Mustafa sikurse Berisha, po mendon ta rimerr LDK

Opinione

Mustafa sikurse Berisha, po mendon ta rimerr LDK

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 24 tetor 2021 Në ora: 11:11
Isa Mustafa

Populli i vuajtur shqiptar, miq, dashamirë dhe përkrahës të ë ish presidentit Rugova!

Dëshmitarë ju kam të gjithëve juve, se ç’më ndodhi. Mua ma rrëmbyen postin e kryetarit të LDK, sikur mos të ekzistoja fare.

Nuk ishte se unë nuk dëshiroja që t´i prija edhe më tutje LDK, por forcat e errëta dhe lirisht mund të them armiqësore, irridentiste dhe separatiste, me sulmet e tyre më të ndyra në personalitetin tim dhe të bashkëpunëtorëve të mi, na detyruan që të kapitullonim.

Unë ndiqja rrugën besnike të ish presidentit historik Rugova. Çdo kush e din se isha njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij dhe isha ministri i parë i tre përqindëshit, të ish presidentit Rugova.

Duke i pasur këto kualitete, të cilat mi njihte ish presidenti Rugova, unë isha për sa vite edhe në krye të Prishtinës të cilën e përparova, zhvillova dhe i dhashë pamjen e sotme, të një qyteti modern evropian.

Kur e kërkonte nevoja dhe atdheu, unë i pranoja edhe postet më të larta shtetërore, kuptohet duke qenë edhe kryeministër i vendit.

Unë së bashku me Thaçin, i koordinonim edhe i zhvillonim bisedimet në Bruksel me Serbinë.

Në realitet Thaçi vendoste, kurse unë vetëm i miratoja vendimet e tij dhe kur kërkonte ta vëja firmën, e bëja me krenari. E them me plot gojën, se unë me Thaçin kishim harmoni të plotë.

Nuk është se ne dy vendosnim për gjithçka, sepse koordinoheshim me Ramën, Pacollin dhe Baton Haxhiun etj.

Sot kur po e shoh se ku ka rënë LDK partia e ish presidentit Rugova, që ishte një lum, më dhemb shpirti. Të ju them të vërtetën, mbetem me net të tëra pa gjumë.

E pranoi, jam fajtori kryesorë që e dorëzova postin e LDK. Si nuk e kuptova që për hirë të Rugovës, nuk duhej të bëja këtë. Unë isha dhe jam ende vital, Koronavirusin e përballova duke qëndruar stoik, sikur të mos ishte asgjë.

Më trullosën, kur të gjithë mu vërsulën me sulme sistematike. Edhe unë aq sa munda qëndrova dhe u përgjigja me kundërsulme sidomos ndaj Vjosa Osmanit, po ajo u bashkua me Donikën, e cila më urrente më shumë se serbët.

Unë që nga fillimi të gjithëve ua bëra me dije se Vjosa dhe Donika nuk e duan LDK, nuk e duan Rugovën dhe nuk e duan Kosovën.

Atyre të dyjave u interesonin vetëm postet, kurse Kurti si i pabesë dhe siç po e quan miku im Haradinaj rrenc, vetëm për të përfituar prej tyre, ua premtoi postet që sot i kanë.

Tash kur të gjitha po i anlizoj, plasa nga inati. Po vjell vrer nëpër kopsht, po çka kisha të bëja kur njerëzve të mi, nuk mund t´ua mbushja mendjen.

Kur i humbën zgjedhjet, të gjithë e drejtuan gishtin nga unë, thua se unë ua solla diellin mbi kokë, apo u kisha bërë magji.

Më zhveshën nga posti, ma morën partinë dhe më hodhën si leckë.

Tash kur po e shoh Berishën i cili po e përgatit rikthimin, mi ka ngjallur shpresat edhe mua.

Unë jam ai i cili plotësisht, me gjithë zemër e përkrahu. Berisha është shkolluar në sistemin enverist, kurse unë në atë titist. Koha ishte e tillë, ne s’kishim tjetër zgjidhje, prandaj Kemi shumë gjëra të përbashkëta.

Edhe ai e ka vërejtur që ka gabuar në dorëzimin timonit të partisë, po të njëjtin gabim e kam bërë edhe unë.

Ne që jemi shkolluar në sisteme përafërsisht të njejta shumë gjëra i kishim të përbashkëta, prandaj nuk duhet të pajtohemi me humbjen deri në vdekje.

Kot thonë që ne tashmë jemi të konsumuar dhe s’kemi se çka ofrojmë. Thënë të vërtetën, sugjerimet e tilla më mbushin plot mllef.

Ne me askënd s’duhet të bëjmë kompromis kur është në pyetje posti. Ky është ligj të cilin na ka mësuar nëna parti.

Që nga nesër po ju premtoi edhe unë do t´i mbushi sallat dhe foltorja do të jetë e imja derisa ta kthej postin që ta shpëtoi LDK, partinë e Rugovës.

Jam i sigurt se populli do jetë krah për krah me mua, sidomos të pandarë do t´i kem Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin.

Mbetem me shpresë se do të më ndiqni pas, i juaji Isa Mustafa.

*Shkrimi i botuar në Mars - Rover - shkrimi në formë satire

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat