Ligësia 250 vjeçare e sëmurë e Perandorisë Osmane, Serbisë dhe Greqisë kundër shqiptarëve, tani ka marrë fund

Historia

Ligësia 250 vjeçare e sëmurë e Perandorisë Osmane, Serbisë dhe Greqisë kundër shqiptarëve, tani ka marrë fund

Nga: Spartak Ngjela Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 18:17
Spartak Ngjela

Ligësia 250 vjeçare e sëmurë e Perandorisë Osmane, Serbisë dhe Greqisë kundër gjuhës shqipe, shqiptarëve dhe Shqipërisë: tani ka marrë fund.

Krijimi i dy shteteve shqiptare në Gadishullin Ilirik, ka mbyllur gjithçka mizore kundër shqiptarëve.

Dhe koha domosdoshmërisht duhej të vinte këtu.

I.

Osmanët kanë rënë, kjo dihet, por kanë mbetur dy kundërshtarë pa asnjë vlerë: Serbia dhe Greqia që ende shpresojnë se historia e tyre shterp dhe e falsifikuar kundër shqiptarëve do të vijojë, edhe pse ndërkohë, shqiptarët po korrin fitore të mëdha në lidhje me historinë e tyre.

Historia e Shqipërisë, brenda së vërtetës historike, do të krijojë një vlerë të re për rivlerësimin e qytetërimit në rrafsh evropian.

Koha e vërtetoi me në fund gjykimin e mahnitshëm të Lebnicit për gjuhën shqipe: shkencëtari dhe matematicien i madh, i cili ishte i pari që në shekullin e XVII foli për lashtësinë dhe individualitetin e veçantë gjuhës shqipe.

Por në tridhjet vitet e fundit, shqipja ka përmbysur çdo hipotezë dhe çdo konkluzion apriori. Një nga apriorizmat e nivelit të ulët ka qenë qjykimi: për faktin se kemi në Shqipëri fjalë që i ka edhe latinishtja, dhe për faktin që Iliria ka qenë e pushtuar nga Roma, leksiku i ngjashëm i fjalëve shqipe me latinishten, tregon që këtë janë huazime nga latinishtja. (!)

Por, shkenca e gjuhësisë moderne po e rrëzon këtë konkluzion fals, dhe po vërteton të kundërtën: të gjitha këto fjalë të shqipes janë fjalë të ilirishtes që ka influencuar mbi gjuhën latine. Kjo erdhi, sepse po këto fjalë u gjetën realisht edhe te poemat e famshme të Homerit: Iliada dhe Odisea.

Karakteri homerik i gjuhës shqipe ka krijuar pështjellim të dukshëm në Greqinë aktuale, dhe po ju jep arvanitasve (shqiptarëve) një mbështetje të madhe shpirtërore.

II.

Kurse tronditjen themelore e dha studimi etimologjik i mitologjisë greke, e cila vërtetohet se është me prejardhje nga gjuha shqipe, deri dhe te Zeusi, që etimologët e mëdhenj po e nxjerrin nga fjala Zot. Term ose fjalë kjo që po kështu ka qenë edhe në ilirisht edhe në epirotshen e Piros dhe të Aleksandrit të Madh.

I pari që e hapi këtë hulli, ka qenë poeti i madh shqiptar Jeronim de Rada.

Tani gjithçka është e qartë shkencërisht. Por: Afër- dita është perëndesha e lashtësisë greke e quajtur Afroviti; kurse Athene (Athina) perëndesha e dijes - është e provuar etimologjikisht se vjen nga shqipja "e Thëna". Por ka dhe shumë të tjera si këto...

Do kemi rast t'i përmendim.

III.

Por, çdo shqiptar duhet të kujtohet dhe ta mësojë mirë të gjithë historinë që kundërshtarët dhe pushtuesit e territoreve shqiptare kanë bërë për të shkombtarizuar shqiptarët.

Të gjitha i bënë këta: pushtuan territoret, vranë e shpërngulën shqiptarë në mënyrë masive, por, një gjë nuk e bënë dot: nuk e shkulën dot nga zemra dhe mendja e shqiptarit gjuhën shqipe.

Në fakt, shqiptarët me këtë qëndresë jo vetëm që shpëtuan veten si etni, por po i japin dhe do t'i japin shoqërisë njerëzore të vërtetën historike të zhvillimit dhe sidomos të qytetërimit.

Ajo që po spikat sot është fakti që gjithçka e qytetërimit të lashtë në Gadishullin Ilirik, po shpjegohet dhe do të shpjegohet me gjuhën shqipe. Një gjuhë e veçantë dhe shprehëse e madhe për shpjegimin e greqishtes së vjetër, latinishtes dhe shumicës së gjuhëve moderne në Evropë. Nëse nuk do të zbërthehej fjala shqipe deri në këtë stad, asnjëherë nuk do të kuptohej etimologjia e gjuhëve moderne të Evropës.

" Roli mesianik i shqipes", e ka quajtur Petro Zheji, kryeveprën e tij, e botuar tani. Petro Zheji ishte shkencëtar dhe gjuhëtar i madh i Shqipërisë dhe të gjithë botës shqiptare, në Ballkan e kudo.

Kurse punë të rëndomtë kundër gjuhës shqipe kanë bërë profesorët e shitur shqiptarë, që e kanë trajtuar fjalën shqipe në një mënyrë diletante dhe me logjikën e falsifikatorëve të historisë së gjuhës shqipe. Turp.

IV.

Në të njëjtën kohë duhet të kujtohemi se historia Iliri-Arbëri-Shqipëri ka ecur midis dy formacioneve shoqërorë shqiptarësh: Epiri dhe Iliria. Dy formacione të famshëm historik, por që kanë qenë në konflikt princash dhe mbretërish që i kanë udhëhequr. Këto sot quhen dy zona shoqërore me riemërtimin: gegë e toskë.

Duhet të kujtohemi ndërkohë se vetëm kohët moderne u dhanë ilirëve dhe epirotëve një emër: Shqipëri dhe shqiptarë.

Dhe gjithçka erdhi nga gjuha. Dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe, Meshari i Gjon Buzukut, e përmend qartë kur thotë "gjuha shqipe", ose "shqip".

Kuptohet se shqipja ka ekzistur si emërtim i gjuhës sonë në shekuj e shekuj, dhe nga gjuha e përbashkët e ilirëve dhe epirotëve, e quajtur shqip, erdhi e solli në kohët e reja edhe emrin e përbashkët Shqipëri, ose Shkypni, ose Shqipni.

Por, kjo do të zgjidhet me çështjen se çfarë kuptimi ka fjala e vjetër shqipe për gjuhën tone, e cila ka qenë Skyp dhe që shqiptohet Skip..

Kjo do të dalë kur të studiohet me themel gjuha Ilirishte. Por jam i bindur se do të krijojë një vlerë te re të gjuhës shqipe.

V.

Gjithsesi lashtësia shqiptare tani ka dalë e vërtetuar shkencërisht që shqiptarët janë populli më i vjetër i Evropës. Dhe gjithçka është e vërtetuar nga gjuha shqipe.

Ka edhe më shumë se kaq në lidhje me forcën e gjuhës shqipe, sepse te Homeri, tek Iliada e tij, në greqishten homerike, janë gjetur më shumë se 800 fjalë të gjuhës shqipe. ( Aristidh Kola)

Në te vërtetën e kësaj kohe, gjuha shqipe dhe historia e Shqipërisë, e zbërthyer faktikisht, që nga Perandoria Romake e deri më sot, do t'i japë Shqipërisë historinë e vërtetë, dhe shqiptarëve vendin që kanë pasur në histori, si populli më i vjetër në Evropë dhe me një gjuhë që i ka dhënë historisë së përbotshme vlerë të veçantë në lidhje me kuptueshmërinë e brendshme të fjalës, e cila në kohën e dijes se përgjithshme universitare ka dhënë konceptet e mëdhenj të shkencës dhe filozofisë, domethënë, të mendimit njerëzor...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat