Kanë kaluar 26 vjet nga mbrëmja e 23 nëntorit 2000, kur Xhemail Mustafa, këshilltar i presidentit Ibrahim Rugova dhe kolumnist i "Bota Sot", u vra në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Atë natë isha me presidentin Rugova në Cyrih dhe heshtja e tij për humbjen e këshilltarit dhe mikut të tij më ka mbetur edhe sot në vesh.
Këtë vit dua të shkruaj për një faqe gazete.
Është faqja 6 e "Bota Sot", e martë, 14 nëntor 2000, te rubrika "Analiza e së martës". Majtas lart është fotografia e Xhemës dhe emri i tij. Titulli: "Mallkimi i popullit nga 'të mallkuarit e popullit'". Ishte një nga shkrimet e tij të fundit. Nëntë ditë më vonë, Xhema nuk ishte më.
Kishin kaluar dy javë nga zgjedhjet e para lokale pas luftës. Disa drejtues partish nuk e pranonin humbjen dhe po e fajësonin popullin për mënyrën si kishte votuar. Xhema nuk heshti. Shkroi se askush nuk ka të drejtë ta akuzojë dhe ta etiketojë popullin pse ka votuar këtë apo atë parti. Përgjegjësia për humbjen, shkruante ai, kërkohet te lideri dhe te strukturat e partisë, jo te zgjedhësit.
Në mes të faqes është një fotografi nga një rrugë e Prishtinës: njerëz që kalojnë dhe mbi trotuar, të shkruara me shkumës, fjalët "Prishtinë ♥ ime, haram të qoftë gjaku im! Zgjedhjet 2000 – TURP". Nuk ishte zemërim spontan. Ishin parulla të skenuara, pjesë e po asaj fushate që e mallkonte popullin për votën e tij. Pikërisht kundër saj shkruante Xhema, duke kujtuar se vota e lirë duhet respektuar edhe kur nuk të pëlqen.
Në redaksinë e "Bota Sot" të asaj kohe, shumëkush ishte i bindur se Xhema e pagoi me jetë pikërisht këtë shkrim. Askush nuk është dënuar dhe e vërteta zyrtare ende mungon. Por nëntë ditë mes një analize të guximshme dhe një vrasjeje në hyrje të banesës janë pak për t'i quajtur rastësi.
Sot e rilexoj atë faqe të zverdhur dhe nuk më duket e vjetër. Debati për të drejtën e njeriut për të votuar lirisht, pa u fyer e pa u etiketuar, nuk ka mbaruar as sot. Xhema e pati atë guxim kur ishte më e rrezikshme ta kishe.
Sot e bija, Beriana, shkruan se drejtësia për të mbetet "borxhi ynë i pashlyer". Pas 26 vjetësh, ky borxh rëndon mbi institucionet dhe mbi të gjithë ne që e njohëm.
E vërteta nuk fshihet përgjithmonë.