Vjosa Osmani propozoi një “Traktat të Mbrojtjes” mes Shqipërisë dhe Kosovës, ja si e komenton Bajram Begaj

Aktuale

Vjosa Osmani propozoi një “Traktat të Mbrojtjes” mes Shqipërisë dhe Kosovës, ja si e komenton Bajram Begaj

Më: 16 gusht 2022 Në ora: 20:47
Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka folur këtë të hënë në lidhje me propozimin e bërë nga homologia Vjosa Osmani në lidhje me krijimin e një Traktati të Mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Përmes një interviste të dhënë për RTK-në nga Prizreni, Begaj tha se një iniciativë e tillë duhet të trajtohet me shumë kujdes nga institucionet e dy vendeve.

Ai shtoi se janë Kuvendet respektive të dy vendeve që duhet të vendosin për një marrëveshje të tillë.

“Presidenti i Shqipërisë ka një mision kushtetues që është e bazuar te preambula e Kushtetutës në lidhje me unitetin kombëtar dhe bashkimin kombëtar. Ardhja ime këtu dhe takimi me liderët e Kosovës është për të përçuar mesazhin që ne duhet të bëjmë më të mirën për kombin tonë.

Traktati i Mbrojtjes është një ide e hedhur nga presidentja e Kosovës e cila nënkupton një ide fillestare, e cila duhet të trajtohet me shumë kujdes nga institucionet ligjzbatuese dhe ligjvënëse, përkatësisht Kuvendet respektive.

Unë e mirëkuptoj presidenten Osmani dhe do të punoj intensivisht bazuar te dritarja ligjore që ne na mbulon të ecim përpara me mundësinë e arritjes së një gjëje të tillë.

Unë mendoj se Kuvendet respektive janë ato që do të vendosin për një marrëveshje të tillë.

Me sa di është një deklaratë bashkëpunimi në fuqi mes dy republikave.

Mendoj se në kushtet aktuale të sigurisë, dhënia e këtij mendimi për një traktat kërkon që mbështetja e Shqipërisë të jetë i nevojshëm në situata të tilla”, tha Begaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat