Dy data, dy standarde, histori e keqkuptuar

Opinione

Dy data, dy standarde, histori e keqkuptuar

Nga: Gëzim Loka Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 08:55
Gëzim Loka

Jemi i vetmi komb në botë që datën e Çlirimit nga okupatori nazi-fashist e kemi të ndarë në dy data: njëra palë e politikës njëzet e pesë vjeçare thotë që Çlirimi i vendit ka ndodhur më 29 nëntor 1944, pala tjetër thotë me 28 nëntor. Kur fiton e para, feston e kremton më 28 nëntor, kur fiton e dyta gjëmon e mallkon më 29 nëntor.

Nuk dua të flas për të vërtetën e kulluar e të pastër si drita e diellit, në përputhje me arkivat, me kujtesën kolektive të rezistencës kombëtare për liri, me dëshmitë e të mundurve dhe fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, se Shqipëria u çlirua më 29 nëntor 1944.

Gjermani i fundit u largua nga Shkodra, në agun e purpurt të historisë së lavdishme të shqiptarëve, më 29 nëntor, duke i hapur rrugë manifestimit madhor të reparteve fitimtare partizane, që parakaluan me dinjitet në të gjithë Shqipërinë.

Kjo e vërtetë është shkruar jo me bojë e letër, por në lëkurën e shqiptarëve të brezit të luftës, në plagët e veteranëve, në dëshmitë që vijnë nga pragjet e përgjakura të historisë. Ata që e mohojnë këtë datë, i vënë pikëpyetje gjithë Luftës, dekorojnë kolaboracionistët, vënë në qendër të shesheve të qyteteve buste e përmendore tradhtaresh, kuislingësh e puthadorësh të nazifashizmit!

Në dokumentet e dhuruara nga ish-këshilltari ushta- rak gjerman, koloneli Volfman Hofman, dëshmon ikjen e "ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria më 29 nëntor 1944", dhe jo siç pretendojnë politikanët e kartës anti- komuniste.

Mbajtja e fshehtë e këtyre dokumenteve krijoi mundësinë për keq informimin e opinionit publik prej disa personave. Gazeta "Ushtria", organ qendror i Ministrisë së Mbrojtjes, më datën 1 mars të vitit 2002 botoi si kryeartikull të saj një intervistë me dhuruesin e fotokopjeve të të dy dokumenteve:

"Dokumenti: "Ushtari i fundit gjerman iku nga Shqipë- ria më 29 nëntor 44". Përmbajtja e këtij titulli pasqyrohet në dokumentet e dhuruara. Krahas kësaj interviste, në gazetën "Ushtria" u botua me faks-imeile letra që koloneli V. Hofman i ka dërguar gjeneralmajorit Pëllumb Qazimi, si edhe faks-imeile me paragrafë prej të dy dokumenteve e që janë pothuajse të palexueshme. Në letrën në gjuhën shqipe, të firmosur nga koloneli V. Hofman, është shkruar: "Korpusi XXI alpin ...lëshoi më 29. 11. 1944 qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. Prandaj kjo datë mund të quhet fundi i pushtimit të Shqipërisë".

Këto Dokumente kanë të dhëna më të hollësishme, prandaj me të drejtë është marrë si më i rëndësishmi nga koloneli V. Hofman, i cili e ka shënuar me një shigjetë pjesën e tij për Shqipërinë. Këtë dokument ai e ka marrë nga vëllimi "Ditari sekret i Komandës së Wehrmacht-it në Luftën e Dytë Botërore 1939-1945, Vëllimi 11, 01.09

"31.12.1944", të botuar nga Kurt Mehner në vitin 1984 në Osnabruck të Gjermanisë. Titulli i dokumentit është: "Informacionet ditore nga 30 nëntori 1944". Dokumenti është hartuar shumë i përmbledhur në formë ditari nga Komanda e Wehrmacht-it në Berlin, sipas informacioneve që i kanë ardhur nga komandat ushtarake vartëse që vepronin në fronte të ndryshme të luftës.

Ky është vetëm një aspekt që hedh dritë, mbi dëshmitë okulare të të humburve të kësaj lufte, se Shqipëria u çlirua me 29 nëntor. Dëshmitë e tjera janë në plagët e trimave të lirisë, në armatën e pathyeshme të Luftës së Madhe që u ngrit mbi rrënojat e mizorisë, në emër të një jete të re.

Kush mohon datën 29 nëntor, mohon luftën, mohon gjakun e derdhur, mohon plagët që stolisën ballin e lirisë së kombit, mohon gjithë boshtin anti nazi-fashist, me qendër në Moskë dhe në botën euroatlantke, që e thyen kryqin e hekurt të dhunës e barabarisë naziste dhe krijuan një Evropë të lirë, një botë të lirë pa despotë dhe tiranë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat