por gazetarët e mirë dhe profesionistë merren edhe me ngjarje shumë më të hershme se këto. Për ne, familjarët e viktimave, këto tragjedi nuk vjetrohen kurrë, ato mbeten gjithmonë të freskëta dhe po aq të dhimbshme sa në ditën e parë.
Faleminderit, gazetarë, për mosinteresimin tuaj të pakuptimtë dhe të pajustifikueshëm!.