Persona të armatosur sulmuan disa fshatra gjatë fundjavës në shtetin Plateau të Nigerisë, duke vrarë të paktën 140 njerëz, thanë zyrtarët dhe të mbijetuarit të martën, rasti i fundit këtë vit i vrasjeve në masë, që mendohet se është pasojë e një konflikti mes fermerëve dhe barinjve në këtë vend të Afrikës Perëndimore.
Autorët kishin në shënjestër 17 komunitete në sulme "të pakuptimta dhe të paprovokuara" të shtunën dhe të dielën, duke djegur shumicën e shtëpive në zonë, tha guvernatori i rajonit gjatë një konference shtypi të transmetuar nga kanalet televezive të vendit.
"Ndërsa po flas me ju, vetëm në Mangu ne varrosëm 15 persona. Që nga mëngjesi i sotëm, në Bokkos, kemi gjetur të paktën 100 kufoma. Unë ende nuk kam bërë një bilanc të vdekjeve në Barkin Ladi”, tha guvernatori Caleb Mutfwang. "Ka qenë një Krishtlindje shumë e tmerrshme për ne këtu në Plateau."
Zyra e organizatës Amnesty International në Nigeri tha se deri më tani ka konfirmuar 140 vdekje në zonat e banuara kryesisht me të krishterë në Bokkos dhe Barkin-Ladi, bazuar në të dhënat e përpiluara nga punonjësit e saj në terren dhe nga zyrtarët lokalë. Kishte frikë për një numër më të madh viktimash pasi disa njerëz nuk u gjetën.
Disa nga vendasit thanë se u deshën më shumë se 12 orë përpara se agjencitë e sigurisë t'u përgjigjeshin thirrjeve të tyre për ndihmë, një pretendim që agjencia e lajmeve Associated Press nuk mund ta verifikonte në mënyrë të pavarur, por që i bën jehonë shqetësimeve të theksuara më parë rreth ndërhyrjeve të ngadalta në krizën vdekjeprurëse të sigurisë në Nigeri, në të cilën janë vrarë qindar njerëz këtë vit.
Ndonëse për këtë incident u fajësuan barinjtë e fisit Fulani, asnjë grup nuk mori përgjegjësinë për sulmet. Barinjtë e fisit Fulani janë akuzuar për kryerjen e vrasjeve në masë në të gjithë rajonet veriperëndimore dhe qendrore, ku konflikti dhjetëra vjeçarë mbi tokat dhe ujin ka përkeqësuar më tej ndasitë sektare midis të krishterëve dhe myslimanëve në vendin me numrin më të madh të banorëve në Afrikë.
Ushtria nigeriane tha se ka filluar "operacionet e pastrimit" në kërkim të të dyshuarve, me ndihmën e agjencive të tjera të sigurisë, megjithëse arrestimet janë të rralla pas sulmeve të tilla./VOA