Edhe çiftet që kanë vite së bashku mund të zbulojnë gjëra të reja për njëri-tjetrin. Rutina e përditshme, puna dhe përgjegjësitë familjare shpesh bëjnë që partnerët të flasin më shumë për obligimet sesa për dëshirat, ëndrrat dhe ndjenjat e tyre.
Psikologët e marrëdhënieve theksojnë rëndësinë e bisedave të hapura dhe interesimit të vazhdueshëm për botën emocionale të partnerit. Njohja e njëri-tjetrit nuk përfundon kur një çift krijon lidhje apo martohet, por vazhdon gjatë gjithë marrëdhënies, transmeton "Bota sot".
Ja pesë pyetje që mund të ndihmojnë partnerët të afrohen më shumë:
1. Çfarë të bën të ndihesh më i/e dashur?
Secili person e përjeton dashurinë në mënyra të ndryshme. Për dikë rëndësi kanë fjalët e bukura, për dikë koha e kaluar së bashku, ndërsa për të tjerët ndihma dhe kujdesi në përditshmëri.
2. Cila është një gjë që do të doje ta bënim më shpesh së bashku?
Kjo pyetje mund të zbulojë dëshira të vogla që kanë mbetur në hije për shkak të rutinës.
3. A ka diçka që të shqetëson, por që nuk ke ditur si të ma thuash?
Bisedat e sinqerta për shqetësimet mund të ndihmojnë në shmangien e keqkuptimeve dhe grumbullimit të pakënaqësive.
4. Cila është ëndrra jote më e madhe për të ardhmen tonë?
Të flasësh për planet dhe dëshirat e përbashkëta ndihmon partnerët të kuptojnë nëse po ecin në të njëjtin drejtim.
5. Cili është kujtimi ynë që të bën të buzëqeshësh sa herë e kujton?
Rikthimi te momentet e bukura mund t'i kujtojë çiftit arsyet pse janë afruar dhe çfarë vlerësojnë te njëri-tjetri.
Ndonjëherë, një bisedë e sinqertë gjatë një shëtitjeje apo në një mbrëmje të qetë mund të jetë më e vlefshme se një dhuratë e shtrenjtë. Rëndësi ka që partnerët të dëgjojnë njëri-tjetrin pa paragjykime dhe të tregojnë interes të vërtetë.