Proteina është thelbësore për organizmin, por marrja e saj nuk është aq e vështirë sa mendohet edhe kur mungon mishi në tryezë. “Po proteinat, nga do t’i marrësh?”
Kjo është një nga pyetjet më të zakonshme që u drejtohet personave që ndjekin një dietë vegane ose që po mendojnë të heqin dorë nga produktet shtazore. Ideja se një ushqyerje me bazë bimore nuk mund të sigurojë mjaftueshëm proteina është ende e përhapur, edhe pse ushqime të shumta bimore janë burime të rëndësishme të këtij makronutrienti.
Proteina është një nga elementet bazë të organizmit dhe luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e tij. Ajo ndihmon në riparimin dhe mirëmbajtjen e indeve, kontribuon në rritjen dhe ruajtjen e masës muskulore dhe merr pjesë në prodhimin e hormoneve dhe substancave të tjera të nevojshme për trupin. Pikërisht për këtë arsye, personat që nuk konsumojnë mish, veçanërisht ata që ndjekin një dietë vegane, duhet t’i kushtojnë vëmendje përbërjes së vakteve të tyre. Por kjo nuk do të thotë se proteina duhet kërkuar vetëm te mishi, vezët apo produktet e qumështit.
Nga mund të merret proteina pa mish?
Lista e ushqimeve me bazë bimore që përmbajnë proteina është më e gjatë nga sa mund të mendohet. Bishtajoret, për shembull, janë ndër burimet më të rëndësishme. Fasulet, thjerrëzat, qiqrat dhe bizelet mund të jenë pjesë e rregullt e një diete të ekuilibruar dhe të kontribuojnë ndjeshëm në marrjen ditore të proteinave. Edhe soja dhe produktet e saj, si tofu, tempeh dhe edamame, janë alternativa të njohura për personat që nuk konsumojnë mish.
Në tryezë mund të përfshihen gjithashtu arrat dhe farat, si bajamet, kikirikët, farat e kungullit, farat e lulediellit, farat chia dhe farat e kërpit.
Drithërat dhe disa produkte të përgatitura prej tyre mund të kontribuojnë gjithashtu në marrjen e proteinave. Tërshëra, quinoa dhe buka me drithëra integrale janë disa nga alternativat që mund të kombinohen me burime të tjera bimore.
Nuk mjafton vetëm një ushqim
Një nga keqkuptimet më të zakonshme është se për të marrë proteina të mjaftueshme duhet patjetër të konsumoni një ushqim të vetëm që përmban të gjithë proteinën e nevojshme. Në praktikë, një dietë e larmishme mund të sigurojë aminoacidet e nevojshme për organizmin përmes kombinimit të ushqimeve të ndryshme gjatë ditës. Kështu, një vakt mund të përmbajë bishtajore dhe drithëra, ndërsa një tjetër mund të kombinojë perime me fara, arra ose produkte të sojës. Çelësi është larshmëria, jo mbështetja te një burim i vetëm ushqimor.
Çfarë duhet të kenë parasysh veganët?
Të ndjekësh një dietë vegane nuk do të thotë automatikisht të kesh mungesë proteinash. Megjithatë, një ushqyerje e planifikuar dobët mund të mos sigurojë sasinë dhe larminë e nevojshme të disa lëndëve ushqyese. Për këtë arsye, veganët duhet të kujdesen që në menunë e tyre të përfshihen rregullisht ushqime të pasura me proteina, në vend që të mbështeten kryesisht te fruta, perime dhe ushqime të rafinuara. Një dietë e ekuilibruar me bazë bimore mund të përfshijë bishtajore, produkte soje, drithëra, arra dhe fara, së bashku me një shumëllojshmëri frutash dhe perimesh.
Në rastet kur një person ka nevoja të veçanta ushqimore, është shtatzënë, është sportist, ka një sëmundje kronike ose po ndjek një dietë shumë kufizuese, këshillimi me një mjek ose dietolog është i rëndësishëm.
Proteina nuk është vetëm “çështje mishi”
Debati rreth proteinave shpesh reduktohet në një pyetje të vetme: mish apo jo mish? Por ushqyerja është më komplekse se kaq. Proteina gjendet në një gamë të gjerë ushqimesh dhe një menu e planifikuar mirë mund ta sigurojë atë edhe pa mish. Ajo që ka rëndësi është që dieta të jetë e larmishme dhe të përfshijë rregullisht burime të ndryshme proteinash. Prandaj, për këdo që po mendon të reduktojë ose të eliminojë mishin nga dieta, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “Ku do ta gjej proteinën?”, por edhe “Si do ta ndërtoj një menu të larmishme dhe të ekuilibruar?” Përgjigjja mund të jetë më e thjeshtë nga sa duket: fasulet, thjerrëzat, qiqrat, soja, tofu, arrat, farat dhe drithërat mund të jenë pjesë e rëndësishme e përgjigjes.