Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka raportuar në Polici se është kanosur nëpërmjet telefonit nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Zafir Berisha.
Rastin e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili është shprehur se rasti është raportuar gjatë ditës së shtune, derisa viktima ka raportuar se ka qenë i kanosur përmes telefonit për tri ditë me radhë.
“Me datën 25.06.2022,viktima ka raportuar rastin ne polici se ka qenë i kanosur përmes telefonit nga një i dyshuari Z.B për tre dite. Pas pranimit të informatës viktima është intervistuar lidhur me këtë rast, është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka dhënë urdhër qe te intervistohet i dyshuari ne cilësinë e të dyshuarit”, është shprehur Gashi.
“Hetuesit nga Sektori i Hetimeve Rajonale e ka shoqëruar te dyshuarin, është intervistuar dhe pas intervistimit i dyshuari lirohet ne procedure te rregullt. Në konsultim me Prokurorin Kujdestar, iniciohet rasti KANOSJE. Rasti është duke u hetuar nga njësiti Hetimeve rajonale ne Prizren”.