Çfarë është neveritëse te Baton Haxhiu?

Opinione

Çfarë është neveritëse te Baton Haxhiu?

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më: 17 mars 2022 Në ora: 14:51
Baton Haxhiu, Prof. Dr. Enver Bytyçi, foto ilustruese Bota sot

Gjithologu dhe i kudondodhuri, Baton Haxhiu, ka ditë që lufton me shpirt ndër dhëmbë kundër protestuesve shqiptarë, të cilët prej më shumë se një javë kërkojnë të mos spekulohet me çmimet e produkteve që qytetarët shqiptarë konsumojnë çdo ditë. Veç tjerash ai i ka konsideruar këto protesta si "neveritëse"! dhe "jashtë kontekstit". Haxhiu thotë se protestat drejtohen kundër Ukrainës dhe ndihmojnë Rusinë. Pra, ai njësoj si edhe kryeministri Rama, po i bën një mbrojtje të modelit totalitar doktrinues qeverisë Rama 3.

Ata që e kanë jetuar diktaturën, si dhe ata që e kanë studiuar atë, e dinë se asaj kohe çdo reagim ndaj vështirësive të ditës konsiderohej si "shërbim ndaj armikut të brendshëm e të jashtëm"! Në çdo gjë do të kishte dy alternativa: Ose me ne ose me ata! Rama, Batoni, ministrat e qeverisë i dëgjojmë vazhdimisht të përdorin pikërisht këtë logjikë: - Ne dhe ata! "Ata (protestuesit) janë të shitur", thonë qeveritarët dhe servilët e tyre, si Batoni, të cilët shpërblehen me 15 mijë euro në muaj për të mbrojtur qeverinë. Ata dhe organizatorët e tyre, janë pro-rusë, bërtet Edi Rama në foltoren e parlamentit dhe Baton Haxhiu në foltoren e Fevziut!

Por le të analizojmë se çfarë është neveritëse te Baton Haxhiu?

1. Te Batoni janë neveritëse takimi dhe pazaret e tij me Stanishiqin në kohën e terrorit serb në Kosovë. Ai thotë se shkoi dhe e takoi shefin e shërbimit sekret të Serbisë në Brezovicë "për të mirën e Kosovës"! Por askush nuk e di këtë. Një Baton që takohet aq lehtësisht me kreun e dhunës serbe në vendin e tij, nuk është e mundur që të kishte rol për konfliktin e kohës. Pastaj lind pyetja: Në emër të kujt u takua dhe foli ai? Kë përfaqësoi? Kush e autorizoi? Edhe pse Kosova prej gati një dekade kishte institucionet e saj përfaqësuese prej kuvendit, qeverisë e deri te presidenti i vendit, askush prej tyre nuk kishte dijeni për takimin "shpëtimtar" të Batonit me Stanishiqin. Në raste të tilla, ashtu si në rastin e kafes te Lulzim Basha para një viti, Batoni ka bërë pazare! Prandaj takimet e tij janë aq neveritëse!

2. Baton Haxhiu gënjeu sipas një skenari serb për "eliminimin fizik të tij" në kohën e luftës në Kosovë. Ai ishte në atë moment, sipas dëshmitarëve, në hotel Grand të Prishtinës në shoqërinë e shefave serb të sigurimit dhe nën mbrojtjen e tyre. Shou mediatik i sajuar rezultoi se kishte për qëllim jo vrasjen e Batonit, por heroizmin e tij, me qëllim që ai të vazhdonte shërbimet e veta pro-Beogradit, shërbime të cilat ia përmendi edhe Milosheviçi në gjyqin e Hagës! Kjo është akoma më neveritëse!

3. Me skenarët e Serbisë Baton Haxhiu interferoi te politikanët e luftës, të cilët në një kohë tjetër e kishin shpallur në listën e eliminimit fizik për "tradhti ndaj atdheut"! Interferimi te këta politikanë që më pas erdhën në pushtet, u shndërrua në tutorizëm, përsëri sipas skenarëve të Beogradit. Ky lloj tutorizmi e çoi ish-presidentin e Kosovës të angazhohej në ndarjen e Kosovës, projekt i cili, sipas Haradinajt, priste vetëm firmën e kryeministrit të vendit!

4. Baton Haxhiu u bë i pari këshilltar i Edi Ramës si kryeministër dhe vazhdon në këtë detyrë prej 10 vitesh, sepse ai është rekomandim, garanci dhe shërbim që i bëhet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pra, është ndërlidhësi midis Beogradit dhe Tiranës zyrtare. Bazuar në këtë begraund, ai organizoi vizitën e Ramës në Moskë dhe takimin e famshëm me Sergei Lavrov! Ky, njeriu i Lavrovit në kabinetin e kryeministrit shqiptar akuzon shqiptarët protestues për pro-rusë! Dhe kjo është ulëritëse, jo thjesht neveritëse!

5. Baton Haxhiu pati ulëritur para tri vitesh nga një ekran televizioni në Prishtinë, duke kërkuar që t'i falen Serbisë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi që ajo ka kryer në Kosovë dhe që veriu i Kosovës t'i falet gjithashtu Beogradit! Atë natë vuri në habi edhe kolegët e tij në panelin e debatit të zhvilluar. Ata hapën sytë dhe e pyetën Batonin se "Çfarë po thotë"! Ndërkohë Batoni e përsëriti kërkesën serbe për të falur kriminelët dhe tjetërsuar territorin e Kosovës! Pra, ky njeriu që sot "derdh lot" për viktimat në Ukrainë dhe protestat i asocon me gjakderdhjen e ukrainasve, po i njëjti ka kërkuar që të harrohet gjakderdhja në Kosovë e shkaktuar nga serbët! Ky fakt e bën Baton Haxhiun dy herë neveritës! Në njërin rast, sepse kërkon faljen e gjakut të shqiptarëve në dobi të Serbisë dhe në anën tjetër, sepse protestat kundër mafies qeveritare i kundërshton me alibinë e viktimave në Ukrainë! Sot hiqet human dhe mbrojtës i të drejtës së viktimave në Ukrainë, kur dje u shfaq dhunues dhe mohues i të drejtave të viktimave shqiptare në Kosovë!

Mund të numërojmë neveri të tjera të pafund të Baton Haxhiut. Por besoj se këto mjaftojnë që ai të na hiqet qafe e të mos dalë më në ekranet televizive. Thirrja ime për publikun është që të bojkotojnë çdo ekran ku shfaqet kjo lloj neverie anti-shqiptare e Rama-lëpirës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat