Subashi: 85% e fëmijëve që lypin në rrugët e Tiranës vijnë nga rrethet

Tirana

Subashi: 85% e fëmijëve që lypin në rrugët e Tiranës vijnë nga rrethet

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Në rrugët e kryeqytetit has shpesh fëmijë që kërkojnë lëmoshë. Shpesh ata janë shoqëruar nga të rritur, që janë prindërit apo familjarët e tyre.

Pas denoncimeve nga qytetarët apo dhe vetë identifikimi i skuadrave të terrenit, është vërejtur që ata në shumicën e rasteve nuk janë banorë të Tiranës.

“Zakonisht ne i kemi fëmijë që shfrytëzohen nga nëna dhe babai i tyre apo persona të tjerë deri kur ata mbushin 18 vjeç. Ne punojmë fort me secilën familje dhe në 85% të rasteve nuk janë banorë të Tiranës. Ne bashkëpunojmë me SHSSH për t’i referuar në qytetin nga vijnë, sepse ata vijnë në mëngjes, bëjnë procesin e lypjes dhe ikin”, thotë Anisa Subashi, drejtore e Shërbimit Social Shtetëror.

Për ata që janë banorë të Tiranës, rasti i identifikuar nga njësia e terrenit referohet menjëherë në shërbimet sociale ku ata figurojnë banorë.

“Aty bëhet vlerësimi i familjes dhe nevojat që ka kjo familje. Nëse rasti është i përsëritur, rasti referohet dhe nis procesi i hetimit”, sqaron Subashi.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022 janë identifikuar 207 fëmijë në situatë rruge.

Megjithatë, ekspertët thonë se ka pasur edhe raste të suksesit që janë tërhequr nga rruga dhe sistemuar në shkolla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat