​Celulari dëmton muskujt dhe qafën

Life style

​Celulari dëmton muskujt dhe qafën

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 08:56
Foto ilustrim

Qëndrimi me orë të zgjatura në telefona apo kompjutera po shkakton emergjencë shëndetësore , ngrenë shqetësimin mjekët ortoped dhe fizioterapistët. Në botë bazuar në studime po njihet si sindroma e teknologjisë.

“Është text-neck syndrome, pra pozicioni i qafës në momentin që ne shkruajmë përpara tabletave apo smartphoneve. Pozicioni neutral I qafës është ky këtu që po rri tani, që kemi 5 apo 6 kg të peshuar në kokë… këndi tjetër është pothuajse 60 gradë i qëndrimit të qafës në këtë pozicion e ku llogaritet 17 kg forca, pak a shumë pesha e një fëmijë 8-9 vjec që e mbajmë në qafë për një orë të caktuar”– tha fizioterapisti Endrit Mone

Varësia ndaj mjeteve elektronike po var edhe shpatullat e përdoruesve të internetit. Jo vetëm grupmosha e 30-50 vjeçarëve, por fizioterapisti Endrit Mone tregon se janë shtuar rastet e të rinjve 18- 30 vjeç që shfaqin dhimbje të qafës, e që prek si rrjedhojë më tej edhe muskujt.

“Në momentin që ne rrimë të përkulur në këtë pozicion, supet shkojnë përpara edhe qafa dhe kemi e një kërrusje të pjesës së shpinës, e cila nëse vazhdohet e patrajtuar ajo do të shkaktojë një problem serioz të një deformimi të shtyllës kurrizore. Sa më tepër ne të rrimë përpara, trupi do të gjejë epiqendrën e tij duke pasur probleme jo vetëm te pjesa e shpinës por edhe në shkurtimin e gjymtyrëve të poshtme.”- tha fizioterapisti Endrit Mone

Por cilat janë simptomat që ngrenë alarmin se rrezikojmë deformim të shtyllës kurrizore?

“Ne kemi dhimbje të thella në zonën e muskujve, rëndesa prapa koke, errësirë sysh, humbje përqëndrimi, mpirje që na bën të bëjmë vizita të shumta si te kardiologu, orl pra ngatërrojmë simptomat… vetëm për shkak të keqqëndrimit. Edhe OBSH e ka kthyer problemin e dhimbjeve të qafës të renditet në vendin e katërt sepse prek mbi 70% të popullsisë, ndaj duhet patur parasysh dhe duhet rehabilituar në kohën e duhur”.tha fizioterapisti Endrit Mone

Përtej menaxhimit të kohës përpara telefonit, e rëndësishme është që të kryejmë aktivitet fizik të vazhdueshëm , këshillojnë mjekët, pasi ushtrimet sistematikisht do të na heqin dhimbjet dhe jo ilaçet qetësuese.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat