Me Albinin po vjen era shtet...!

Opinione

Me Albinin po vjen era shtet...!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 21 shtator 2021 Në ora: 21:02
Njësia Speciale, 20 shtator 2021

Me tu gdhirë mëngjesi i së hënës, filloi të zbatohet reciprociteti i vendosur nga qeveria Kurti lidhur me targat. Një gjë e tillë ishte paralajmëruar nga Albin Kurti qysh me marrjen e postit të kryeministrit në mars të këtij viti, diçka që kishte hasur në vesh të shurdhër nga pala serb, e cila nuk bëri asgjë që kjo gjë mos të ndodhte.

Targat, të cilat qytetarët e Kosovës duhet t’i ndërrojnë në kufi me Serbinë, ndonëse duken diçka “të thjeshta”, shpërfaqin mungesën e vullnetit të Serbisë për të zbatuar marrëveshjet, arrogancën e saj, urrejtjen ndaj çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën. Kështu që edhe Kosova është e detyruar të veprojë karshi veprimeve të Serbisë, e cila nuk ka shfaqur asnjë shenjë sado të vogël për respektim të marrëveshjeve.

Ky veprim i duhur nga qeveria fatkeqësisht në vend se të përshëndetet dhe ndihmohet nga opozita, ajo vetëm sa po pengohet, me përjashtim të z.Haradinaj që tregoi nivel të lartë të burrërisë që përshëndeti veprimin e qeverisë. Kur është fjala për veprime ndaj Serbisë të gjithë duhet të jemi bashkë, të një fjale dhe në një front të përbashkët. Vetëm kështu arrijmë të ruajmë sovranitetin, të bashkuar jemi më të fortë.

Edhe nëse s’do të ishte fare veprim i mirë ky që ka ndërmarrë qeveria, opozita s’duhet të reagonte me kaq shpërfillje. Është kjo opozitë që dikur pa të drejtë i kërkonte Albinit ta bashkonte Mitrovicën, tani kritikon atë për një vendim të drejtë, që është dashur të bëhet qysh moti. Edhe nëse do të tërhiqet nga ky veprim Kurti, në variantin më te keq, presioni ndaj Serbisë nga BE dhe SHBA do të jetë i madh për mos zbatim të marrëveshjeve, edhe në rastin më të keq Albini dhe Kosova janë të fituar.

Ka shumë dallim nga veprimi që kishte bërë Thaçi kur dërgoi forcat speciale në veri, e të cilat ishin një spektakël që përfundoi me vrasjen e policit Enver Zymberi. Aksioni nga Kurti duket i menduar mirë, pa viktima, me qetësinë e forcës së ligjit, duke dëshmuar pjekuri të lartë shtetërore. Nga kjo gjë edhe është tmerruar Vuçiqi që ka mbledhur shtabin emergjent në Beograd. Serbia nuk njeh tjetër përveç vendosmërisë së forcës së ligjit, kjo gjë tashmë është dëshmuar moti kohë. Me dhjetëra e qindra herë është provuar paralajmërimet e Kosovës të dëgjohen, s’ka pasur sukses.

Nga e gjithë ky aksion, edhe bota nuk e kritikoi, të gjithë janë të një mendje, se Kosova ka të drejtë të vendos rend dhe ligj në çdo pjesë të territorit të saj, vetëm Serbia dhe PDK nuk u gëzuan. Fatkeqësisht, PDK por edhe LDK nuk arrijnë të bëhen bashkë kur bëhet fjalë për Serbinë. Të gjithë duhet të jemi në një front kur bëhet fjalë për Serbinë, lufta politike e brendshme s’duhet të verbojë sytë për të shfaqur urrejtje, duke kaluar edhe në anën ë e armikut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat