Dëshmor për Shqipëri etnike Mefail Xhemë Shehu (Mefaili madh)

Historia

Dëshmor për Shqipëri etnike Mefail Xhemë Shehu (Mefaili madh)

Nga: Bajram Çeliku - Bali Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 09:35
Mefail Xhemë Shehu

Mefail Xhemë Shehu (Mefaili Madh), lindi në fshatin Zajaz, “Mëhalla Teqe”, në vitin 1898, në një familje bujare dhe trime. Mefail Shehu ka pasur vetëm një djalë me emrin Halit, i cili për shkak të rrethanave të pasigurta për jetë në vendlindje, është shpërngulur në Stamboll të Turqisë, e nga aty, shkon të punojë në SHBA. Varrimi i tij bëhet në Stamboll të Turqisë. Mefail Shehu, vëlla ka pasur Abdulla Shehun, e ky i fundit për trashëgimtarë të tij ka lënë: hoxhë Aliun, Imetin, Azemin dhe Ajetin, por edhe katër vajza.

E tani të këthehemi pak te komandanti i forcave vullnetare nga “Balli Kombëtarë” Mefail Shehu, apo Mefaili i Madh, siç e pagëzoi populli. Burrë i mençur e trim azgan, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku, na ishte Mefaili i Madh. Trim, të cilin rrallë e lind nëna. Burrë i rrafshët, e i mençur në veprime. Dinte me mençuri të udhëheqë shqiptarët, duke ua treguar rrugën e vërtetë, rrugë që çonte në drejtim të bashkimit me Nënën Shqipëri për të jetuar nën ombrellën e Shqipërisë Etnike. Populli që ndiqte rrugën e tij, nuk kursente as jetën për të realizuar këte ëndërr të kahmotshme, ku edhe shqiptarët e Kërçovës, të bëheshin pjesë e pandarë e Nënës Shqipëri.

Në një miting (tubim), të organizuar në Sheshin e Qytetit, në afërsi të xhamisë madhe në Kërçovë, populli e zgjedh për Komandant të përgjithshëm të forcave vullnetare, të ,,Ballit kombëtarë” si dhe komandant lufte për Zajas Xhuma e Kollarë. E Mefailin e Vogël për Zajas Teqe, Greshnicë e Llapkidoll. Ndërsa, Begzat Vulin në anën e Rretheve nga Berikova e deri në Garanë, ku në ato fshatra kishte shumë trima, të cilët me shumë sukses udhëhiqnin luftën kundër forcave sllave.

Mefail Shehu (Mefaili Madh), mbajti edhe disa tubime si në Zabel të Zajazit dhe te “Gurra e Kaçakëve”, afër Tajmishtit. Trimi sypatrembur nga Zajazi, bashkëpunonte edhe me komandantë të tjerë, e sidomos me Xhemë Hasë Gostivarin, duke luftuar edhe në Dibër, Gostivar, Tetovë e Shkup. Vizioni i tij ishte bashkimi i trojeve shqiptare nën ombrellën e Nënës Shqipëri. Ai me sytë e tij kishte përjetuar ,,Masakrat,, e vitit 1913, nga hordhitë serbe, të udhëhequra nga Mikajl Brodi e kasapë tjerë, duke djegur për së gjalli, e masakruar në mënyrë mizore banorë të fshatrave e duke mbushur puse me koka burrash, gra e fëmijë. Nuk mundi të i harrojë ato skenare kurrë, për deri sa ishte gjallë, prandaj dha edhe amanetin e tij: ,,Në bëfshim vëllazërim me sllavët, na mallkon gjaku i pafajshëm që është derdhur, na mallkojnë nënat që nuk ua dijnë varret, na mallkojnë bunarët (puset), e mbushura me kokat e familjarëve tanë. Ai që ka guxim të theri një fëmijë, nuk ka besë...

Kjo u dëshmua edhe sot. Rruga jonë është Shqipëria Etnike, nuk ka rrugë tjetër... Trimi i Zajazit, kurrë nuk u besoi ideve komuniste, që shqiptarët të vëllazërohen me sllavin, nën një shtet të përbashkët të ashtuquajtur Jugosllavi e Titos. Shkau, thoshte ai: nuk ka besë. E, kurrë nuk bëhet vëlla, kjo u dëshmua edhe gjatë Mbretërisë - Serbo - Kroate - Sllovene, ku shkau na masakroi në mënyrë barbare. Rruga e vetme mbetet të bashkohemi me Nënën Shqipëri. Zhvilloi shumë beteja kundër sllavit, e gjithmonë me shokë doli fitimtarë. Populli atij gjithmonë i besonte. Shumë nga krerët shqiptarë si nga Kërçova, e poashtu nga Dibra dhe Shqipëria, u munduan që të kalonte në anën e tyre komuniste, por ai asnjëherë nuk u pajtua me ata, vazhdoi luftën kundër tyre, duke treguar vehten shumë herë në veprimet e tija njerzore, duke liruar shumë shqiptarë partizanë të zënë robër. Përpara se t’i lironte u thoshte: ,,Biro shkoni te nëna juaj, mos luftoni kundër nesh, kjo është toka jonë, ne mbrojmë tokat tona që na i lanë të parët tanë. Ne, nuk kemi tokë tjetër, këtu kemi lindur dhe këtu do të vdesim...

Viti 1944, rrëfente gjyshi nuk duhet të harrohet kurrë. Forca të mëdha serbe, malazeze e maqedonas vendës sulmuan Kërçovën me fshatra, nga të katër anët. Vriteshin burra, gra e fëmijë. Shqiptarët e Kërçovës të udhëhequra nga komandantët e tyre nga “Balli Kombëtarë”, burra, gra e vajza, me armë në dorë mbronin Trojet e tyre Etnike. Luftohej fshat për fshat, e shtëpi për shtëpi. Armiku ishte superior, rrëfente gjyshi si në ushtarë e poashtu edhe në armatim. Edhe pse shqiptarët luftonin me një heroizëm të pashoq, u detyruan të tërhiqen në drejtim të Gostivarit, për të shpëtuar kokën. Brigadat partizane shqiptare i thanë Ballit Kombëtarë në krye me dy Mefailat: ,,Dorëzohuni, se lufta ka mbaruar. Berlini ra, e ju nuk keni më shansa për të fituar luftën, ne komunistat shqiptarë do të marrim përgjegjësinë e popullatës.” Dy Mefailat, e pranuan këte gjendje, duke i dhënë fund luftës, e duke u ndarë në grupe me disa luftëtarë besnik të “Ballit Kombëtarë”, e duke u strehuar i Madhi te Ahishtat e Baqishtit, e i Vogëli në Zallë të vogël afër Kollarës.

E, tani të koncentrohemi pak te rënia e Mefail Shehut (Mefailit Madh). Mefail Shehu, pas disfatës që pësuan në nëntorin e vitit 1944, me afro tridhjetë luftëtarë besnik, strehoet te Ahishtat e Baqishtit, në afërsi të livadheve të xhamisë. Sipas të dhënave që kam marrë unë nga bashkëbiseduesit e mi, të afërt të Mefail Shehut nga Zajazi, por edhe nga të afërm të atyre që kanë qenë në atë grupë, dëgjova, se: vendi ku ka qëndruar grupi, gjatë natës ka qenë i rrethuar nga partizanë sllavë e shqiptarë. Dhe, herët në mëngjes sulmohen në befasi. Së pari dëgjohet urdhëri: ,,Predaj se” (Dorzohuni)! Mefaili i Ri (Mefail Braja), thuhet se ka bërë roje atë natë, por nuk e ka hetuar rrezikun, e kur dëgjon urdhërin për dorëzim vepron sipas urdhërit të dhënë, e pastaj jepet urdhëri që të dorëzohet edhe Mefail Shehu me shokë.

Mefail Shehu u thotë shokëve që të shpërthejnë rrethimin me armë në dorë, disa majtas e disa djajthtas, por plumbi i parë e kap Mefailin, duke e lënë të vdekur aty për aty në vend. Dëshmori i dytë, bie Daut Selim Braja, dhe i treti Nijazi Gjirokastra nga Shqipëria, një burrë besnik i Mefail Shehut. E, i katërti goditet Isen Selim Braja, i cili i plagosur vazhdon ikjen në drejtim të Drogomishtit të vogël dhe strehoet te Idris Rrushaj, ku jeton edhe gjashtë javë i plagosur, aty vdes dhe aty varroset. Sipas bashkëbiseduesit tim, këto që i përmenda vriten, ndërsa të tjerët shpëtojnë gjallë duke ikur në drejtim të Drenovës e pastaj nëpër Karaorman arrijnë në Mexhitli afër Manastirit e hyjnë në Greqi. E, nga aty shpërngulen në Stamboll të Turqisë. Sipas bashkëbiseduesit tim, brigadat shqiptare partizane që kishin bërë rrethimin, kanë pasur për qëllim të vrasin Mefailin, e të tjerët i kanë lëshuar të ikin, pa qëlluar në ato. Një ndër ato që shpëtuan gjallë ka qenë edhe Mefaili i Ri (Braja), i cili nga Turqija shkon në SHBA për të punuar, dhe gjatë kohës së demokracisë në Maqedoni shkon te vendi ku ra Mefail Shehu, ku ka pasur një gurë, e me lot në sy qanë trimin e rënë dëshmorë te ai gur, dhe thotë: vetëm ty të mbajë mend, vetëm ti ke mbetur këtu. Edhe ky trim varroset në Stamboll të Turqisë.

Në Greqi kanë ikur këto persona nga çeta e Mefail Shehut: Fazli Sefer Braja, Mazllam Selim Braja, Selim Adem Braja, Mefaili i Ri (Braja), Zenel Qerim Braja, e disa të tjerë nga Zajazi, gjithësejtë 13 vetë. Me ata kanë qenë edhe Shehi Rushani, me djalin e vet të cilin ia vrasin te Ahishtja e Tuhinit, e babai me thikën që ka pasur në brez, gropon varrin e djalit dhe e varros aty në atë vend. E, pastaj i bashkohet grupit që ka ikur në Greqi, e më vonë edhe ai ndërron jetë në Stamboll. Ky person për deri sa ka qenë gjallë e merr atje edhe familjen e tij nga Zajazi. Këtij grupi, që ka shkuar në Turqi më vonë i është bashkangjitur Ramazan Dumi. Sipas një bashkëbiseduesi nga Zajazi, grupi i cili është strehuar te Ahishta e Baqishtit, para se të eliminohet ka pritur një grup ballistësh nga Kosova, të cilët më vonë edhe ata e kalojnë kufirin grek, e më vonë edhe ato vendosen në Stamboll të Turqisë.

Shehu me shokë ra dëshmorë në nëntor të vitit 1945, e se ku u varros ai mbetet enigmë edhe sot e kësaj dite. E kanë varrosur sllavët. Ai dha jetë duke ëndërruar Shqipërinë Etnike, e vepra e tij atdhetare nuk do të harrohet kurrë te shqiptarët e Kërçovës. Lavdi, veprës së tij atdhetare...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat