Deputetja e VV-së hedh poshtë pretendimet për pazare politike në zgjedhjen e presidentes, flet për planet e Qeverisë Kurti II

Intervista

Deputetja e VV-së hedh poshtë pretendimet për pazare politike në zgjedhjen e presidentes, flet për planet e Qeverisë Kurti II

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 prill 2021 Në ora: 08:18
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Kanë kaluar dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje korri një fitore të madhe, me mbi 50 % të votave elektorale.

Tani vendi, ka disa ditë që ka zgjedhur qeverinë e re, në krye me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten e re, Vjosa Osmanin.

Si çdo herë, edhe këtë radhë kishte shumë pakënaqësi dhe kundërshtime të partive opozitare në lidhje me formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të vendit. Mirëpo, fuqia elektorale e Vetëvendosjes, bëri që çdo gjë të shkojë sipas planeve të saj, duke ia hedhur poshtë synimet, e partive opozitare.

Në lidhje me ngjarjet e fundit në vend dhe planet e Qeverisë Kurti II, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni .

Deputetja e VV-së ka thënë se konsitituimi i Kuvendit dhe formimi i institucioneve shtetërore është një hap që i ka hapur të gjitha rrugët për të çuar përpara projektet e Qeverisë Kurti II.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së Vjosa Osmani president, Kryeziu-Hyseni u shpreh e kënaqur që tani ka një president që punon pa inate politike dhe pa qasje të njëanshme.

Sa i përket zërave për pazare politike me deputetët e partive tjera për zgjedhjen e presidentes, deputetja e VV-së i cilësoi vetëm akuza të ulëta të atyre që janë mësuar të mbijetojnë mbi pazaret e shumta shumëvjeçare që i kanë bërë në vazhdimësi.

Në fund, ajo u shpreh e lumtur me numrin e grave deputete në Kuvendin e Kosovës, duke deklaruar se ky është një tregues i jashtëzakonshëm i besimit që qytetarët kanë krijuar te gratë deputete. Deputetja Kryeziu-Hyseni paralajmëroi një rritje të numrit të grave deputete, aq me tepër kur shohim se në krye të shumë ministrive e dikastereve relevante, kemi pikërisht gra të zonja, të guximshme e punëtore.

Image
Arbëreshë Kryeziu-Hyseni

 

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni konstituimin e Kuvendit dhe formimin e të gjitha institucioneve shtetërore?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Si konstituimi i Kuvendit, po ashtu edhe përmbyllja e ciklit të krijimit të institucioneve, tregon që tanimë janë krijuar të gjitha kushtet dhe janë hapur të gjitha rrugët për të çuar përpara projektet tona. Mos të harrojmë, që këto nuk janë vetëm projekte tona si organizatë, por janë projekte të bazuara në kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilat ne jemi zotuar se do t’i jetësojmë. Dhe këtë do ta bëjmë.

“Bota sot”: Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, a do të jetë më e lehtë qasja e qeverisë tuaj për bashkëpunim me presidencën, duke pasur parasysh se gjatë qeverisë së kaluar president ka qenë Hashim Thaçi?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Roli i presidentit duhet të jetë unifikues dhe me qasje të njëjtë e të barabartë me secilin. Ne nuk do të duhej të kishim një president, që punon me inate politike dhe ka qasje të njëanshme.

Fatmirësisht, kemi në krye të presidencës një grua si Vjosa Osmani Sadriu, e cila pos që është më e votuara dhe e përzgjedhura e popullit për këtë post, është edhe ajo që ka treguar në vazhdimësi konsistencë dhe ne besojmë se bashkëpunimi me të do të jetë i atillë siç duhet të jetë bashkëpunimi me presidenten e vendit.

“Bota sot”: Për zgjedhjen e Osmanit presidente, ka pasur zëra se janë bërë pazare politike me disa deputetët të partive tjera, sa është e vërtetë kjo gjë?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Sa i përket zërave për pazare politike, le të na nxjerrin fakte. Le t’i argumentojnë ato pazare. Përderisa nuk shohim pazare, atëherë këto mbesin vetëm akuza të ulëta të atyre që janë mësuar të mbijetojnë mbi pazaret e shumta shumëvjeçare qe i kanë bërë në vazhdimësi. Pra ndryshimet nuk vijnë me pazare. Qytetarët kanë kërkuar ndryshim, prandaj edhe na kanë nxjerrë me mbi 50% në zgjedhjet e 14 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë në pazare. Aq më pak do të jetë tani.

“Bota sot”: Si i komentoni qëndrimet e partive opozitare, PDK dhe AAK për zgjedhjen e presidentes?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Nuk do të doja t’i komentoja fare. Vet qëndrimet e tyre flasin. Ajo çfarë di të them është se po të shkonim në një palë zgjedhje të reja, disa prej këtyre partive do t’i rrezikohej seriozisht hyrja në Kuvend. Sepse qëndrimet e tilla de konstruktive, i kanë sjellë ato në gjendjen le të themi më të mjerueshme politike.

“Bota sot”: A jeni të befasuar me qëndrimin pro të LDK-së?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Qëndrimi i LDK për marrjen pjesë në votimin për presidenten, ka qenë një qëndrim që atyre i është dashur ta marrin.

“Bota sot”: Si e vlerësoni aderimin e Adelina Graincës në partinë tuaj?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Është e drejtë e secilit besoj. Nuk mendoj që do të duhej ne t’i komentonim vendimet e tjetrit në këtë drejtim.

“Bota sot”: A është Lëvizja Vetëvendosje e gatshme të mirëpres të gjithë deputetët e pakënaqur të partive tjera?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Kjo është tjetër çështje. Lëvizja është organizatë ku punohet shumë dhe kërkohet angazhim e përkushtim i madh. Nuk ka vend për pakënaqësi.

“Bota sot”: Për ju si deputete, cila do të jetë çështja kryesore që do ta ngritni në Kuvendin e Kosovës?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Unë jam tani në mandatin tim të dytë. Kemi bërë një punë të mirë në legjislaturën e kaluar, të cilën po e vazhdojmë edhe tani. Fokus i yni është produktiviteti brenda komisioneve parlamentare dhe vet Kuvendit. Nuk dua të them do ta bëj këtë apo atë, por sigurisht se zotohem që do të jem zëri i qytetarëve brenda këtij institucioni të rëndësishëm.

“Bota sot”: Në këto zgjedhje 44 deputete gra arritën të sigurojnë vota për ulëse në Kuvend, si e pritët këtë gjë? A mendoni se gratë mund të fuqizohen edhe më shumë fal prezencës së deputeteve gra në Kuvend?

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni: Po është e vërtetë. Legjislaturën e kaluar u bëmë grupi i parë parlamentar, gratë deputete të të cilit u futën brenda Kuvendit me garë të barabartë, pa pasur nevojë për zbatimin e kuotës. Këtë gati e dyfishuam këto zgjedhjet e fundit. Është një tregues i jashtëzakonshëm i besimit që qytetarët kanë krijuar në ne. Sigurisht se do të rritet, aq me tepër kur shohim se në krye të shumë ministrive e dikastereve relevante, kemi pikërisht gra të zonja, të guximshme e punëtore.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat