Samiti trepalësh i presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, i mbajtur më 19 nëntor 2026 në qytetin Shenzhen të Kinës, përfaqëson një ngjarje me rëndësi të veçantë në zhvillimet aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Takimi i parë i këtij formati ndërmjet udhëheqësve të tri fuqive të mëdha bërthamore nuk është vetëm një ngjarje protokollare apo diplomatike.
Ai është një tregues i ndryshimeve në raportet e fuqisë globale dhe i përpjekjeve për të ndikuar në konfigurimin e rendit ndërkombëtar.
Megjithatë, rëndësia e këtij takimi nuk duhet interpretuar as me entuziazëm të tepruar, as me alarm politik!
Deklarata e përbashkët e publikuar pas takimit përmban zotime për dialogun lidhur me rreziqet bërthamore, reformimin e Kombeve të Bashkuara dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Por ajo nuk prodhoi marrëveshje konkrete për çështjet më të ndërlikuara të sigurisë globale.
Në veçanti, nuk u shpall ndonjë marrëveshje e re për çarmatimin bërthamor dhe nuk pati zgjidhje për luftën në Ukrainë apo konfliktin në Iran.
Pikërisht këtu qëndron dilema kryesore: a kemi të bëjmë me fillimin e një mekanizmi të ri të bashkëpunimit ndërmjet fuqive të mëdha, apo me një demonstrim simbolik të fuqisë politike, përmes të cilit secili prej tre liderëve synon të forcojë pozitën e vet në skenën ndërkombëtare?
TRI FUQITË E MËDHA: SHBA-KINA-RUSIA DHE INTERESAT E TYRE GJEOPOLITIKE
Për ta kuptuar domethënien e samitit të Shenzhenit, duhet analizuar pozita dhe objektivat strategjike të secilit prej tre liderëve.
Donald Trump synon ta paraqesë diplomacinë e drejtpërdrejtë me kundërshtarët e Amerikës si dëshmi të aftësisë së tij për të arritur marrëveshje që administratat e mëparshme nuk kanë mundur t’i realizojnë. Përmes takimeve personale me Xi Jinpingun dhe Putinin, ai synon të krijojë hapësirë për marrëveshje mbi sigurinë bërthamore, konfliktet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ekonomike. Mirëpo, diplomacia e bazuar në marrëdhëniet personale ndërmjet liderëve ka edhe kufizimet e veta: ajo mund të prodhojë afrim simbolik, por nuk garanton ndryshim të qëndrueshëm të politikave shtetërore.
Xi Jinping është përfituesi kryesor simbolik i organizimit të këtij takimi. Kina dëshiron të dëshmojë se nuk është vetëm një fuqi ekonomike dhe teknologjike, por edhe një qendër e rëndësishme e vendimmarrjes politike globale. Përmes mikpritjes së dy liderëve të tjerë, Pekini synon të afirmojë rolin e vet si faktor i domosdoshëm në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare.
Zgjedhja e Shenzhenit ka gjithashtu domethënie ekonomike dhe simbolike. Ky qytet, i shndërruar nga një qendër e vogël në një metropol të teknologjisë, inovacionit dhe industrisë së avancuar, përfaqëson modelin e zhvillimit ekonomik kinez. Kështu, Kina nuk prezanton vetëm fuqinë e saj diplomatike, por edhe ambicien për të qenë në krye të transformimeve teknologjike të shekullit XXI.
Vladimir Putin, ndërkaq, ka ndoshta përfitimin më të madh politik nga fotografia e përbashkët me presidentët amerikan dhe kinez. Në kushtet e izolimit diplomatik perëndimor për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, prania e tij në një takim të këtij niveli i mundëson Moskës të paraqitet përsëri si fuqi e madhe me të cilën duhet negociuar.
Për Putinin, rëndësi të veçantë ka edhe fakti se takimi zhvillohet pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe pa përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Kjo i jep Moskës mundësi të promovojë idenë se çështjet e sigurisë evropiane mund të diskutohen drejtpërdrejt ndërmjet fuqive të mëdha!
Por duhet bërë një dallim thelbësor: të jesh pjesë e një fotografie diplomatike nuk do të thotë të kesh fituar legjitimitet për të vendosur mbi fatin e shteteve të tjera.
A PO KRIJOHET NJË JALTË E RE?
Krahasimi i samitit të Shenzhenit me Konferencën e Jaltës të vitit 1945 është një prej interpretimeve që ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar!
Në Jaltë, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe diskutuan arkitekturën politike dhe të sigurisë së Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Pasojat e atyre vendimeve ndikuan për dekada në ndarjen e kontinentit në dy blloqe ideologjike dhe politike.
Sot, situata ndërkombëtare është dukshëm më komplekse!
Nuk kemi më një sistem bipolar, por një rend ndërkombëtar me disa qendra të fuqisë, ku përveç SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, rol të rëndësishëm kanë Bashkimi Evropian, India, Japonia dhe fuqi të tjera rajonale.
Megjithatë, shqetësimi për një rikthim të politikës së sferave të ndikimit nuk është i pabazë!
Nëse fuqitë e mëdha fillojnë t’i trajtojnë interesat e tyre strategjike si të drejtë për të përcaktuar të ardhmen e vendeve më të vogla, atëherë parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe barazisë ndërmjet shteteve rrezikojnë të dobësohen.
Në këtë kuptim, samiti i Shenzhenit nuk është Jaltë e re, por mund të jetë shenjë e një tendence shqetësuese: përpjekjes për ta zëvendësuar diplomacinë shumëpalëshe me marrëveshje të kufizuara ndërmjet liderëve të fuqive të mëdha!
Deklarata e përbashkët e Shenzhenit përmban katër fusha kryesore: reformimin e OKB-së, bashkëpunimin në furnizimin me produkte të rafinuara të naftës, respektimin e imuniteteve shtetërore dhe dialogun për zvogëlimin e rreziqeve bërthamore.
Megjithatë, ajo nuk përcakton mekanizma konkretë për zgjidhjen e konflikteve më të rëndësishme ndërkombëtare.
Prandaj, sfida kryesore për demokracitë perëndimore nuk është kundërshtimi i dialogut ndërmjet fuqive të mëdha, por garantimi që ky dialog të mos zhvillohet në dëm të së drejtës ndërkombëtare dhe të shteteve që nuk kanë fuqi të barabartë negociuese.
PASOJAT E MUNDSHME PËR KOSOVËN
Për Kosovën, zhvillimet e Shenzhenit kanë rëndësi të veçantë, sepse shteti ynë vazhdon të jetë pjesë e një mjedisi të ndjeshëm gjeopolitik, ku ndërthuren interesat amerikane, evropiane, ruse dhe kineze.
Së pari, duhet theksuar se nuk ekziston ndonjë dëshmi se në Shenzhen është arritur marrëveshje për Kosovën apo për statusin e saj ndërkombëtar.
Nuk ka arsye të nxirret përfundimi se takimi trepalësh ka ndryshuar drejtpërdrejt pozitën juridike dhe ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, pasojat eventuale mund të shfaqen në mënyrë indirekte, përmes ndryshimit të prioriteteve të politikës së jashtme amerikane dhe të raporteve ndërmjet fuqive të mëdha.
Së pari, ekziston rreziku i dobësimit të vëmendjes amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor!
Nëse administrata Trump përqendrohet gjithnjë e më shumë në marrëveshjet strategjike me Kinën dhe Rusinë, atëherë çështjet e pazgjidhura të Ballkanit mund të humbin një pjesë të rëndësisë në agjendën e Uashingtonit.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht tërheqje amerikane nga rajoni, por mund të nënkuptojë një diplomaci më pragmatike, më transaksionale dhe më pak të përqendruar në promovimin e reformave demokratike.
Së dyti, mund të forcohet pozita diplomatike e Serbisë. Beogradi ka ndërtuar një politikë të jashtme të bazuar në marrëdhënie të shumëfishta me Uashingtonin, Brukselin, Moskën dhe Pekinin. Kjo politikë i mundëson Serbisë të shfrytëzojë konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha për të zgjeruar hapësirën e vet të manovrimit politik
Për diplomacinë e Beogradit, afrimi ndërmjet Trumpit dhe Putinit mund të krijojë një mundësi të re për të promovuar interesat serbe lidhur me Kosovën, veçanërisht nëse çështja e normalizimit të marrëdhënieve trajtohet kryesisht si problem i stabilitetit dhe jo si çështje e respektimit të marrëveshjeve dhe detyrimeve ndërkombëtare.
Por Serbia nuk duhet të mbivlerësojë mundësinë për të përfituar nga këto zhvillime. Interesat amerikane, ruse dhe kineze nuk janë identike, ndërsa Uashingtoni ka interesa strategjike të drejtpërdrejta në sigurinë e Kosovës dhe të Ballkanit.
Së treti, ekziston rreziku i instrumentalizimit të dialogut Kosovë–Serbi. Nëse diplomacia ndërkombëtare i jep përparësi marrëveshjeve të shpejta dhe stabilitetit afatshkurtër, mund të rritet presioni ndaj Kosovës për kompromise të reja politike, pa siguruar paraprakisht zbatimin e obligimeve që ka marrë Serbia.
Kosova duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme që procesi i normalizimit të mos shndërrohet në një mekanizëm të imponimit të zgjidhjeve që cenojnë funksionalitetin kushtetues, sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit.
Njëkohësisht, Kosova duhet të vazhdojë të kërkojë mbështetjen e SHBA-së, të NATO-s dhe të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, duke e kuptuar se partneriteti strategjik nuk mund të zëvendësohet me deklarata të përgjithshme të miqësisë politike.
Së katërti, dimensioni rus dhe kinez i çështjes së Kosovës mbetet i rëndësishëm. Rusia vazhdon ta përdorë Kosovën në argumentimin e saj diplomatik kundër Perëndimit, ndërsa Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mbështet parimin e integritetit territorial të Serbisë në interpretimin e saj të kësaj çështjeje.
Përmes pozitës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia ka mundësi të pengojë ose vështirësojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kina, ndërkaq, nuk ka treguar gatishmëri për ta ndryshuar qëndrimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në këto rrethana, Kosova duhet të ndjekë një politikë të jashtme aktive, duke e forcuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe duke mos lejuar që çështja e saj të shndërrohet në objekt të negociatave ndërmjet fuqive të mëdha.
BALLKANI PERËNDIMOR NË MES TË KONKURRENCËS GJEOPOLITIKE
Pasojat e samitit të Shenzhenit mund të ndihen edhe në tërë Ballkanin Perëndimor.
Serbia është vendi që ka zhvilluar marrëdhëniet më të afërta politike dhe strategjike me Rusinë dhe Kinën, duke ruajtur njëkohësisht perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.
Kjo politikë e balancimit i ka mundësuar Beogradit të përfitojë nga investimet kineze, bashkëpunimi energjetik dhe ushtarak me Rusinë, si dhe nga marrëdhëniet ekonomike me vendet perëndimore.
Nëse rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha vazhdon të intensifikohet, Serbia mund të përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë për të rritur ndikimin e saj rajonal.
Kjo mund të ndikojë në raportet me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi, veçanërisht në çështjet që lidhen me sigurinë, orientimin strategjik dhe stabilitetin politik.
Bosnjë-Hercegovina mbetet veçanërisht e ndjeshme për shkak të strukturës së saj komplekse shtetërore dhe ndikimit të politikës së Republikës Sërpska.
Çdo dobësim i koordinimit perëndimor mund të krijojë hapësirë për iniciativa separatiste dhe për ndërhyrje të aktorëve të jashtëm.
Edhe Mali i Zi përballet me sfida të vazhdueshme të sigurisë dhe ndikimit të jashtëm, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të forcojnë institucionet demokratike dhe orientimin euroatlantik!
Në këtë kontekst, Shqipëria ka një rol të rëndësishëm strategjik!
Si anëtare e NATO-s dhe vend i orientuar drejt integrimit evropian, ajo duhet të jetë një faktor aktiv në mbrojtjen e stabilitetit rajonal dhe në mbështetjen e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Një Ballkan i ndarë ndërmjet ndikimeve amerikane, evropiane, ruse dhe kineze do të ishte më i cenueshëm ndaj krizave politike dhe të sigurisë.
Përkundrazi, integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal dhe respektimi i parimeve demokratike janë garancitë më të qëndrueshme për paqen!
ÇFARË DUHET TË BËJË KOSOVA?
Në dritën e këtyre zhvillimeve, Kosova duhet të nxjerrë disa përfundime strategjike:
Së pari, duhet të ruajë dhe thellojë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar atë shtyllë themelore të sigurisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Së dyti, duhet të forcojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe shtetet e tjera demokratike, sepse siguria e Kosovës nuk mund të mbështetet vetëm në marrëdhëniet me një administratë apo një lider të caktuar.
Së treti, politika e jashtme duhet të jetë më profesionale, më aktive dhe më pak e varur nga retorika e brendshme partiake. Kosova ka nevojë për diplomaci të koordinuar, me objektiva të qarta dhe me strategji afatgjata.
Së katërti, duhet të investojë në kapacitetet e veta të mbrojtjes, sigurisë kibernetike, inteligjencës dhe qëndrueshmërisë ekonomike, në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët strategjikë.
Së pesti, duhet të jetë pjesë aktive e nismave rajonale dhe ndërkombëtare, duke promovuar një Ballkan të integruar në strukturat euroatlantike, pa kufij të ndryshuar me forcë dhe pa politika hegjemoniste.
Mbi të gjitha, institucionet e Kosovës duhet ta kuptojnë se në një botë ku fuqitë e mëdha negociojnë interesat e tyre, shtetet e vogla duhet të mbështeten në diplomaci të mençur, institucione funksionale, legjitimitet demokratik dhe aleanca të qëndrueshme.
PËRFUNDIM
Samiti i Shenzhenit është një ngjarje historike për nga formati dhe simbolika, por ende jo një kthesë e dëshmuar në marrëdhëniet ndërkombëtare!
Ai dëshmoi se edhe rivalët më të fuqishëm mund të ulen në të njëjtën tryezë, por nuk dëshmoi se janë të gatshëm të heqin dorë nga interesat e tyre strategjike.
Trumpi kërkon të dëshmojë se mund të negociojë me të gjithë, Xi Jinping synon ta afirmojë Kinën si qendër të vendimmarrjes globale, ndërsa Putini kërkon ta rikthejë Rusinë në pozitën e një fuqie të respektuar dhe të barabartë në negociatat ndërkombëtare.
Megjithatë, paqja nuk mund të ndërtohet vetëm mbi marrëveshjet e liderëve të fuqishëm, nëse ato nuk mbështeten në të drejtën ndërkombëtare, respektimin e sovranitetit dhe interesat legjitime të popujve dhe shteteve të tjera!
Për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, ky samit duhet të shërbejë si një paralajmërim strategjik, por edhe si një nxitje për të forcuar orientimin euroatlantik!
Historia e Evropës na mëson se paqja e qëndrueshme nuk arrihet duke i ndarë popujt dhe shtetet në sfera ndikimi, por duke ndërtuar institucione demokratike, siguri kolektive dhe marrëdhënie ndërkombëtare të bazuara në barazinë sovrane.
Kosova nuk duhet të presë se çfarë do të vendosin të tjerët për të ardhmen e saj!
Ajo duhet të jetë vetë protagoniste e së ardhmes së vet, përmes diplomacisë profesionale, aleancave strategjike dhe integrimit të pakthyeshëm euroatlantik.
Sepse, në rendin e ri botëror që po formësohet, mbijetesa dhe zhvillimi i shteteve të vogla nuk varen vetëm nga fuqia e aleatëve të tyre, por edhe nga aftësia e tyre për të ndërtuar institucione të forta, për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të fituar respektin e bashkësisë ndërkombëtare!
Preshevë, më 21 nëntor 2026