Në një intervistë për “Bota Sot”, Michael Doyle, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka sqaruar zhvillimet e pritshme pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të dënuar me 25, 18, 13 e 25 vjet burgim.
Ai ka shpjeguar procedurat që pasojnë shpalljen e vendimit, përfshirë afatet për paraqitjen e ankesave dhe hapat që duhet të ndërmarrin palët në këtë proces.
Doyle ka bërë të ditur se, pas kërkesës së Mbrojtjes, afati për paraqitjen e njoftimeve për ankesë është shtyrë deri më 27 nëntor. Deri më tani, sipas tij, nuk ka parashtresa publike që tregojnë se ndonjëra nga palët ka paraqitur njoftim për ankesë.
Ai ka sqaruar gjithashtu se aktgjykimi i plotë konfidencial u është dorëzuar palëve, ndërsa versioni publik, me redaktimet e nevojshme për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, është në përgatitje.
Sipas tij, pas paraqitjes së njoftimeve për ankesë, palët do të kenë afate të përcaktuara për dorëzimin e parashtresave, ndërsa Paneli i Apelit mund të vendosë edhe për mbajtjen e një seance dëgjimore.
Megjithatë, Doyle ka theksuar se është e vështirë të përcaktohet se sa do të zgjasë i gjithë procesi i apelit, pasi kjo varet nga rrethanat dhe ecuria e procedurave.
Intervista e plotë:
Bota Sot: Cili është statusi aktual procedural i këtij rasti pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë më 16 shtator 2026?
Michael Doyle: Aktgjykimi i shkallës së parë u shpall më 16 shtator 2026, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtorë për krime lufte. Procedurat lidhur me reparacionet janë duke vazhduar para Trupit Gjykues.
Sa u përket procedurave të ankesës, pas një kërkese të Mbrojtjes, Paneli i Apelit ua zgjati ekipeve të Mbrojtjes dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar afatin për paraqitjen e njoftimeve për ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë deri më 27 nëntor.
Sipas ligjit dhe rregullave, një person i dënuar mund të paraqesë ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë dhe dënimit, bazuar në pretendimin për gabim faktik ose juridik. Paneli i Apelit përbëhet nga një trup i ri gjyqtarësh, të cilët shqyrtojnë në mënyrë të pavarur çdo bazë të ankesës të paraqitur nga palët. Paneli i Apelit mund ta vërtetojë, ta rrëzojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e Trupit Gjykues.
Bota Sot: Kur pritet të publikohet versioni i redaktuar për publikun i aktgjykimit të plotë dhe cilat janë arsyet që kërkojnë kohë për përgatitjen dhe publikimin e tij?
Michael Doyle: Versioni i plotë konfidencial i aktgjykimit iu dorëzua palëve, përfshirë z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi, z. Krasniqi dhe ekipet e tyre përkatëse ligjore, më 16 shtator.
Versioni i redaktuar për publikun i aktgjykimit të plotë është duke u përgatitur me shpejtësi, duke u siguruar që sa më shumë informacion të jetë i qasshëm për publikun, ndërkohë që garantohet mbrojtja e dëshmitarëve dhe viktimave. Versioni i plotë i redaktuar për publikun do të publikohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gjatësia e aktgjykimit dhe hapat përkatës proceduralë mund të ndikojnë në kohën e publikimit. Pas shpalljes së aktgjykimit, Trupi Gjykues urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ekipet e Mbrojtjes dhe Mbrojtësin e Viktimave që, brenda afatit të përcaktuar nga Trupi Gjykues, të paraqesin komentet e tyre lidhur me redaktimet e mundshme. Mbi këtë bazë, Trupi Gjykues përgatit dhe publikon versionin e redaktuar për publikun.
Bota Sot: Paneli i Apelit e ka zgjatur deri më 27 nëntor 2026 afatin për paraqitjen e njoftimeve për ankesë nga Mbrojtja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. A ka paraqitur ndonjëra nga palët tashmë njoftimin për ankesë, apo pritet që kjo të ndodhë më afër përfundimit të afatit?
Michael Doyle: Deri më tani, nuk ka parashtresa publike që do të tregonin se është paraqitur ndonjë njoftim për ankesë.
Bota Sot: Pas paraqitjes së njoftimeve për ankesë, cilët janë hapat e ardhshëm proceduralë? A pritet të mbahet një seancë dëgjimore në Apel dhe a është përcaktuar ndonjë afat orientues për të?
Michael Doyle: Pas paraqitjes së njoftimit për ankesë, pala që paraqet ankesën ka 60 ditë kohë për të dorëzuar parashtresën e ankesës, në të cilën paraqiten të gjitha argumentet në mbështetje të saj. Më pas, pala kundërshtare ka 30 ditë kohë për të paraqitur përgjigjen, pas së cilës pala që ka paraqitur ankesën ka 15 ditë kohë për t'u përgjigjur. Në rastet kur ankesa ka të bëjë vetëm me dënimin, këto afate janë më të shkurtra.
Pas përfundimit të këtyre afateve, Paneli i Apelit mund të caktojë një datë për seancën dëgjimore në Apel, nëse kjo është e nevojshme. Mund të ketë gjithashtu parashtresa të tjera me shkrim nga palët, për shembull, kërkesa për pranimin e provave të reja.
Pas parashtresës së fundit nga palët, Paneli i Apelit fillon këshillimet dhe shpall aktgjykimin e tij brenda 60 ditësh, përveç rasteve kur rrethanat kërkojnë zgjatjen e këtij afati.
Bota Sot: Kur mund të pritet vendimi përfundimtar në këtë rast dhe a është e mundur të jepet një vlerësim i përafërt kohor për përfundimin e procedurave të Apelit?
Michael Doyle: Është e vështirë të vlerësohet kohëzgjatja e përgjithshme që mund të marrë një proces ankimor, pasi kjo do të varet nga veçoritë e rastit dhe nga koha kur paraqitet parashtresa e fundit nga palët. Po ashtu, Paneli i Apelit mund të ndryshojë disa afate kohore nëse këtë e kërkojnë palët.
Bota Sot: Derisa Paneli i Apelit të marrë vendimin e tij, cili është statusi juridik i aktgjykimit të shkallës së parë dhe i dënimeve të shqiptuara ndaj katër të akuzuarve?
Michael Doyle: Z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi janë shpallur fajtorë për krime lufte dhe janë dënuar në shkallën e parë. Secili prej tyre ka të drejtë të paraqesë ankesë kundër aktgjykimit dhe/ose dënimit.