Nesër ‘super-hëna’ e parë nga tri të njëpasnjëshme

Lifestyle

Nesër ‘super-hëna’ e parë nga tri të njëpasnjëshme

Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 20:37
Fotoilustrim

Hëna e plotë e nëntorit, e njohur si "Hëna e Kastorëve" do të lindë në lindje në muzg të martën më 24 nëntor, duke shënuar të parën nga tri "super-hëna" të njëpasnjëshme.

Kjo do të jetë hëna e plotë e tretë dhe e fundit e vjeshtës në Hemisferën Veriore, si dhe e para në një seri hënash të plota jashtëzakonisht afër Tokës, ku përfshihet edhe "super-hëna" spektakolare e Krishtlindjes më 24 në dhjetor - hëna e plotë më e afërt që nga viti 2018 sipas astrofizikanit të ndjerë Fred Espenak.

Këto hëna të ndritshme janë vetëm disa nga ngjarjet e shumta që mund të vëzhgohen në qiellin e dimrit gjatë muajve të ardhshëm.

Momenti më i mirë për të parë "super-hënën" është gjatë lindjes së saj në mbrëmje, pasi ajo shfaqet në lindje pothuajse në të njëjtën kohë kur dielli perëndon në perëndim. Në atë çast, hëna do të duket kundrejt një qielli relativisht të ndritshëm të muzgut, gjë që e bën më të lehtë vlerësimin e madhësisë dhe ngjyrës së saj.

Orari i lindjes së Hënës ndryshon në varësi të vendndodhjes gjeografike, megjithatë, sipas "Sunnytracker" ajo do të fillojë të duket rreth orës 16:00, ndërsa spektakli i vërtetë do të mund të shijohet rreth perëndimit të diellit.

"Super-hëna" do të jetë plotësisht e dukshme me sy të lirë, nëse kushtet e motit e lejojnë. Dylbitë mund të ndihmojnë për të dalluar disa detaje të sipërfaqes hënore, ndërsa teleskopi mundëson një vëzhgim më të qartë. Ky fenomen do të përsëritet më 24 dhjetor dhe 22 janar 2027.

Hëna e Kastorëve ka marrë emrin nga periudha e vitit kur kastorët në Amerikën e Veriut ndërtojnë diga dhe përgatiten për dimër nën dritën e hënës së plotë.

Emërtime të tjera përfshijnë "Hëna e Ngricave" dhe "Hëna e Borës", ndërsa populli Anishinaabeg në Amerikën e Veriut e quan "Hëna e Ngrirjes" , sipas Qendrës për Studime të Vendasve Amerikanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat