Deri në 10 cm borë, fenomen shumë i rrallë për Tiranën e pas viteve të 90’ta

Tirana

Deri në 10 cm borë, fenomen shumë i rrallë për Tiranën e pas viteve të 90’ta

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 17:11
Foto

Dëbora e zbardhi gjithë Shqipërinë gjatë kësaj fundjave duke mos kursyer zonat e ulëta dhe ato bregdetare.

Nga kjo ngjarje atmosferike nuk bëri përjashtim edhe kryeqyteti ku flokët e dëborës u shfaqën pasditen e së shtunës për disa minuta duke krijuar përshtypjen se do të ishte vetëm një përshëndetje me kryeqytetasit por jo, mbrëmja riktheu dëborën në Tiranë.

Reshjet kanë vijuar gjatë natës deri në orët e para të së dielës duke shtruar me 4-10 centimetra, edhe në qendër të qytetit. Një fenomen shumë i rrallë për Tiranën e pas viteve ’90, edhe pse dëbora herë pas here e ka vizituar kryeqytetin për disa minuta, apo me shtresa të holla 2-3 centimetra. Tre dekadat e fundit në Tiranë nuk është  vrojtuar një ngjarje dëbore disa orëshe dhe një shtresë kaq e dukshme e bardhë.

Edhe zonat bregdetare, sidomos brigjet e Adriatikut, u zbardhën nga reshjet e dëborës të shoqëruara nga një erë e fortë dhe shumë e ftohtë verilindore kryesisht në brigjet e Velipojës dhe plazhet e Lezhës ku lugina e Drinit ka ndihmuar në forcimin e erës deri 75 km/h. Dëbora nuk harroi edhe brigjet e Jonit ku orët e para të së dielës zbardhën bregdetin jugor edhe pse në sasi më të pakta krahasuar me zonat veriperëndimore dhe qendrore.

Përtej habisë dhe kënaqësisë që dëbora shkaktoi në zonat urbane perëndimore, reshjet e dëborës thelluan me mbi gjysmë metri, shtresën e dëborës në pjesën më të madhe të zonave malore. Konkretisht, verilindja ka regjistruar deri 50 centimetra dëborë ndërsa reshjet e dëborës gjatë kësaj fundjave kanë shtruar nga 30 deri në 70 centimetra dëborë në zonat malore juglindore.

Një ngjarje e tillë atmosferike nuk është e rrallë për klimën malore shqiptare ku dëbora është fenomen i zakonshëm i dimrit por është bërë më e rrallë gjatë dy dekadave të fundit. E pazakonta e kësaj ngjarjeje qëndron në temperaturat shumë të ulëta që janë regjistruar gjatë kësaj fundjave ku termometri ka zbritur në -14°C në zonat e banuara rurale ndërsa janë shënuar disa gradë më poshtë në zonat e thella në verilindje të vendit.

Parashikohet që vlerat termike të ndryshojnë ngadalë deri nga e enjtja që vjen, madje deri në fund të shkurtit temperaturat e natës dhe mëngjeseve për pjesën më të madhe të zonave malore, do të mbeten në vlera negative duke ruajtur një shtresë të konsiderueshme dëbore deri në hyrje të pranverës.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat