Kosova përkundet nga varfëria dhe fle mbi minerale

Opinione

Kosova përkundet nga varfëria dhe fle mbi minerale

Nga: Agim Vuniqi Më: 15 tetor 2021 Në ora: 11:35
Agim Vuniqi

“History was not much inclined to Kosova; for centuries it was ruled by invaders who left their traces in material, cultural, social and spirtitual life of this area. Centuries long slavery under the Turks, and the oppressing system of the old and new Yougoslavia had the consequences that after the war Kosova was at the level of Middle ages development…”.

Historia nuk ka qenë mirëdashëse për Kosovën, me shekuj kanë sunduar zaptuesit që kanë lënë gjurmët e veta në jetën materiale, kulturore, sociale dhe shpirtërore të kësaj treve. Skllavërimi shekullor nga ana e turqëve, si dhe sistemi shtypës i Jugosllavisë së vjetër e të re, por edhe kolonizimi i Serbisë, si dhe lufta për dekolonizim, kanë ndikuar që Kosova pas luftës të gjendet në shkallën më e ulët të zhvillimit ekonomik në rajon.

Industria, përveç asaj ekstrakteve, gjegjësisht të minierës Trepça dhe të dy termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, e para e përbërë prej 5 blloqeve Kosova A1 deri në A5, të ndërtuar viteve të 70-ta, me teknologji të vjetruar dhe dy blloqeve Kosova B1 dhe B2, me kapacitet projektuese gjenerimi 2X330 MW, e ndërtuar viteve të 80-ta, duke paraparë mundësitë projektuese për Kosova C, pasi që projekti ideor ishte kryer dhe finalizuar në fund të viteve të 70-ta, dhe në fillim të viteve të 80-ta deri në 1500 MW, ka mbetur i parealizuar, ka krijuar probleme të reja, edhe për shkak të ndotjes së tashme ekstreme të ambientit, dhe të pamundësisë së ndaljes së lirimit të hirit, ka lënë të hapura mundësitë për ndërtimin e kapaciteteve të reja edhe nga burimet alternative, jo vetëm të thëngjillit. Industria ka pësuar goditje të njëpasnjëshme nga keqmenaxhimi i ekonomisë dhe devijimi i procesit të privatizimit, duke i shkaktuar Kosovës dëme të mëdha jo vetëm në procesin këndellës zhvillimor, por edhe në pamundësinë e krijimit të kuadrove me përgatitje adekuate profesionale dhe industriale, efektet e së cilës veç kanë filluar të ndihen me zhvendosjen e projekteve investive zhvillimore dhe instalimin e kapitalit të jashtëm në vendet tjera të rajonit. Popullsia vendore dhe vendi ka stagnuar në zhvillim, dhe përveç kantiereve të ndërtimit të lartë dhe të autoudhës e cila ka përbirë shumicën e mjeteve buxhetore me një çmim të lart punësimi rreth 0.5 milionë euro për një të punësuar.

Popullsia e përballur me një sistem të çakorduar mësimor, publik dhe privat, i cili është në shpërputhje të plotë me nevojat e ekonomisë, dhe në pamundësi të trajnimit, ka shndërruar ata në të papunë pa profesione, me kushte jashtëzakonisht të dobëta materiale për jetë. Nataliteti në rënie dhe, mortaliteti i lartë i fëmijëve të vegjël, gati pa kurrëfarë mbrojtje shëndetësore, ka për të krijuar në t’ardhmen probleme të reja, edhe demografike. Problemi me prioritete urgjente është ndërprerja e prapambetunisë ekonomike dhe hapja e rrugëve të reja për një ardhmëri më të mirë.

Zhvillimi në saje të begative natyrore

 Në përgjithësi është e njohur në teorinë ekonomike se faktorët kryesor të zhvillimit janë resurset njerëzore, resurset natyrore, gjegjësisht burimet e lëndëve të para dhe të energjisë dhe mjetet e punës. Mirëpo kushtet natyrore dhe begatitë natyrore janë supozim themelor për zhvillimin e çfarëdo prodhimi shoqëror. Në të vërtetë, e tëra ajo çka është zhvilluar me shekuj në Kosovë, është bërë duke iu falenderuar begative të saj natyrore. Begatitë natyrore, e veçmas lëndët e para minerore të Kosovës janë komponentë shumë e rëndësishme në të cilën bazohet zhvillimi i Kosovës. vetëm rezervat e mineralit të plumbit dhe zingut paraqitnin më se 52% të rezervave të balansuara të ish-Jugosllavisë. Kosova është e pasur edhe me metale dhe jometale si pak regjione në botë, në një sipërfaqe kaq të vogël prej gjithsejtë 10.902 km2.

Duke iu falenderuar kërkimeve gjeologjike permanente (të cilat janë akoma të pakta) sot dihet se në Kosovë ka rezerva të konsiderueshme të manganit, niklit, magnezitit, boksitit, kadmiumit, kromit, haloizitit, salonitit, bentonitit, azbestit, të mergelit të çimentos, të gurit gëlqeror, të kuarcit dhe shumë të tjera. Në kushtet kur në botë ekzistojnë kriza gjithnjë e më të shprehura të energjisë dhe të lëndëve të para, thëngjilli kosovar i cili paraqitëte më se 51 % të rezervave ish-jugosllave të lignitit, paraqet përparësi shumë të rëndësishme komparative në bazë të kushteve mjaft të volitshme gjeomontane që posedojnë vendstrehimet e thëngjillit kosovar. Mundësitë e tij të shndërrimit në termoenergji, mundësitë e kimizimit, të gazifikimit e deri te fitimi i benzinës artificilae dhe i produkteve tjera, paraqesin mundësi të pashtershme për zhvillimin e shpejtuar të Kosovës. Me kaq nuk përfundon lista e lëndëve të para minerale me të cilat disponon Kosova, sepse me kërkimet e deritashme, janë hulumtuar pak sipërfaqe në Kosovë. në të ardhmen kërkimet do të tregojnë se çfarë është numri i lëndëve të para dhe me çfarë sasish janë këto rezerva…

Me krahasimin e të dhënave lehtë mund të konkludohet se bartës i zhvillimit në vitet e pasluftës e edhe sot duhet të jetë industria. Në te janë të përfaqësuara të gjitha degët. Mirëpo, kontributin më të madh në zhvillimin e deritanishëm të Kosovës e ka dhënë industria metalpërpunuese, industria kimike, industria elektrike, industria e tekstilit në të cilin ishin më tepër se 12 % të kapaciteteve të tjerrtoreve të ish-Jugosllavisë, industria e drurit me mundësi të shumta të zhvillimit në bazë të lëndëve të para vetjake, industria ushqimore e cila ka vend të veçantë në strategjinë e zhvillimit të veprimtarive të caktuara, industria e gomës, industria e letrës dhe industria grafike, të cilat janë dispersuar pas luftës, me qëllim të reformave ekonomike, dhe të krijimit të bazës së re të joshjes së investitorëve të huaj.

Thëngjilli dhe gazi teknk…

Duke iu falenderuar rezervave të mëdha të linjitit, në Kosovë janë ndërtuar kapacitetet termoenergjetike me fuqi prej 790 MW+660 MW ndërsa sipas vlerësimeve të tashme në Kosovë do të mund të ndërtohen burime energjetike me fuqi të instaluar prej 1100 MW (550MW+550MW). Kjo do të jetë kontribut i rëndësishëm në pikëpamje të zgjidhjes së problemeve të burimeve energjetike nga lëndët e para të vendit .

Thëngjilli dhe gazi teknik në kushtet e tashme të krizës energjetike fitojnë valorizim të posaçëm, si lëndë të para të vendit të cilat do t’i substituojnë derivatet e importuara të naftës. Eksploatimi i linjitit kosovar bëhet me mihje sipërfaqësore, ku mundëson përdorimin e teknikës më bashkëkohore për nxjerrje dhe transport. raporti në mes të dheut dhe thëngjillit me proporcion mesatar 1:1 gjithashtu jep mundësi të eksploatimit ekonomik dhe racional dhe të transportit bashkëkohor deri te konsumuesit.

Me siguri zhvillimi i ngadalshëm, i këtillë, është rezultat i mungesës së investimeve në objektet ekonomike të Kosovës. Vjetët e fundit është dashur të rriten investimet në ekonomi për më tepër se 12 herë, gjegjësisht të rriten sipas normës mesatare vjetore prej 13 %, jo ato në ndërtimtari. Vetëm në industri investimet është dashur të rriten për më se 22 herë. Kur jemi duke bërë fjalë për zhvillimin ekonomik të Kosovës nuk mund t’i shmangemi pyetjes sa është kontributi i dhënë dhe sa u dha në zhvillimin e institucioneve arsimore dhe shkencore në Kosovë në pikëpamje të sigurimit të kuadrove të nevojshme profesionale dhe shkencore, pa të cilin nuk kontribut nuk mund të jepen vlerësime të larta. Të përkujtojmë vetëm një segment të lidhur me këtë, i cili është më i freskët.

Duke u nisur nga pasuritë natyrore dhe potencialet e krijuara prodhuese dhe, potencialet tjera të krijuara me punë, me përpjekje të vet njerëzve punues të Kosovës dhe me përkrahjen dhe solidaritetin e të punësuarve, si dhe me zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit politik dhe ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve të partneritetit me BE-në, do të krijohen mundësitë reale edhe për zhvillimin e proceseve demokratike në vend në bazë të Kushtetutës, të ligjeve ekonomike dhe të ligjeve tjera sistemore.

Zhvillimi më i shpejtë dhe më stabil, do të duhej të bazohet në industrializimin e mëtutjeshëm në bazë të zhvillimit vetjak, duke përfshirë kapitalin privat vendor edhe atë në diasporën e fuqishme, por edhe të zhvillimit të përpunimit në faza më të larta të lëndëve të para të vendit me një prani më të madhe të investitorëve serioz të jashtëm, të cilët në bazë të interesave të përbashkëta do ta nxisin edhe më tepër realizimin e programeve prodhuese dhe të programeve tjera në Kosovë, pra kjo mundësi e kombinuar e investimeve të përbashkëta, do të ishte mundësi reale e zhvillimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat