Deri kur do të ketë servilizëm në politikë?

Opinione

Deri kur do të ketë servilizëm në politikë?

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 1 gusht 2021 Në ora: 10:39
Qeveria e Kosovës

Edhe 21 vjet pas çlirimit, Kosova akoma s’ka arritur të përfundojë periudhën e tranzicionit, një periudhë e cila është dashur tanimë të përfundojë. Përfundimi i saj nënkupton që të kemi institucione më të forta, shoqëri më të emancipuar, mirëqenie më të mira, pra shtyllat e shteti të jenë më të forta. Kosova e tranzicionit ka krijuar ngjarje për të cilat askush nuk ndjehet krenar dhe të cilat ndajnë dukshëm shoqërinë, politikën dhe sjelljen e institucioneve shtetërore ndaj tyre. Një politikë që vret, që mbron vrasjen, që stimulon vrasjen, kërcënon me vrasje, e përdor vdekjen për vota, e keqpërdor dhimbjen për synime të rastit, nuk është më shumë sesa një politikë e mjeruar, mesjetare, e inkriminuar, antivlerë dhe amorale. Tema të tilla janë tabu dhe nuk debaton në media e politikë, kanë ngarkesë emocionale dhe turmat e militantëve janë gati të denigrojnë pa censurë këdo që i sjell në vëmendje. Por një shoqëri e hapur, civile, qytetare dhe evropiane, nëse pretendon se është apo do të bëhet e tillë, nuk ka pse të mbetet peng i vulgaritetit të turmës dhe tabuve të tranzicionit.

Ajo duhet të ketë kurajë të flas edhe atëherë kur askush nuk të dëgjon. Sepse fjala mbetet dhe ajo që mbetet sot në analizën e rasteve të tilla tragjike, është niveli i lartë i inkriminimit politik, aftësia e politikës për tu ofruar qytetarëve lot e dhimbje dhe pafuqia e saj për t’u ofruar atyre drejtësi e stabilitet. Një pafuqi që vjen jo për faje të të tjerëve, por për shkak të mungesës së vullnetit politik, pra nga ndryshimi i interesave politike dhe tragjikisht edhe nga nevoja për të mbajtur në këmbë një sistem viktimizimi që zëvendëson thirrjet dhe nevojën e madhe të shoqërisë për shtet, punë, drejtësi e integrim.

Politika e mbrapshtë nuk ka ndryshuar sjellje as mentalitet, ajo mbetet kërcënuese të përsërisë skena si në rastin e Deharit edhe në të ardhmen. Sepse shteti i së drejtës nuk ka ende aftësi e integritet të japë drejtësi në rastet kur politika është përgjegjëse dhe sepse pjesa që i sheh palët përgjegjëse politike ose morale, vijon të mbetet minorancë përballë shumicës militante të palëve politike.

Në Kosovë, taktika dritëshkurtër e përfitimit dhe përdorimit të gjakut të derdhur si kapital politik po zëvendëson të gjithë shkencën politike. Vetëm për militantët ka rëndësi se kush është brenda e kush jashtë mureve të pushtetit. Politika nuk ushtrohet duke transportuar militantë me autobusë për mitingje ose antimitingje thua se janë kolona ushtarake që nisen drejt frontit.

Janë tre faktorët kryesorë që së bashku, krijojnë kushtet në të cilat lëvizjet anti-qeveritare janë më të mundshme të lindin: krizë ekonomike, qeveri e dobët, dhe masa popullore të organizuara. Politika – qeveria dhe opozita – kanë vjedhur dhe shkatërruar vendin në nivele që akoma s’i kemi ndjerë.

Në tipologji të ndryshme qeverisjeje, dallojmë tre “fuqi” kryesore të qeverisjes jo-demokratike të cilat bëjnë të mundur qëndrimin e saj në pushtet: dhunë, ideologji dhe sistem patrimonial.

Boshllëku që është krijuar në Kosovë nga mungesa e alternativave politike në Shqipëri është i rrezikshëm. Diskutimet për politikat kombëtare të zhvillimit ekonomik, për strategjitë e përfshirjes ne strukturat politike, ekonomike dhe sociale të Evropës janë gjithnjë e më të rralla. Mediat, si qen roje të politikanëve, u lehin vetëm kundërshtarëve. Gjithë ky boshllëk është mbushur nga politikat e klaneve, e interesave ekonomike dhe nga skandalet. Drejtësia është kthyer në bodyguard të pushtetit.

Servilizmi është bërë mënyrë sjelljeje, është bërë mënyrë e të menduarit dhe është bërë mënyrë e të vepruarit. Me fjalë të tjera, servilizmi ka arritur që të ndërhyjë në ontologjinë karakterologjike të njeriut. Nëse nuk sillesh si servil, nëse nuk flet si servil, nëse nuk mendon si servil, do të konsiderohesh i papërshtatshëm. Tashmë mund të bëhet fjalë për mbizotërimin e servilizmit dhe sistemi i ndërtuar mbi servilizmin, modeli shoqëror që shpërfaq si dhe mendësia që është e dukshme, e shndërrojnë edhe shoqërinë në një shoqëri servile, të paaftë dhe të pavullnetshme për të kundërshtuar këtë sistem, këtë model dhe këtë mendësi. Dhe ky është ambienti moral në të cilin gjendet shoqëria shqiptare pavarësisht në cilën pjesë gjendet. Pse është kështu? Është kështu, sepse përmbysja e një rendi shoqëror që, po ashtu, servilizmin e kishte ngritur në sistem, në model dhe në mendësi, e zhveshi shoqërinë shqiptare nga çdo mekanizëm mbrojtës, përkatësisht e vuri më fuqishëm përballë sfidave ekzistenciale, psikologjike dhe morale.

Një parti mund të fitojë pushtetin jo në bazë të programit dhe të besueshmërisë se mund ta realizojë atë program, por në bazë të gatishmërisë për t’u bërë servile e grupeve formale dhe joformale të interesit. Një parti politike mund të fitojë pushtetin edhe nëse realisht nuk i ka fituar ato me votë zgjedhore, por në bazë të gatishmërisë për t’u servilosur ndaj grupeve të caktuara të interesit, qofshin këto edhe agjentura të ndryshme. Mund të jesh i zhytur deri në majë të kokës në krim, në korrupsion dhe në kundërshti me ligjin, dhe jo vetëm që nuk ndiqesh penalisht, por përkundrazi mund të gjesh strehë dhe mbrojtje në politikë, vetëm nëse vihesh në shërbim të agjenturave të ndryshme dhe nëse pranon të jesh servil ndaj tyre dhe ndaj grupeve të tjera të interesit.

Në anën tjetër mund të mos kesh lidhje me krimin, mund të mos kesh pranuar me asnjë çmim të korruptohesh, ose edhe mund të jesh tërësisht në përputhje me ligjin dhe të mos mund të kesh gjasa të jesh në politikë, së paku jo në atë pozitë që të udhëheqësh proceset e ndryshme. Qeveria e re duhet të jep shembull për rekrutimin e të diturve, jo servilëve në vendet kyçe, nga ku burojnë edhe të gjitha vendimet që lidhen direkt me jetën e qytetarit të vendit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat