Disa këshilla për mënjanimin e stresit dhe përmirësimin e disponimit

Life style

Disa këshilla për mënjanimin e stresit dhe përmirësimin e disponimit

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Për shumë njerëz, menaxhimi i punë dhe familjes mund të jetë stresues, në veçanti kur punojnë nga shtëpia. Studimet e fundit tregojnë se niveli i stresit është rritur jashtëzakonisht, për shkak të ndryshimeve dhe pasigurive që i ka sjell pandemia e koronavirusit.

Sidoqoftë, ekziston një mënyrë për ta shmangur këtë ankth psikik. Gjithçka varet nga kujdesi ndaj shëndetit tuaj mendor dhe mirëqenia fizike, pasi këto janë thelbësore për ta mposhtur stresin dhe për të qëndruar të qetë në një mjedis të pasigurt dhe kaotik.

Kuptojeni çfarë ju streson më shumë: Kaloni kohë për ta kuptuar arsyen pse po ndiheni të stresuar dhe të mbingarkuar. A jeni duke punuar përtej orarit? A keni shqetësime në familje? Nuk po keni mundësi të flini sa duhet? Cilado të jetë arsyeja, shënojeni atë në një fletë dhe përshkruajeni në detaje. Kështu e pranoni saktësisht problemin dhe mund të mendoni për një zgjidhje të përshtatshme.

Ekzistojnë disa rregulla që duhet patjetër t’i ndiqni për ta eliminuar stresin nga jeta juaj.

Ecja në natyrë, vrapimi apo ushtrimet fizike është vërtetuar se luajnë rol pozitiv në uljen e stresit dhe shëndetin e mirë mendor. Mos u brengosni, nuk keni nevojë të shkoni në palestër apo të bëni ushtrime të rënda fizike çdo ditë, për ta arritur rezultatin e nevojshëm. Mjafton të ecni për 30 minuta në mëngjes dhe në mbrëmje, për t’i forcuar muskujt dhe për të marrë ajër të pastër. Aktivitetin e nevojshëm fizik mund ta arrini edhe duke kryer punë të ndryshme përreth shtëpisë, duke i ngjitur shkallët me shpesh dhe duke bërë pauza të shkurtra ndërmjet punës për ta lëvizur trupin. Ushtrimet e përmirësojnë gjumin dhe përmirësojnë disponimin tuaj.

Kini kujdes me dietën tuaj. Është e vërtetë se konsumimi i ushqimit të shëndetshëm ndikon pozitivisht në mendjen e njeriut, dhe ju siguron shëndet të mirë mendor. Mjekët besojnë se dieta e balancuar e redukton dukshëm stresin, e forcon imunitetin dhe e ul presionin e gjakut. Dieta e mirë përbëhet nga karbohidratet komplekse, si fasulet, drithërat dhe perimet, proteinat të cilët i gjejmë tek kosi apo thjerrëzat, dhe yndyrat e shëndetshme të cilat ekzistojnë tek arroret, vezët dhe farat chia.

Provoni të relaksoheni sa më shumë. Duhet të filloni ta praktikoni meditimin e thjeshtë, për ta qetësuar mendjen dhe trupin. Mund të filloni duke medituar 2 minuta në ditë, gjatë së cilës kohë mund ta praktikoni frymëmarrjen e thellë. Këtë ushtrim të thjeshtë dhe të lehtë mund ta bëni çdo ditë pasi zgjoheni nga gjumi, apo para se të shtriheni për të fjetur. Meditimi gjithashtu luan rol në përmirësimin e gjumit, disponimit dhe nivelit të energjisë.

Gjumi po ashtu vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për mendjen, trupin dhe largimin e stresit ditorë. Prandaj është e rëndësishme që të flini mjaftueshëm. Për ta arritur këtë gjë, ju duhet të ushtroni, të ekspozoheni më shumë në diell, ta mënjanoni konsumimin e kafesë në mbrëmje dhe të qëndroni sa më larg pajisjeve elektronike. Gjumi I mirë dhe i mjaftueshëm luan rol tejet të rëndësishëm në shëndetin tuaj mendor.

Bisedoni me miqtë tuaj. Nuk është fshehtësi se njerëzit kanë nevojë për socializim, në mënyrë që ta ruajnë shëndetin. Biseda me miqtë e afërt është një prej mënyrave më të mira për ta larguar stresin, dhe për ta parandaluar mbingarkimin e mendjes. Humori, ndarja e historive dhe përjetimeve dhe të qeshurat me miq ose familje, do t’ju bëjnë më të aftë për ta luftuar stresin. Kjo gjithashtu ju bënë të ndiheni më të dashur dhe të lidhur me njerëzit, duke e përmbushur kështu nevojën njerëzore për t’u socializuar.

Tregohuni të dashur dhe të duruar me veten. Në një botë konkurruese, njerëzit ndihen të pasigurt dhe pa vetëbesim për aftësitë e tyre, sidomos kur e krahasojnë veten me ndonjë bashkëpunëtor ose mik të tyre. Dhe nëse këto mendime negative qarkullojnë në mendjen tuaj për një kohë të gjatë, atëherë niveli i stresit tuaj do të rritet. Për t’i luftuar mendimet negative ju duhet të fokusoheni më shumë tek cilësitë e mira që i posedoni, zëvendësojeni çdo mendim të keq me mendime të mira, dhe bëni krahasime vetëm me veten tuaj e jo me njerëzit e tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat