Joe Hoxha, shqiptari që fitoi mandatin e tretë në Connecticut, për “Bota sot”: Diaspora duhet të kandidojë dhe të fitojë në Amerikë

Intervistë

Joe Hoxha, shqiptari që fitoi mandatin e tretë në Connecticut, për “Bota sot”: Diaspora duhet të kandidojë dhe të fitojë në Amerikë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 12 nëntor 2026 Në ora: 12:01
Politikani republikan me origjinë shqiptare, Joe Hoxha

Politikani republikan me origjinë shqiptare, Joe Hoxha, ka fituar mandatin e tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Connecticut-it, në zgjedhjet e mesmandatit të mbajtura javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hoxha arriti të sigurojë fitoren me një diferencë prej vetëm 164 votash ndaj rivalit të tij demokrat, Nate Brown.

I emigruar në SHBA në vitin 1996, Hoxha ka ndërtuar një karrierë në politikën amerikane, duke u bërë një nga shqiptarët që përfaqësojnë komunitetin në institucionet politike të këtij vendi.

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, Hoxha rrëfen rrugëtimin e tij nga emigrimi deri te angazhimi në politikë, flet për garën e ngushtë dhe sfidat e përfaqësimit shqiptar në institucionet amerikane, si dhe për rëndësinë e angazhimit më të madh të diasporës.

Ai ndan vlerësimet e tij për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa për të rinjtë shqiptarë ka një mesazh të drejtpërdrejtë: “Angazhohuni!”

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si ka qenë rrugëtimi juaj nga emigrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri te përfshirja në politikën amerikane?

Joe Hoxha: Kemi ardhur me lotari në vitin 1996 në Waterbury, Connecticut. Qëndruam me disa kushërinj që kishin ardhur nga Jugosllavia në vitet ’50. Gjithmonë më ka pëlqyer politika dhe historia e Amerikës. Vazhdova studimet për Shkenca Politike dhe Financa dhe punoj në bankë. Në vitin 2022 u lirua vendi në distriktin 78 (Plymouth dhe Bristol). Kandidova dhe fitova.

“Bota sot”: Çfarë lidhjeje keni me Kosovën dhe me prejardhjen tuaj shqiptare?

Joe Hoxha: Nuk kam qenë asnjëherë në Kosovë, por dua të vij. Si shqiptar nga Shqipëria, me origjinë nga Pogradeci, në qarkun e Korçës, them se shqiptarët e Kosovës janë shumë të shkathët. Keni Dua Lipën, Shaqirin, Xhakën…

“Bota sot”: Së fundmi, fituat mandatin e tretë në Connecticut. Çfarë përfaqëson kjo fitore për ju dhe cilat do të jenë prioritetet tuaja kryesore gjatë mandatit të ri?

Joe Hoxha: Prioritetet janë të ulim koston e jetesës në Connecticut dhe të krijojmë më shumë vende pune.

“Bota sot”: Gara ishte shumë e ngushtë. Cilët faktorë mendoni se ndikuan në rezultatin që ju mundësoi sigurimin e mandatit të tretë?

Joe Hoxha: Besoj se fitova sepse jam i sinqertë dhe bëra një fushatë shumë të mirë. Nuk lashë asnjë medium pa përdorur.

“Bota sot”: Si e vlerësoni përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet politike amerikane dhe çfarë duhet bërë për ta rritur më tej këtë përfaqësim?

Joe Hoxha: Shqiptarët gati nuk ekzistojnë fare në politikë, e sidomos në institucionet shtetërore dhe zgjedhore. Në gjithë historinë janë vetëm disa shqiptarë që kanë fituar dhe, çuditërisht, dy janë nga Kosova dhe dy nga Korça. Ata nga Kosova janë Vedat Gashi dhe Adrian Zika, ndërsa dy të tjerët janë Jim Sali dhe Connie Lukes.

Diaspora duhet të angazhohet më shumë. Më shtoni si mik në Facebook dhe do t’ju ndihmoj.

“Bota sot”: Çfarë roli mund dhe duhet të luajë diaspora shqiptare në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara?

Joe Hoxha: Kjo mund të bëhet edhe më e fortë nga diaspora, duke kandiduar dhe fituar në Amerikë.

“Bota sot”: Si i vlerësoni aktualisht marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së? A mendoni se ato po shfrytëzojnë potencialin e plotë të partneritetit strategjik?

Joe Hoxha: Besoj se marrëdhënia mes Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së është shumë e mirë.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë?

Joe Hoxha: Për të rinjtë, mesazhi im është: Angazhohuni!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat