​A është e sigurt të ngrohen sërish vezët?

Ushqime

​A është e sigurt të ngrohen sërish vezët?

Më: 29 nëntor 2026 Në ora: 21:21
Fotoilustrim

Vezët e gatuara dhe gatimet me bazë vezësh mund të ngrohen sërish në mënyrë të sigurt, me kusht që të jenë ruajtur në një temperaturë mjaftueshëm të lartë.

Edhe pse dihet se gatimi ndikon te disa lëndë ushqyese në ushqime, hulumtimet mbi atë nëse ngrohja e serishme e vezëve të gatuara tashmë ndryshon ndjeshëm profilin e tyre ushqyes mbeten të kufizuara.

Dallimi më i madh zakonisht vërehet në strukturë. Vezët që ngrohen për një kohë të gjatë mund të bëhen të thata, transmeton KosovaPress.

Si të ngrohni lloje të ndryshme vezësh

Siguria ushqimore fillon para se të bëni ngrohjen e serishme. Vezët duhet të jenë gatuar plotësisht për të ulur rrezikun e baktereve si salmonella. Pasi të jenë gatuar, ato duhet të vendosen në një enë të cekët që të ftohen shpejt, të ruhen në frigorifer në temperaturë 4 gradë Celsius ose më pak, dhe të konsumohen brenda tre deri në katër ditësh.

Kur i ngrohni sërish, vezët dhe gatimet me vezë duhet të arrijnë një temperaturë të brendshme prej 74 gradë Celsius për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi.

Metoda ideale e ngrohjes ndryshon në varësi të mënyrës se si janë përgatitur fillimisht vezët

-Vezë të rrahura (të përziera): Ngrohini në mikrovalë për 20-30 sekonda, duke i përzier pas çdo intervali derisa të jenë ngrohur në mënyrë të barabartë.

-Omleta: Vendosini në një enë të përshtatshme për furrë dhe ngrohini në 176 gradë Celsius për 15-20 minuta. Pjesët e ngrira mund të kërkojnë 25-30 minuta.

-Vezë të ziera: Mos i ngrohni në mikrovalë, pasi presioni mund të rritet brenda dhe të bëjë që e verdha e vezës të shpërthejë. Në vend të kësaj, vendosini në një enë që duron nxehtësinë, mbulojini me ujë të nxehtë dhe lërini për rreth 10 minuta.

-Vezë të skuqura: Ngrohini në një tigan me pak gjalpë ose vaj për 2-5 minuta, pa i kthyer nga ana tjetër.

-Vezë të ziera në ujë: Futini në ujë që zien lehtë për 1-2 minuta, më pas nxirrini me kujdes.

-Vezë të pjekura vetëm nga njëra anë: Vendosini në një pjatë të ngrohur paraprakisht dhe të lyer lehtë me yndyrë: futini në mikrovalë për rreth 30 sekonda, më pas lërini të qëndrojnë për një minutë para se t'i konsumoni.

Ashtu si me ushqimet e tjera të mbetura, ngrohja e serishme e vezëve mund të ndryshojë shijen dhe strukturën e tyre, si dhe mund të shkaktojë ndryshime në vlerat ushqyese, sipas Healthline. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat