​Tre të vrarë e 77 të plagosur nga një shpërthim në Nigeri

Afrika

​Tre të vrarë e 77 të plagosur nga një shpërthim në Nigeri

Më: 17 janar 2024 Në ora: 21:58
Foto ilustrim

Të paktën tre persona u vranë dhe 77 u plagosën në një shpërthim dinamiti në qytetin jugperëndimor nigerian Ibadan në shtetin Oyo, tha të mërkurën një zyrtar i lartë qeveritar.

Guvernatori i Oyo, Seyi Makunde tha për mediat lokale se tre trupa u nxorën nga rrënojat e një zone banimi në Old Bodija, një lagje në qytet që u trondit mbrëma të martën nga shpërthimi dhe zjarri i mëpasshëm.

Guvernatori shkoi në vendngjarje në mesnatë për të vlerësuar situatën dhe qetësuar banorët, shumë prej të cilëve ishin zhvendosur për siguri.

Ibadani është qyteti më i madh në Nigeri dhe kryeqyteti i shtetit Oyo.

Më herët në një deklaratë, komisionari shtetëror për Informacionin dhe Orientimin Deji Oyeledale e përshkroi shpërthimin si "të pazakontë" në qytet.

Ai tha se qeveria ka dërguar zjarrfikësit, shefat e sigurisë dhe punëtorët e shpëtimit në vendngjarje për të parandaluar përhapjen e zjarrit të furishëm.

Adewale Osifeso, një zëdhënës i policisë, tha se policia ende nuk ka përcaktuar shkakun e shpërthimit dhe numrin e viktimave.

“Shkaku i shpërthimit është i panjohur dhe asnjë viktimë nuk mund të konfirmohet ndërsa kërkimet vazhdojnë”, tha Osifeso në një deklaratë.

Megjithatë, banorët e zonës pohuan se shpërthimi është shkaktuar nga dinamit i ruajtur në një ndërtesë nga disa minatorë të paligjshëm. Sipas tyre, shumë shtëpi janë djegur, ndërsa të tjera janë dëmtuar.

Lateef Salau, një banor lokal dhe punonjës i qeverisë, tha përmes telefonit për Anadolu, se punëtorët e shpëtimit dhe vullnetarët nxorën rreth pesë trupa nga rrënojat të mërkurën.

Megjithatë, dëshmitarët okularë dhe disa punonjës të shpëtimit raportuan se bilanci i viktimave ishte rritur në 12. Megjithatë, autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende informacion për rritjen e numrit të të vdekurve. /AA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat