Gjerdani i tragjedive kombëtare

Opinione

Gjerdani i tragjedive kombëtare

Ilir R. Topi Nga Ilir R. Topi Më 24 nëntor 2021 Në ora: 13:47
Tragjedia në Bullgari

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ky bre i pari, ai më i madhi në vend, ai që një jetë të tërë e ka bredhur rrugëve duke ju prirë "Shfercerave"; me fjalorë nga më të ndytët e mundshëm ndërsa në karrierë ngjitet duke vetëbrohoritur UÇK-UÇK, edhe pse trimat e UÇK-së i nguli në Lagjen e Trimave, ky farë Artan Grubi i katapultuar nga nëntoka politike drejt e në kierarkinë më të lartë të BDI-së, qenka prononcuar në një tv kosovare për rastin e "Besa Trans!

U bënë si shumë "transet" e tilla për Grubin ndërsa këtij nuk i luan as qimja e b... Artan Grubi paska thënë se do të formohet urgjentisht një "komision qeveritar" për ta gjetur përgjegjësin e atij që e shkaktoi tragjedinë duke lënë të shkrumbuar në autobusin e djegur 45 qytetarë që kanë udhëtuar nga Shkupi për në Stamboll! Botërisht dihet që në Ballkan, e sidomos në Maqedoninë e Veriut, komisionet formohen për të mjegulluar situatën dhe për të hedhur fajin tek "subjekti" inegzistent! Dhe për mjegullnaja të tilla Artan Grubi është ekspert, sepse vetë i krijon vetë i shpërndanë! A ka këtu përgjegjësi morale Artan Grubi imoral?

Besa Tursi është kompani që është regjistruar nga strukturat e partisë të cilën e fëlliqi fare, agjenci kjo që "po lulëzon" në territorin që është bastion i BDI- së dhe të cilës ia paguan të gjitha "tatimet" si haraç! Duke u munduar që ta mjegullojë edhe këtë fakt, Artan Grubi që për kënaqësinë e tij kanë krijuar post fiktiv "zv/kryeministër i parë", "karamele" kjo për të kompleksuarit, ky farë mjegullshitësi paska zbuluar fajtorin te tri shtetet Maqedoni-Bullgari-Turqi organet e të cilave mbase i ka korruptuar Besa Transi, e cila i paska kaluar kufijtë pa licencë! Pra, fajtor na qenkan edhe dy shtete të tjera po aq sa edhe organet e shtetit të Maqedonisë së Veriut në të cilat ngatërrohet edhe ky fare zv/ministër i parë!

Kjo do me thënë se, pa pranuar përgjegjësi Turqia dhe Bullgaria, nuk ka se çka të kërkohet përgjegjësi prej RMV-së! Pastaj do të kërkojmë përgjegjësi sidomos nga Bullgaria që nuk i ka rrugët e mira dhe që nuk i ka pastruar nga ngrica! Po që Besa Tursi brenda vitit 2021 paska pasur katër padi penale prej të cilave paska shpëtuar pa therrë në këmbë! Ku e ka gjyqësorin ky farë "zv/kryeministër i parë? Si ka pasur mundësi që të funksionojë pa licencë? Kush i ka ofruar "garanci qeveritare", apo, nën ombrellën e cilës parti paska qenë saqë edhe organet gjegjëse qeveritare nuk paskan pasur mundësi t`i bëjnë gjë e as ta pengojnë që të qarkullojë pa licencë! Fare në fund, Artan Grubi, në stilin e vet prej mafiashit nëntokësor, paska thënë se, nuk do të lëmë gurë pa rrokollisur deri sa të gjendet fajtori i kësaj tragjedie! A thua nën cilin gurë gjendet fajtori?

Cili qenka ai gurë që po e fshikëka fajtorin? Cilin gurë ta rrokollisim? I vetmi "gurë" që duhet të rrokulliset në theqafje është pikërisht BDI-ja e cila popullit shqiptar në MRV ia ka qëndisur një gjerdan me tragjedi nga më të rëndat!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat