A duhet t’u flisni fëmijëve për divorcin?

Life style

A duhet t’u flisni fëmijëve për divorcin?

Më: 20 janar 2022 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Shumë prindër të fëmijëve në moshë parashkollore mendojnë se ata nuk kanë nevojë për sqarime, sepse nuk i kuptojnë situatat e vështira. Në fakt, studimet kanë treguar se fëmijët me të cilët nuk është folur për ndarjen janë shpesh të irrituar dhe shfaqin shenja ankthi. Por a ka një mënyrë sesi duhet të silleni me fëmijët kur jeni para një vendimi kaq të vështirë dhe të rëndësishëm njëkohësisht? 

Biseda e parë duhet të zhvillohet gjithmonë në prani të të dy prindërve. Kjo i bën fëmijët të kuptojnë se ky është një vendim i përbashkët. Po ashtu, tregon se edhe më pas janë të dy prindërit që do të kujdesen për ta. Grindjet midis prindërve në këtë bisedë nuk duhet të ekzistojnë.

Koha më e përshtatshme e bisedës është atëherë kur vendimi ka marrë formë përfundimtare. Fëmijëve duhet t’u bëhet e qartë se cilat janë ndryshimet konkrete në jetën e tyre të përditshme, për shembull me kë do të qëndrojnë fillimisht, kur do ta shohin prindin tjetër, sa shpesh do të telefonojnë me të, etj.

Nuk është e domosdoshme që fëmijëve t’u thuhet çdo detaj, por vetëm ato gjëra që kanë rëndësi për jetën e tyre. Përveç bisedës për ndryshimet e mundshme, fëmijët ndihen të lehtësuar kur mësojnë se disa gjëra nuk do të ndryshojnë, si për shembull vizitat te gjyshërit, te kushërinjtë e preferuar, te halla, te xhaxhai, tek tezja apo daja.

Premtimet e bëra duhet të jenë realiste, në mënyrë që fjala e dhënë të mbahet deri në fund. Kështu fëmijët fitojnë siguri dhe besim se dashuria dhe kujdesi i prindërve nuk ka për të ndryshuar asnjëherë.

Është shumë e rëndësishme që edhe në të ardhmen prindërit ta thërresin njëri-tjetrin si më parë. Për një nënë, në bisedat në prani të fëmijëve, “babi” mbetet “babi” dhe jo “ai”.

Asnjëherë nuk u duhet hapur zemra fëmijëve, pasi nuk duhet të marrin rolin e ngushëlluesit të prindërve dhe nëse vendosen pa dashur në një rol të tillë, ata do të “burgosin” në shpirt ndjenjat, nga ankthi se mos u krijojnë prindërve edhe më shumë brenga.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat