Lamtumirë Prof. Dr. Rexhep Boja!

Opinione

Lamtumirë Prof. Dr. Rexhep Boja!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 14 shtator 2021 Në ora: 22:27
Rexhep Boja!

I dashuri dhe i paharruari Prof. Dr. Rexhep Boja, ish myfti i Kosovës dhe ambasador i shquar i saj në Arabinë Saudite,

Lajmi i sotëm për vdekjen tënde më ka prekur thellë në shpirt, ngase nuk e prisja ikjen tënde kaq të shpejt nga kjo botë e trazuar e plotë krajata, të cilat ne shqiptarëve të Kosovës, sikur nuk po duan të na ndahen, thua se kemi përjetuar pak vuajtje, luftëra, masakra, vrasje, krime dhe eksodeve që nuk na u ndanë për më shumë se dy shekuj !

I dashur Rexhep Boja, çfarëdo që të them dhe shkruaj për jetën, punën, angazhimin dhe biografinë tuaj familjare, personale, fetare dhe atdhetare, do jetë vetëm një copëz e vogël nga gama e madhe e veprimtarisë tuaj të begatshme, qoftë si nxënës në Medresnë “Alauddin” në Prishtinë, qoftë si student në Rijad të Arabisë Saudite, qoftë së myfti i Kosovës, qoftë si pedagogë dhe ligjërues në Fakultetin e mësimeve islame në Prishtinë.

Sepse puna dhe angazhimi yt personal për të mirën e kombit, fesë islame dhe Kosovës së robëruar, ishin për disa dekada të pandalshme, madje veprimtaria jote i përngjante valëve të oqeanit, në pamje i qetë, por nga brenda me valë të fuqishme, të cilat çdo ditë i rrehnin brigjet e tokave shqiptare, duke ujitur me ujë të kthjelltë si loti çdo bimë dhe qenie të gjallë, gjegjësisht duke shpërndarë dituri, kulturë, edukatë, mësime dhe besim në Një Zot, tek te gjithë nxënësit, studentët dhe njerëzit që i mësove, që i takove dhe që i këshillove, se si njeriu në këtë botë duhet ta donë atdheun, nënën dhe babanë, se si duhet punuar për fe e atdhe pa u ndalur kurrë, pa marrë parasysh pengesat!

I tillë ishe gjatë gjithë jetës tënde, i dashur Rexhep dhe ambasador i fjalës së ëmbël, mendimit të lirë dhe besimit në Krijuesin e kësaj bote, ishe njeri shumë i dashur, i urtë, i sjellshëm, i qetë në ballafaqime me kohën dhe ngjarjet, por i pathyeshëm në qëndrime dhe vendime kur vinte në pyetje fati i popullit shqiptar në Kosovë, si gjatë kohës së pakohë nën sistemin sllavo-komunist ish jugosllav, ashtu edhe gjatë dhe pas mbarimit të luftës sonë çlirimtare!

Ti ishe, po dyshim, dhe do mbetesh ndër figurat më e ndritshme intelektuale dhe diplomatike të Kosovës, Fesë islame tek shqiptarët, ngase ishe njeriu i vlerave të larta kombëtare, fetare dhe njerëzore, një burrë dhe intelektual i madh i popullit shqiptar, që kurrë nuk shkaktove përçarje, ndarje dhe sektarizma brenda fesë e as popullit. Përkundrazi, kudo që punove dhe veprove solle dhe mbolle dashuri, bashkim, unifikim, solidarizim, afri, devotshmëri dhe siguri kudo që punove dhe jetove. Mbase, nuk ishte e rastit që derisa ishe myfti i BIK-ut për tri mandate, posaçërisht në vitet e okupimit të rënd të Kosovës (1989/99) si dhe pas çlirimit të saj, të krahasonin me presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugovën, për qetësinë dhe urtësinë që e kishit gati të njëjtë, pra qëndrime paqësore dhe vizionare, me të cilat veprime të mençura ia dolët që ta rrëzoni për toke një hegjemoni dhe një regjim kriminal siç ishte ai i Serbisë nën udhëheqjen e kasapit të Ballkanit, S. Millosheviçit.

Ju madje, dhe nën udhëheqjen tuaj të myftiut të Kosovës, bëtë përcjelljen në amshim me një dinjitet të lartë të presidentit Ibrahim Rugova, në ditën e varrimit të tij me 21 janar 2006, duke respektuar shtetin, traditat dhe Flamurin tonë kombëtar.

I dashur Rexhep Boja, të kërkoj falje tani shpirtërisht, që nuk munda ta përbush kërkesën tënde miqësore, kur me 25 korrik të këtij viti më shkrove; “Si jeni me shëndet, nuk jemi pa e as dëgjuar që sa kohë, nëse vini në Prishtinë, lajmërohu të pijmë nga një kafe bashkë. Të fala”, dhe, çfarë dhimbje po ndjej sonte që nuk munda te të takoja, e që nuk do të takohemi më si dikur në Pejë e gjetiu!

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës martire, heroike dhe hallemadhe, për të cilën ti punove me shpirt, më zëmër dhe mendje vetëm që ta shohësh të lirë, të pavarur dhe shtet sovran e demokratik!

Lamtumirë i dashur ambasador, Rexhep Boja, miku im i paharruar për jetë dhe mote 

Miku juaj, Rexhep ELEZAJ

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat