Tiranë, përshtati lokalin për përdorim dhe shitje të kokainës, në pranga pronari, 42 vjeçarit i sekuestrohet pistoleta

Tirana

Tiranë, përshtati lokalin për përdorim dhe shitje të kokainës, në pranga pronari, 42 vjeçarit i sekuestrohet pistoleta

Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 09:14
Foto ilustrim

Një 42-vjeçar pronar i një lokali në Tiranë, është arrestuar ditën e sotme nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Bujtina”. Blutë bëjnë me dije se shtetasi  L. E, kishte përshtatur lokalin për përdorim dhe shitje të lëndës narkotike kokainë, e si pasojë ka përfunduar pas hekurave.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative se një shtetas kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij për përdorim droge dhe se mbante armë zjarri dhe armë të ftohta në banesë, specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, kanë finalizuar operacionin policor "Bujtina", në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi: L. E., 42 vjeç, banues në Tiranë.”- njofton policia.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit dhe të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë dhe fishekë luftarakë, një sasi lënde narkotike kokainë, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe dy armë të ftohta (thika).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat