Kosova, aty ku jeta e njeriut vlen sa tri pula!

Opinione

Kosova, aty ku jeta e njeriut vlen sa tri pula!

Nga: Faton Mehmeti Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 18:16
Autori

Drejtësia akoma vazhdon të jetë e kapur, ajo punon në shërbim të klanit “ pronto”, të cilët kanë lëshuar rrënjë në drejtësi. Nga kjo drejtësi që prodhon padrejtësia, nuk pritet asgjë pos vendimeve skandaloze, shpesh edhe qesharake. Rasti i fundit ka të bëj me tre të akuzuarit S.L., N.M. dhe R.L.,të cilët janë dënuar me 750 euro gjobë pasi në kotecin e të dëmtuarit A.F. kanë marrë një pulë.

Sipas aktgjykimit për këtë veprim secili nga të akuzuarit janë dënuar me nga 250 euro gjobë. Paramendo për një pulë dënohen me nga 250 euro, krejt kjo nga neni 333 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në një vjet. Kjo është drejtësia e klanit “ Pronto”, raste të tilla kemi pasur edhe në ta kaluarën.

Në një shoqëri të mësuar, me krim, me banditë dhe oligarkë që kanë kapur çdo gjë që duhet kapur dihet se kush dënohet e kush jo. Dënohet qytetari që nuk ka para për të paguar energjinë elektrike, ajo zyrtarja e shkret që u dënua se mori mito 20 euro, por nuk dënohen ata që milionat i shohin si skllevër të tyre, dhe qytetarët si kartë krediti. Ky sistem i korruptuar, i kriminalizuar, i ndërtuar nga Hashimi me grupin e tij, ndëshkon qytetarët e zakonshëm duke i dënuar rëndë, derisa përkëdhel pushtetarët e korruptuar.

Afera “ Pronto”, ku ishin përfshirë 11 zyrtarë të lartë të PDK, në atë kohë edhe pjesë e pushtetit, kaloi pa therë në këmbë, askush nuk u dënua, as me burg as me të holla, ndonëse aty nuk flitej për pula, për kapje të shtetit. Në fakt qysh kur doli në media afera “Pronto”, me të filluar hetimet për këtë rast, pothuaj të gjithë kemi qenë të bindur në një gjë: Se askush nuk do të dënohet. Sami Lushtaku, që pranonte se ka kërcënuar një person, dënohet me 200 euro gjobë.

Me pak fjalë, sipas drejtësisë së klanit “Pronto” jeta e njeriut llogaritet 2 mijë euro, ose thënë ndryshe jeta njeriut vlen sa tri pula. Prandaj, është koha që shkapja e shtetit, ndërtimi i një sistemi të ri të nis nga drejtësia, ajo është çelësi i të gjitha, pa drejtësi të pavarur s`mund të ketë asnjë punë të mirë në ndërtimin e një të ardhme më të mirë. Një shtet që është arrogant ndaj qytetarëve të thjeshtë, ndërkohë që është ledhatues për njerëzit me kustum pushteti, nuk na duhet. Kemi nevojë për një faqe të re të të bërit shtet, aty ku drejtësia vlen për të gjithë njësoj, vetëm kjo gjë do të mund të rikthente besimin tek qytetarët se këtu mund të jetohet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat