28 Nëntori - Dita e Flamurit dhe e përgjegjësisë sonë kombëtare

Opinione

28 Nëntori - Dita e Flamurit dhe e përgjegjësisë sonë kombëtare

Nga: Lirim Gashi Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 20:27
Lirim Gashi

Nuk jam ndër ata njerëz që i ndajnë ditët në të zakonshme dhe në të shenjta, sikur një datë në kalendar ta kishte fuqinë për të na bërë më të mirë se ç'jemi në të vërtetë.

Dinjiteti nuk festohet një herë në vit, as dashuria për atdheun nuk matet me numrin e flamujve që valëvitim.

Ato dëshmohen me mënyrën se si jetojmë, si punojmë dhe si sillemi me njëri-tjetrin.

Megjithatë, 28 Nëntori është një përjashtim.

Është dita kur ia kujtojmë vetvetes dhe njëri-tjetrit se liria dhe dinjiteti ynë kombëtar nuk na janë falur, por i kemi fituar me sakrifica të jashtëzakonshme.

Është një ditë për të qenë krenarë për historinë tonë, por edhe për të reflektuar mbi përgjegjësinë që ajo na ka lënë.

Sepse, le ta pranojmë, historia jonë shpesh është shumë më madhështore sesa sjellja jonë e sotme.

Kemi ambicie të mëdha, por jo gjithmonë vullnetin për t'i bërë realitet.

Të gjithë duam t'i arrijmë majat, por rrallëkush prej nesh është i gatshëm të ngjitët nëpër shkallët e suksesit me meritë.

Kërkojmë sukses pa disiplinë, respekt pa karakter, autoritet pa aftësi dhe lavdi pa mund. Me pak fjalë, i duam frytet e madhështisë pa qenë të gatshëm ta paguajmë çmimin që ato e kërkojnë.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur na kujtohet se jemi një popull që prej shekujsh i ka kënduar pa pushuar nderit, besës, burrërisë dhe moralit.

Me lahutë, me sharki, me çifteli e me fyll, i kemi ngritur këto virtyte në piedestalin më të lartë, duke i bërë pjesë të identitetit tonë kombëtar. Por, me sa duket, kemi qenë shumë më të zotë për t'i kënduar sesa për t'i jetuar, zbatuar dhe mishëruar ato virtyte.

Një ditë, fëmijët tanë mund të na pyesin:

Ku dreqin përfunduan gjithë ato alamet cilësi madhështore për të cilat këndonit me aq shumë krenari?

Mos vallë i ruajtët aq mirë në këngë, saqë harruat t'i jetonit?

Besa nuk është varg kënge, por fjalë e dhënë që duhet mbajtur. Nderi nuk është temë legjendash, por mënyrë jetese. Trimëria nuk është vetëm kujtim i betejave të dikurshme, por edhe guximi për ta pranuar gabimin dhe për ta mbrojtur të drejtën.

Madhështia nuk trashëgohet si mbiemri; ajo dëshmohet me karakter, me punë dhe me përgjegjësi.

Të jesh shqiptar nuk do të thotë se je i përjashtuar nga detyrimi për t'u bërë njeri më i mirë. Përkundrazi, sa më e çmuar të jetë trashëgimia jonë, aq më i madh është detyrimi ynë për të qenë të denjë për të.

Prandaj, këtë 28 Nëntor, të dashur bashkëkombës, nuk ju uroj vetëm shëndet, lumturi e begati.

Ju uroj diçka shumë më të vlefshme: të bëheni njerëz për të cilët kombi ynë të mos ketë kurrë arsye të turpërohet apo të kërkojë falje.

Mos e ngatërroni patriotizmin me zhurmën, krenarinë me mendjemadhësinë dhe suksesin me keqpërdorimin e çdo mjeti për ta arritur atë. Mos e keqpërdorni historinë si justifikim për dobësitë e së sotmes.

Flamuri nuk ka nevojë vetëm për duart tona të ngritura në ditë festash; ai ka nevojë edhe për ndërgjegjen tonë të zgjuar gjatë gjithë vitit.

Le t'u lëmë brezave që vijnë jo vetëm monumente, këngë e fjalime solemne, por edhe një shoqëri ku fjala e dhënë mbahet, ku puna vlerësohet, ku drejtësia respektohet dhe ku dinjiteti është rregull, e jo përjashtim.

Le të bëhemi, më në fund, si shqiptarët për të cilët këndojnë këngët tona, e jo si njerëz që i kanë kthyer virtytet e tyre në kujtime nostalgjike.

GËZUAR 28 NËNTORIN – DITËN E FLAMURIT!

Qoftë kjo ditë jo vetëm një kujtim i asaj që kemi qenë, por edhe një zotim për atë që duhet të bëhemi.

Më shumë karakter, më pak mburrje. Më shumë vepra, më pak fjalë. Më shumë dinjitet, më pak pretendime.

RROFTË SHQIPËRIA! RROFTË KOSOVA! RROFTË DINJITETI I SHQIPTARËVE KUDO QË JETOJNË!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat