Veliaj inspekton punimet për konviktet e mjekësisë: “Një hapësirë e zaptuar që u rikthehet studentëve me kushte moderne”

Tirana

Veliaj inspekton punimet për konviktet e mjekësisë: “Një hapësirë e zaptuar që u rikthehet studentëve me kushte moderne”

Më: 1 prill 2021 Në ora: 11:30
Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Ervin Bushati, inspektuan punimet për rindërtimin e konviketeve të Fakultetit të Mjekësisë, një godinë 8 katëshe e cila do të akomodojë 197 studentë.

Veliaj tha se konviktet që më parë ishin hapësira të zaptuara, sot po u rikthehen studentëve me kushte më të mira, që do i kenë zili të gjithë.

“Studentët e ardhshëm të mjekësisë dhe të infermierisë do të kenë një konvikt për t’u pasur zili. Nuk krahasohen fare as me konviktet e kohës sonë, kur ishim studentë jashtë. Po bëhen me teknikën dhe cilësinë më të fundit, si çdo konvikt tjetër në Perëndim”, u shpreh Veliaj.

Më tej ai nënvizoi se po punohet në disa kantiere, që kur studentët të rikthehen për vitin e ri akademik të gjejnë ambiente totalisht të reja dhe moderne.

“Kemi hapur disa kantiere pune: po punohet në Universitetin Bujqësor, po punohet tek Inxhinieria e Mjedisit, tek Inxhinieria e Ndërtimit, pra në gjithë zonën e 21-shit, kështu që do të ketë disa kampuse, që kur të rinjtë të rikthehen në shtator apo tetor, në varësi kur do hapet shkolla, Tirana jo vetëm t’i ketë thënë lamtumirë Covid-it dhe pasojave të tërmetit, por studentët t’i mirëpresim në konvikte të çliruara nga zaptimet”, tha Veliaj.

Ndërsa, kandidati për deputet i PS në Tiranë, Ervin Bushati u shpreh i lumtur që puna ka ecur shpejt.

“Më vjen shumë mirë që rikthehemi dhe e gjejmë edhe dy kate më shumë të shtuar. Shpresoj që të gjithë ata që do rikthehen në shtator të shohin jo vetëm ambiente më të mira, por një Shqipëri të ndryshuar”, nënvizoi Bushati.

Rezidencën Studentore Universitare numër 3, nga një hapësirë e zaptuar, tashmë u është rikthyer studentëve. Ka një sipërfaqe totale prej 3.452 metra katrorë. Në të do të ketë 79 dhoma, me 2 dhe me 3 shtretër. Në çdo kat do të ketë ambient gatimi dhe ngrënie. Gjithashtu është parashikuar lavantaria, dhomat e studimit dhe depot.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat