Deputeti Gashi obligohet të heqë dorë nga biznesi i “servisit të veturave”

Aktuale

Deputeti Gashi obligohet të heqë dorë nga biznesi i “servisit të veturave”

Më: 24 maj 2022 Në ora: 11:23
Fadil Gashi

Agjencia Kundër Korrupsionit ka mbyllur rastin për deputetin nga komuniteti rom, Fadil Gashi, i dyshuar për konflikt interesi.

Gashi është detyruar të zgjedh në mes pozitës së deputetit dhe drejtuesit të një kompanie private.

Vendimi nga AKK-ja është firmosur më 13 maj, nën arsyetimin se Gashi është person i autorizuar në biznesin “Fadil Me. Gashi B.I” dhe në të njëjtën kohë ushtron mandat prej deputeti, që sipas ligjit në fuqi mund të përbëjë konflikt të mundshëm interesi.

Agjencia e ka njoftuar Gashin se kanë filluar procedurat për shqyrtimin e mundshëm të konfliktit të interesit.

Kësisoj, deputeti Gashi është pajtuar me gjetjet e Agjencisë. I njëjti ka ndërmarr veprimet e menjëhershme dhe më nuk figuron si person i autorizuar në kompaninë, e cila merret me mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve.

“Pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve, zyrtari i lartë z. Fadil Gashi është pajtuar me gjetjet e Agjencisë, duke deklaruar se do të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe konkrete në mënyrë që të shmang papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendim.

Megjithatë, sipas faqes së ARBK-së, kompania “Fadil Me. Gashi B.I”, e cila operon në Mitrovicë, është hapur më 2019.

AKK-ja në vendimin e saj ka thënë se rasti mund të rihapet në çdo kohë, nëse paraqiten rrethana të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat