Persona të armatosur të paidentifikuar vranë të paktën 20 persona dhe plagosën nëntë të tjerë në një fshat pranë kufirit perëndimor të Burundit me Republikën Demokratike të Kongos, njoftoi sot qeveria e këtij vendi afrikan.
Sulmi ndodhi të premten në mbrëmje në fshatin Gatumba në provincën Bujumbura të Burundit, "duke synuar kryesisht gratë dhe fëmijët", tha në një deklaratë Jerome Niyonzima, zëdhënës i Qeverisë së Burundit.
“Nëntë familje ishin në shënjestër të sulmuesve”, tha ai.
Presidenti i Burundit, Evariste Ndayishimiye dënoi sulmin dhe shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.
Red Tabara, një grup kryengritësish të Burundit me bazë në Kongon lindore, mori përgjegjësinë për sulmin.
Grupi rebel, i cili ka luftuar me qeverinë e Burundit që nga viti 2015, pretendoi se vrau nëntë ushtarë dhe një oficer policie.