Veliaj: PS është familja juaj, opozita e sheh Kamzën si depozitë për interesat e tyre

Tirana

Veliaj: PS është familja juaj, opozita e sheh Kamzën si depozitë për interesat e tyre

Më: 4 mars 2023 Në ora: 18:41
Erion Veliaj

Në një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Kamzë, me fokus tek zgjedhjet e 14 Majit, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se në këto 4 vjet qyteti i Kamzës është kthyer në model, për të gjitha investimet në kopshte, çerdhe, shkolla etj. I shoqëruar nga deputetja e PS, Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, Veliaj shtoi se Tirana dhe Kamza janë si dy mushkëri ekonomike, ndërsa në 14 maj njerëzit duhet të shohin punën e mirë që ka bërë këto 4 vjet kryebashkiaku Rakip Suli.

“E them me krenari, si në Tiranë, edhe në Kamzë, kemi dy mushkëri ekonomike, biznesi, arsimi dhe të një zhvillimi të jashtëzakonshëm urban. Sot familja jonë në Kamzë është model, është e balancuar dhe është gati për fitore në datën 14 maj, edhe për të gjitha punët që do të vijnë më pas. Unë jam shumë krenar për atë që ka bërë Rakipi në 4 vjet. Unë në Tiranë kam pasur dyfishin e kohës, por transformimi në Kamzë ka ndodhur vetëm në 4 vite”, tha Veliaj.

Për kundërshtarët politikë, Veliaj tha se ata janë ‘vulëhumbur’, që kanë hallin e tyre dhe jo të popullit dhe se Kamzën e shohin si një depozitë për sherr në bulevard.

“Po shikoja skenat e protestës së fundit, kur po vinte revolucioni në Tiranë, ishin nisur 10 makina nga Kamza, ca Range Rover dhe Mercedesë të tipit të fundit, dhe thashë: ‘Shih çfarë vizioni ka një parti për Kamzën!’. E sheh vetëm si depozitë makinash të shtrenjta, me xhirime gomash dhe mitingashë. Ky është vizioni i një partie që ka qeverisur Shqipërinë gjatë gjysmës së tranzicionit. Ndërkohë, vizioni i Rakipit dhe PS për Kamzën ka qenë promovimi si në një familje. Nuk i bëjmë dot të gjitha! Edhe në një shtëpi mund të ketë shumë dëshira, por ti thua, të vegjëlve s’do u lëmë gjë mangët, dhe me punën që është bërë me çerdhet, kopshtet, shkollat e Kamzës, Rakipi nuk i ka lënë gjë mangët fëmijëve”, tha Veliaj.

Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Veliaj tha se pyetja që gjithsecili duhet t’i bëjë vetes është: “Do jetojmë për disa njerëz që kanë pasur mundësi t’i shërbejnë Kamzës e Shqipërisë dhe vazhdojnë e trajtojnë Kamzën e Shqipërinë vetëm si depozitë për interesin e tyre, për vulën, për postin e tyre? Po të ‘thereshin’ ata, siç ‘theren’ për vulën edhe për arsimin, për promovimin e gruas në shoqëri, për emancipimin; të ‘thereshin’ siç ‘theren’ për selinë, edhe për çerdhet, kopshtet, shkollat; të ‘thereshin’ kështu edhe për transportin publik, siç ‘theren’ për Range dhe Mercedesët e tyre, ky vend do të ishte bërë që kur e kishin ata në dorë. Por, qartazi ata na provuan se edhe kur e kishin në dorë, edhe tani, shohin vetëm interesin e tyre. Thirrja për çdo demokrat në Kamzë është: Nuk e duam për dhëndër Rakipin! Nuk e duam për krushqi Rakipin! E duam që ta ngarkojmë me punë, që të vazhdojë t’i mbarojë të gjitha shkollat, të gjitha shtëpitë, parqet, shesh-pushimet e pallateve, të gjitha projektet”.

Veliaj nënvizoi se parti, familje dhe skuadër më të mirë, më dinjitoze, më profesioniste, më patriotike se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk ka dhe nuk ka për të pasur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat