Më pëlqeu reflektimi autokritik i Albin Kurtit

Opinione

Më pëlqeu reflektimi autokritik i Albin Kurtit

Lirim Gashi Nga Lirim Gashi Më 17 nëntor 2021 Në ora: 18:22
Albin Kurti

Më pëlqeu reflektimi autokritik i Albinit Kurtit, i cili ishte në harmoni të plotë me kritikat e mia mirëdashëse ndaj mangësive të Partisë së tij, të cilën unë metaforikisht e kam pagëzuar si "Balon të Heliumit", sepse nga jashtë duket gjigante pasi që është shumë e fryrë, mirëpo në brendi është e zbrazur nga përmbajtja cilësore si shishja e pijanecit nga alkooli.

Përveç kësaj përmban material eksploziv, sepse nën të njëjtin kulm i strehon njërzit me një spektër të palogjikshëm dhe papërputhshëm të pikëpamjeve, botkuptimeve dhe ideologjive, që fillojnë në njërin dhe përfundojnë në tjetrin ekstrem.

Metafora tjetër të cilën e kam përdorur kohë të gjatë në përshkrimet e mia ishte "treni me shumë vagona dhe pak lokomotiva".

Sepse sa më i madh që është numri i vagonave të mbushur me llum, aq më e madhe është nevoja për lavatriçe dhe lokomotiva, prandaj pastrimi dhe transportimi i llumit në deponi kushton kohë të çmuar, e cila do të duhej dedikuar pastrimit të institucioneve shtetërore dhe publike nga llumi kriminal, udbash dhe ekstremist fetar.

Pra natyrisht fjalën e kam jo vetëm për problemet kadrovike, strukturore, organizative dhe metodike të Vetëvendosjes, por edhe për mungesën e profilit të qartë socialdemokratik.

Çuditërisht reflektimi asnjë herë s'po ndodh me kohë por megjithatë po ndodh.

Ndërsa fakti që unë jam analisti i vetëm që i ka zbërthyer, analizuar dhe shoshitur problemet e brendshme të çdo subjekti politik kosovar pa asnjë gabim të vetëm në diagnozë dhe prognozë dhe pa një platformë të denjë mediatike që i përshtatet formatit të analizës sime, është dëshmi se në këtë vend nuk mund ta thuash të vërtetën pa e paguar një çmim të lartë.

Megjithatë ia vlen kur e vërteta pranohet nga politikani numër një në Kosovë, që njëkohësisht është akoma pothuajse bartësi i vetëm shpresës për një ardhmëri më të mirë të këtij populli dhe shteti, gjë që është dëshmi se sa i hollë është akulli mbi të cilin po lozim patinazh artistik si individë, shoqëri dhe shtet.

Dorën në zemër e kuptoj edhe nevojën e udhëheqësve të Vetëvendosjes për ta fryrë partinë dhe shndërruar në Balon të Heliumit, sepse nevoja për ndryshim ishte aq akute, saqë nuk e kishin luksozin për të bërë politikë profesionale kadrovike, strukturore, organizative, metodike dhe ideologjike.

Pse po e them këtë?

Sepse kundërshtarët e tyre politik ia vështirësuan aq shumë jetën popullit dhe ia lëkunden aq shumë themelet shtetit, saqë çdo anëtar i ri i Vetëvendosjes me vetë faktin se ishte një votë e sigurt për këtë subjekt politik, e arsyetonte anëtarësimin e tij.

Sepse kundërshtarët e Vetëvendosjes ishin njëkohësisht edhe armiqtë më të mëdhenjë të këtij populli dhe shteti.

Dhe këtë nuk po e them unë nga nevoja për t'i prangosur pa arsye, sepse nuk jam nihilist i çmendur.

Këtë po e thotë bilanci fatal i politikës së tyre.

Sepse tërë kohën kanë funksionuar si Banda Mafioze dhe Kuislinge, të cilat çdo veprim të pafalshëm kriminal dhe tradhtar e kanë mbuluar me jorganin e rrejshëm patriotik.

Ndërkaq spektri i veprimeve të tyre kriminale dhe tradhtare i ka mbuluar të gjitha fushat, lëmitë dhe sferat e shtet-ndërtimit, prandaj ky i fundit  është shndërruar në shtet-rrënim.

Sepse bëhet fjalë për kleptokratet, tradhtarët dhe keqbërësit më të përsosur dhe kompletuar në historinë e këtij shteti të ri dhe të brishtë.

Ndërkaq fakti që reformat e tyre janë mashtrime optike për sytë e pashkolluar të votuesve potencial, është dëshmi e qartë se ato nuk kanë ndodhur fare.

Sepse reformat nuk nënkuptojnë vetëm largimin e personit X dhe zëvendësimin e tij me familjarin e tij Y, që ka perceptime dhe pikëpamje të njëjta mafioze dhe kuislinge.

Ose edhe më saktësisht reformat nuk janë vetëm ndryshimi i formave dhe trajtës por sidomos ndryshimi i synimit, qasjes, kursit dhe përmbajtjes.

Mirëpo as ndryshimi i synimit, qasjes, kursit dhe përmbajtjes nuk është i besueshëm pa pendim të sinqertë dhe kërkimfalje për politikën keqbërëse dy dekadeshe.

E veçmas pa distancim të prerë të krerëve të rinj të PDK-së dhe LDK-së nga paraardhësit e tyre gjysmë analfabetë, primitiv, kleptokrat, gllabërues, keqbërës dhe mercenarë.

Gjermanët nuk ikën nga atdheu i tyre as kur e hanin nga një patate në ditë.

Fjalën e kam natyrisht për kohën e pasluftës kur Gjermania pasi që e kishte shkatërruar gjysmën e botës edhe vetë ndodhej nën gërmadhat e bombave.

Në vend të largimit masiv, ata i përvolen mangët e këmishave të leckosura dhe e filluan rindërtimin e shtetit dhe rifunksionalizimin e çerdheve, shkollave, teatrove, fabrikave dhe uzinave.

Rezultati ishte po aq i shpejtë sa inati, zelli dhe besimi tyre i pathyer në vetveten.

Pastrimit të gërmadhave nga llumi gjermanët ia bashkangjiten edhe pastrimin e kokave të tyre nga llumi nazifashist.

Dhe në këtë mënyrë në vend se në superfuqi shkatërruese dhe dekadente atomare, Gjermania u shndërruan në superfuqi progresive ekonimike, industriale dhe sociale botërore, si dhe në model për të gjithë popujt e emancipuar të Evropës dhe botës.

Sepse qasja e tyre ndaj zgjidhjes së problemeve ishte një kombinim ndërmjet intelektit, kreativitetit, humanizmit dhe pragmatizmit racional.

Shqiptarët e mësuar që t'i robërojë, skllevërojë, çlirojë dhe bëjë shtet dikush tjetër, besuan se dikush tjetër duhet t'ua ndërtojë edhe shtetin, prandaj ia kthyen shpinën atdheut në momentin e parë që e kuptuan se klasa e tyre politike është e krimbur, dekadente, injorante, keqbërëse dhe kuislinge.

Sepse nuk kishin as vetëdijesim dhe kulturë të mjaftueshme politike, e as kulturë dhe traditë protestuese dhe shtet-ndërtuese.

Kur kësaj ia shtojmë edhe atdhedashurinë e gozhduar dhe pluhurosur në mur atëherë na behet shume e qartë përgjigja në pyetjen:

Pse?

Na behet madje e qartë hiq pa e lexuar romanin "Pse" të Sterio Spasses.

Çka dua të them me këtë?

Dua të them që jemi këta që jemi, prandaj edhe këtu ku jemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat