Të goditurit nga tërmeti në Nepal tentojnë të shpëtojnë sende nga shtëpitë e tyre

Afrika

Të goditurit nga tërmeti në Nepal tentojnë të shpëtojnë sende nga shtëpitë e tyre

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 19:26
Foto ilustrim

Banorë të goditur nga tërmeti i të premtes në Nepal, shiheshin sot në qytezën e Jajarkot që përpiqeshin të shpëtonin sende të ndryshme nga shtëpitë e shembura.

Tronditjet me magnitudë 5.6 vranë të paktën 157 njerëz dhe rrafshuan shumë shtëpi balte në komunitetet e largëta perëndimore të republikës së Himalajeve.

I mbijetuari Kishor Jung Shah, tha për rrjetin AFP se ishin me fat që kishin arritur të shpëtonin gjallë.

“Shtëpia jonë u shkatërrua nga brenda por ne arritëm të mbijetonim, sapo dolën jashtë shtëpia ajo u shemb. Ne u futëm përsëri brenda dhe nxorrëm jashtë njerëzit”.

82 vjeçarja nepaleze Tara Devi Shah, thotë se ata arritën të mbijetojnë por gjithçka është shkatërruar. “Tashmë ka disa ditë që nuk kemi ngrënë mirë. Nuk dimë ç’duhet të bëjmë”.

Fshati i largët e Chiuri ishte një nga më të goditurit e tërmetit të së premtes dhe të gjitha 40 shtëpitë e tij janë ose të shembura ose të dëmtuara rëndë. 13 nga banorët e tij humbën jetën.

I ulur me të afërmit e tij nën një strehë tende, Prem Kala kujton e përlotur vdekjen e të afërmve në shtëpinë fqinjë.

“Pas tërmetit ne nxituam për në shtëpinë e tyre por gjetëm vetëm trupa”, thotë ajo për rrjetin AFP. “Nga shtatë njerëz që ishin në familje katër vdiqën”, thotë gruaja nga kasta e ulët e popullsisë Dalit në Nepal.

Chiuri është një komunitet fermerësh në krahinën Jajarkot ku vdiqën shumica e 157 viktimave të tragjedisë.

I gjithë fshati kaloi natën pas tërmetit duke gërmuar për të gjetur trupa ose të mbijetuar në rrënojat e shtëpive të tyre.

Përpjekjet e shpëtimit ndaluan mbrëmë kur autoritetet konfirmuan se 105 njerëz ishin vrarë nga tërmeti në Jajarkot dhe 52 në rajonin fqinjë Rukum.

Tragjikisht në të njëjtin rajon në vitin 2015 vdiqën rreth 9,000 njerëz dhe mijëra të tjerë u plagosën kur një tërmet me magnitudë goditi, duke shkatërruar qindra mijëra shtëpi.

Dridhjet e të premtes ishin ndjerë deri në New Delhi në Indi, rreth 500 kilometra larg epiqendrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat