Muhaxheri: Kam kërkuar të largohen nga LDK ata që nuk e votuan Mustafën

Aktuale

Muhaxheri: Kam kërkuar të largohen nga LDK ata që nuk e votuan Mustafën

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 23:25
Gazmend Muhaxheri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se ka qenë ithtar i asaj që të largoheshin nga partia të gjithë ata që nuk e kanë votuar kryeministrin Isa Mustafa.

Në emisionin Rubikon, ai ka treguar se LDK nuk e ka ndërmarrë këtë veprim dhe pastaj ka pasuar dëmtimi i saj.

I pyetur se ‘a mund të thuhet se Muhaxheri nuk ka fjalë të mëdha kritike ndaj presidentes Vjosa Osmani’, ai ka thënë se mund të thuhet kështu pa hezitim.

“Po, e them këtë pa hezitim. Kryetari Lumir Abdixhiku dhe shumë anëtarë të kryesisë së LDK-së kanë shumë qëndrim më kritik sesa unë, por unë kam mendimin tim pak më të butë ndaj presidentes Osmani”.

Ndërsa në pyetjen ‘kur ishte Osmani në LDK a ishit mbështetës i saj që ajo të qëndronte në parti edhe përkundër sfidave që ajo pati dhe largimit që ja bëtë përmes atij votimit të famshëm më e-mail?’, Muhaxheri ka thënë se ka qenë ithtar i asaj që të përjashtohen nga LDK të gjithë ata që nuk e kanë votuar kryeministrin Isa Mustafa.

Unë kam qenë ithtar i asaj që të përjashtohen prej partisë të gjithë ata që nuk e kanë votuar kryeministrin Mustafa. Nuk e ka ndërmarrë këtë veprim partia dhe dëmtimi ka shkuar të thellohet”.

“E di edhe presidentja Osmani, por unë e kam përkrahur mandej edhe për kandidate si kryeministre”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat