Uzurpatorët shkatërrues

Opinione

Uzurpatorët shkatërrues

Nga: Dren Dushi Më: 26 tetor 2021 Në ora: 15:34
Rexhep Luci

Prishtina, një qytet që gjason me qytet vetëm në pak lagje si Ulpiana, Dardania, Bregu i Diellit e sheshi “Nëna Terezë”, të gjitha këto, zona të shtrenjta, me aktivitet tepër të lartë komercial e banues, të dëshiruara nga të gjithë. Dhe të gjitha këto, të ndërtuara me plan urbanistik dhe arkitektë të profesional. 

Por, Prishtina do ballafaqohej me uzurpatorët shkatërrues, politikanë të thirrur në luftë e në shtet-ndërtim që donin tashmë plaçkën e luftës e shtet-ndërtimit, pasurinë e urbanizmit të Prishtinës. Do e donin e urrenin edhe shumë të tjerë, që donin të jetonin në Prishtinë me çdo kusht, edhe nëse qyteti do shkatërrohej nga bandat dhe mafia e ndërtimeve. 

Rexhep Luci, i harruar e pa njohur mbase nga brezi që këto kohëra voton për zgjedhje lokale në Prishtinë, do dilte si një hero i urbanizmit dhe do ngriste zërin e tij kundërshtues të shkatërrimit të Prishtinës nga mafia e ndërtimeve (të lidhur me politikën) që donin të uzurponin e ndërtonin pa asnjë kriter. Si i tillë, arkitekti e urbanisti Luci u bë pengesë për zhvillimet që Prishtinën e bënë një qytet me ajrin nga më të ndoturit në botë, me komunikacion nerva-shkatërrues, dhe pamje trishtuese nga ndërtimet e shëmtuara pa parkingje, tretoarë, parqe, ndriqim, kjo pengesë duhej hequr, Luci duhej vrarë. 

Shtator, viti 2000, gjashtë plumba duheshin për tu siguruar që arkitekti që se deshi kaosin në Prishtinë të mos frymonte më, rruga për shkatërrimin e Prishtinës, pasurimin e bandave të ndërtimit, drejtorëve të komunës së Prishtinës, gjykatësve e prokurorëve të shtetit të kapur, kryetarëve të komunave e biznesmenëve financues partish bandite e lëpirëse, u bë e sigurt pa pengesën që shkaktoi Rexhep Luci. 

Prishtina u bë punishte e ndërtesave të larta në të njejtën infrastrukturë të ujërave të zeza, të rrugëve, të hapsirave, energjisë elektrike, që kishin shtëpitë një apo dy katëshe. Si rrjedhojë, në Prishtinë vërshuan shumë banorë për të jetuar në këto ndërtesa pa asnjë kriter urbanistik, duke e shkaktuar një paralizë totale në komunikacion rrugorë, shkolla, madje edhe qerdhe. Mjafton një shi rebesh dhjetë minutash dhe të gjithë qytetarët që janë këmbësorë do kthehen në shtëpitë e tyre të larë në ujëra të zeza. Por nuk ishin të gjithë të humbur. 

Banditë të thirrur në luftë, e ca dhelprakë frikacakë që thirreshin në Presidentin Rugova, ca drejtorë neo-komunistë dhe mafia e ndërtimit, brenda pak muajsh, u panë tek sorrollateshin në Prishtinë me vetura qindra mijëra eurosh, u pasuruan në shifra millionëshe shumë politikanë, prokurorë e gjykatës, madje edhe të ashtuquajtur gazetarë e analistë. U bënë me banesa fëmijët e tyre, madje edhe dashnoret, nipat e mbesat. 

Akademiku i partisë, Kryetar Komune, Profesor e çka mos tjetër, Isa Mustafa, u gjend shumë komod kur erdhi në krye të kësaj gjendje në Komunën e Prishtinës. Duke mashtruar elektoratin urban me “SHIK-a”, e duke ngjallur një shpresë të rreme për luftimin e uzurpokracisë që përfaqësonte PDK, ai do merrte edhe frontin e opozitës në Kosovë, dhe do e mbante peng për shumë vite, duke i shkaktuar Kosovës një stagnim të madh në zhvillimet e saj politike e sociale. Aq komod ndihej Akademiku në pashallëkun e Prishtinës, saqë bëri një marrëveshtje me “SHIK-un” që e akuzonte, marrëveshtja ishte e thjeshtë, PDK mbante Qeverinë  e herë e ndante me LDK-në, LDK mbante më shumë komuna e sidomos Prishtinën, ku akterë biznesi të PDK-së kishin qasje në ndërtime, leje, biznese të ndryshme etj. 

Lufta politike për Prishtinën 2021 

100 milionë euro të administruara nga Komuna e Prishtinës për një vit këto kohë, duke ju faleminderuar ish Kryeministrit Ramush Haradinaj që kaloi ligjin për Prishtinën (të mirat duhen pranuar të gjithëve) , meqë Akademiku, kur kishte humbur Prishtinën e në marrëveshtje me PDK-në ishte bërë Kryeministër, e kishte bllokuar si ndëshkim ndaj qytetarëve të Prishtinës që nuk e kishin votuar për një tjetër mandat. 

400 milionë për një mandat, që do të thotë se Prishtina është një pushtet i madh i cili mund të krahasohet me një pjesë të konsiderueshme edhe të ekzekutivit, por nuk mbaron me kaq. Në gjendjen korruptive të Kosovës, ku tenderët jepen për të shtruar asfalte që prishen pas 3 jave, ku lejet për ndërtime pallatesh dhjetëra katesh jepen pasi ndërtuesit të jepin apartamente luksoze për kriminelët që mundësojnë kaosin (skema: drejtorë, ndërtues, prokurorë, gjykatës, inspektorë) del që në Prishtinë, ka një mundësi të artë për ata që kishin nisur kaosin me vrasjen e Rexhep Lucit. 

Si pushtet i madh, Prishtina është bërë ekstrem e lakmueshme për këto grupe, dhe një fushatë mediatike e financuar nga po këto grupe, ka nisur punë të vrazhdë propaganduese që tandemet e vjetra mafioze, të kamoflluara me kandidatë “manikenë” nën petkun e urbanistëve, të mashtrojnë një pjesë të elektoratit, ta blejnë një pjesë tjetër, dhe të kthejnë gjendjen e vjetër. 

Kontribut për këtë rrezik që i ka trokitur në dyer qytetarëve të Prishtinës, pa dyshim që dha edhe pandemia, masat për parandalimin e së cilës u panë shpesh si pengesë e depresion prurëse. Por nën emocionet depresive të bllokadave, orëve policore, elektorati i fjetur e defetist mund t’i shkaktoj vetës një dëm të madh për katër vitet e ardhshme, e të harroj fare disa muaj defetizëm të pandemisë Covid 19. 

Rexhep Lucin nuk mund ta ngjallim sot, por nga historia e tij mund të mësojmë shumë, dhe të mos harrojmë asesi atë ç’farë i është bërë Prishtinës. Klientela dhe militantët e mjerë kanë përherë avantazhin e tyre kur në zgjedhje lokale pjesëmarrja është më e vogël, sa më e vogël pjesëmarrja e përgjithshme qytetare në zgjedhje, më e madhe është fuqia e militantëve. Prishtina nuk ka luksin që të vazhdoj kaosin e dy dekadave, aq më pak të mashtrohet me të deleguar që janë vetëm fasada të një të kaluare të zymtë që qeverisjes me Prishtinën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat